1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Netanjahu Grundsatzrede

15 Qershor 2009

Një katalog kërkesash përpara se të arrihet në krijimin e një shteti palestinez. Ai u prezantua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe korri reagime pro e kundër.

https://p.dw.com/p/IA2I
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu mbajti të dielën në mbrëmje (14.6.) në Universitetin Bar-Ilan në Tel-Aviv një fjalim themelor mbi konfliktin në Lindjen e Afërme
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu duke mbajtur në Universitetin Bar-Ilan në Tel-Aviv të dielën në mbrëmje (14.6.) një fjalim themelor mbi konfliktin në Lindjen e AfërmeFotografi: AP

Fjalimi i pritur me shumë interes i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu nuk shënoi kthesën e madhe për paqen në Lindjen e Afërme që shpresohej nga shumëkush. Netanjahu e konsideron të mundshëm një shtet palestinez, por vetëm pa ushtri dhe pa sovranitet në hapësirën ajrore. Presidenti i SHBA-së Barack Obama e cilësoi fjalimin si një hap të rëndësishëm në rrugën drejt paqes, ndërkohë që pala palestineze e refuzoi menjëherë katalogun e kushteve të Netanjahut për krjimin e shtetit të pavarur palestinez. Në Evropë reagimet ndaj fjalimit të Netanjahut ishin të përmbajtura. Ministri i Jashtëm francez Kouchner e përshëndeti "perspektivën" e skicuar nga Netanjahu për një shtet palestinez.

Çfarë kërkon Netanjahu?

"Nëse pranojmë këtë garanci të çmilitarizimit dhe rregullat e nevojshme për sigurinë nga këndvështrimi izraelit, dhe nëse palestinezët e pranojnë Izraelin si shtetin e popullit hebre, ne do të jemi të gatshëm për një rregull të vërtetë për paqen, për të arritur në një zgjidhje që sheh një shtet të çmilitarizuar palestinez në krah të shtetit hebre", tha Netanjahu.

Në një fjalim prej rreth 30 minutash kryeministri Netanjahu përmendi edhe disa çështje thelbësore të konfliktit në Lindjen e Afërme. Problemi i refugjatëve palestinezë p.sh. duhet të zgjidhet jashtë kufijve të Izraelit, tha Netanjahu. Jeruzalemi duhet të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit. Palestinezët kërkojnë një ndarje të qytetit. Ata kërkojnë që pjesën lindore të Jeruzalemit ta bëjnë kryeqytet të Palestinës.

Asnjë ndryshim lidhur me ngulimeve hebreje

Edhe sa u takon ngulimeve në Jordanin Perëndimor kryeministri izraelit nuk iu afrua asnjë hap pozicionit të presidentit të SHBA-së Obama. Obama i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur qeverisë izraelite, t'i japë fund pa përjashtime ndërtimit të ngulimeve hebreje. Lidhur me këtë Netanjahu deklaroi: "Deri tani ne nuk kemi ndërmend të ngremë ngulime të reja apo të zgjerojmë territorin e ngulimeve ekzistuese. Por është e rëndësishme që banorëve t'u mundësohet një jetë normale, nënat dhe baballarët të mund të rrisin fëmijët e tyre si në të gjitha familjet e botës. Banorët e ngulimeve nuk janë armiq të popullit dhe as armiq të paqes. Ata janë motrat dhe vëllezërit tanë."


Kryeministri Netanjahu kërkon "t'u mundësojë jetë normale" kolonëve, ai synon pra të lejojë të ashtuquajturën "rritje të natyrshme" brenda ngulimeve ekszistuese. Presidenti Obama nuk është i gatshëm t'i pranojë këto lëshime. Presidenti i palestinezëve Abaz ka përsëritur disa herë se ai është i gatshëm për bisedime për paqe, vetëm nëse ndërtimi i ngulimeve ndërpritet pa përjashtime.

Vendosmëri kundër negociatave me Hamasin

Netanjahu foli me vendosmëri kundër negociatave me Hamasin islamik. Përgjegjësinë për situatën në Gaza e mbajnë autoritetet autonome palestineze, tha Netanjahu.

"Palestinezët duhet të marrin para së gjithash një vendim themelor. Ata duhet të zgjedhin mes rrugës së paqes dhe rrugës së Hamasit. Eshtë detyrë e autoriteteve autonome palestineze të rivendosin ligjin dhe rendin në Rripin e Gazës dhe të kontrollojnë Hamasin. Izraeli nuk do të negociojë me terroristë që kërkojnë ta shkatërrojnë."

Kritika të ashpra nga pala palestineze

Autoritetet autonome palestineze e kritikuan ashpër fjalimin e Netanjahut. Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat i hodhi poshtë me vendosmëri kushtet e Natanjahut për paqe në Lindjen e Afërme. Kryeministri izraelit sipas Erekatit, ka vënë kushte të reja për negociatat. Ai kërkon zgjidhje të njëanshme të konfliktit dhe nuk është i interesuar në bisedime të vërteta për paqe. Netanjahu, tha Erekat, nuk ka pranuar asnjë shtet palestinez. Ai ka vënë një sërë kushtesh që bëjnë të pamundur një shtet palestinez të pavarur dhe sovran. Një nga këshilltarët e presidentit palestinez, Nabil Abu Rudeineh, tha se me fjalimin e tij Natanjahu saboton përpjekjet për paqe në rajon.

Autor: Sebastian Engelbrecht/Eliana Xhani
Redaktoi: Pandeli Pani