1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Asnjë kufi bllokues për partitë e vogla në zgjedhjet evropiane

Pesë, tre dhe në fund zero për qind. Një klauzolë bllokuese në zgjedhjet evropiane është antikushtetuese, vendosi Gjykata Kushtetuese gjermane. Kjo i zemëron shumë partitë e mëdha, por gëzon të voglat.

Ishte një vendim që pritej me shumë tension: Gjykata Kushtetuese gjermane me qendër në Karlsruhe të mërkurën (26.02.2014) shpalli vendimin që klauzola për kufirin ekzistues tre përqind për pjesëmarrjen në zgjedhjet evropiane në maj është kundër barazisë së shanseve për partitë e vogla.

Shumë parti të vogla dhe më shumë se 1000 qytetarë kishin ngritur padi kundër kufirit prej tre përqind, të vendosur nëntë muaj më parë. Dhe ajo pati sukses. "Partitë e vogla janë kripa e demokracisë, ato kanë një funksion të rëndësishëm dhe për këtë arsye nuk duhet të ketë pengesa", thotë Sebastian Frankenberger, kryetar në rang federate i Partisë Ekologjiko-Demokratike (ÖDP).

Për partitë e mëdha ky vendim është një shuplakë në fytyrë. Gjithsej 162 parti ka aktualisht në Parlamentin e BE-së. Një numër më i madh partish të vogla do të dëmtojë aftësinë funksionuese të Parlamentit, ishte argumenti kryesor i përkrahësve të kufirit bllokues prej tre për qind. Parlamenti sipas tyre ka nevojë për maxhoranca të qendrueshme. "Por maxhorancat do të pakësohen", tha presidenti i Parlamentit të BE-së Martin Schulz. Dy herë është përpjekur Bundestag-u gjerman të vendosë një klauzolë. Dy herë ka dështuar.

Që në vitin 2011 Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues kufirin e atëhershëm prej pesë për qind në zgjedhjet për Parlamentin e BE-së. Parlamenti funksionon edhe me shumë parti të vogla, ishte në 2011 përgjigja e gjykatësve kushtetues. "Ndërhyrja e rëndë në parimet e barazisë së të drejtës elektorale dhe barazisë së shanseve të partive politike nuk mund të justifikohet në sfondin e raporteve ekzistuesve ligjore dhe reale", ishte formulimi i vendimit të gjykatësve në 2011.

Kush tjetër përfiton nga vendimi

Hans Herbert von Arnim

Hans Herbert von Arnim

Sipas përfaqësuesit të paditësve Hans Herbert von Arnim, në vitin 2009 për shkak të klauzolës bllokuese shkuan kot 2,8 milionë vota të zgjedhësve. Kthyer në mandate partitë e vogla do të kishin marrë tetë nga gjithsej 99 mandatet. Edhe pse shanset për partitë e vogla nuk janë patjetër të mëdha, të paktën pas vendimit të sotëm ato janë realiste. Të gjitha partitë që kishin ngritur padi tani mund të shpresojnë që të hyjnë në Parlamentin e BE-së. Dhe lista është e gjatë: krahas ÖDP-së, Zgjedhësve të Lirë dhe Piratëve, në bankën e paditësve është e NPD.

"Kështu në Parlamentin e BE-së mund të ulen disa parti të cilat nuk i përgjigjen mainstream-it të mendimit politik në Gjermani", thotë Timm Beichelt, profesor në Universitetin Evropa në Viadrina. Se cilat do të jenë pasojat e mundshme të këtij vendimi e tregon një shembull nga e kaluara e afërt. "Gjatë zgjedhjeve evropiane në 1984 Fronti Nacional arriti relevancë mbarëkombëtare. Në këto zgjedhje kjo parti hyri për herë të parë në një Parlament, pikërisht në Parlamentin e BE-së, dhe këtë bazë partia radikale e djathtë e shfrytëzoi për t'u etabluar në Francë", thotë Beichelt.

ÖDP dhe NPD kanë vërtet të njëjtin objektiv në aspekt juridik në këtë çështje, por Sebastian Frankenberger nga ÖDP nuk pranon që partia e tij të krahasohet me partinë ekstremiste të djathtë: "Fakti që padi ngrenë edhe disa parti ekstremiste të cilat më mirë do t'i shihnim të ndaluara, është problemi i demokracisë sonë parlamentare, e cila nuk ia ka dalë mbanë t'i klasifikojë ato si antikushtetuese", thotë Frankenberger.

Sebastian Frankenberger

Sebastian Frankenberger

Dy objektiva konkurrues

Por çfarë roli kanë klauzolat bllokuese dhe kur janë ato legjitime? Rezultati elektoral i zgjedhjeve për parlamentin federal për shembull në rastin më të mirë duhet të konkludojë në krijimin e një qeverie. Për të lehtësuar këtë proces vendosen klauzola bllokuese. Sa më pak forca politike me një numër të madhe votash hyjnë në parlament, aq më i lehtë është krijimi i një koalicioni. "Një pjesë e votave të zgjedhësve vërtet përjashtohet nga klauzola bllokuese por objektivi është të krijohet një qeveri dhe kjo vazhdimisht bazuar në barazinë e të drejtës së votës", thotë Beichelt.

Ky problem nuk ekziston në nivelin e BE-së pasi Parlamenti i BE-së nuk zgjedh asnjë qeveri. "Objekti i krijimit të qeverisë në këtë rast nuk është konkurrues. Marrja parasysh e të gjitha votave është kështu shumë më e rëndësishme", thotë Beichelt.

Ndryshim drejtimi i Gjykatës Kushtetuese

Sitzungssaal im Europaparlament Brüssel

Salla e Parlamentit Europian në Bruksel

Në vitin 1979 klauzola bllokuese ishte ende e ligjshme. Asokohe Gjykata Kushtetuese e argumentoi atë në thelb me shmagien e fragmentimit partiak dhe mosdëmtimit të funksionalitetit të Parlamentit të BE-së në punën e tij.

35 vjet më vonë gjërat duken ndryshe. Parlamenti i BE-së është sot krej ndryshe nga ai në vitin 1979. "Atëherë ai ishte një instancë thjesht këshëllimore. Por që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Lisbonës ai është thuajse një ligjvënës me të drejta të barabarta", thotë eksperti i së drejtës Frank Schorkopf.

Vitet e fundit ka pasur shumë vendime për klauzola bllokuese në zgjedhje, si p.sh. në zgjedhjet komunale. Edhe për to kufiri bllokues u hoq. "Këto vendime mund të shihen si një orientim i ri i rëndësishëm i së drejtës elektorale", thotë Schorkopf.