1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë marrëveshje tregtare mes BE dhe SHBA

Bernd Riegert / E. Xhani17 Nëntor 2013

Ende asnjë rezultat në bisedimet për marrëveshjen e tregtisë mes BE dhe SHBA. Të gjitha çështjet janë ende të hapura. Mbrojtja e të dhënave nuk ishte temë një herë për një herë.

https://p.dw.com/p/1AIrp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pesë ditë u konsultuan delegacionet e të ngarkuarve me tregtinë nga SHBA dhe të Komisionit të BE-së në Bruksel, për tregtinë e lirë në dy anët e Atlantikut. Ishte raundi i dytë pas hapjes së bisedimeve në Uashington në verë. Rezultate konkrete apo një kthesë në çështjet shumë komplekse, nuk njoftohen. Drejtuesi i negociatorëve amerikanë Dan Mullaney përdori fjali diplomatike: "Ne patëm këtë javë një takim shumë të suksesshëm dhe produktiv në një atmosferë konstruktive dhe pozitive. Ky raund i dytë na dha mundësinë të njihemi më mirë me me këndvështrimet e palës tjetër."

Zyrtarisht nuk bëhet e ditur asgjë pasi negociatat për "Partneritetin Transatlantik në Tregti dhe Investime" (TTIP), zhvillohen në fshehtësi. Të gjitha materialet mbajnë vulën e dokumenteve sekrete. Në Evropë ato i dorëzohen vetëm deputetëve të përzgjedhur në Parlamentin Evropian. Në SHBA rreth 600 persona kanë të drejtë të njihen me përmbajtjen e tyre. Fjala është për përfaqësues të grupeve lobiiste, shoqatave të ekonomisë dhe deputetë të Kongresit, me të cilët të ngarkuarit me çështjet e tregtisë duhet të konsultohen rregullisht. Kundërshtarët e globalizimit nga grupi Attac apo edhe Greenpeace e kritikojnë fshehtësinë rreth këtyre negociatave dhe kërkojnë më shumë transparencë. Mandati negociues, me të cilin vepron Komisioni i BE-së, është shfaqur ndërkohë në internet në mënyrë anonime. Në Bruksel negociatorët i përkasin një grupi prej 400 përfaqësuesish të ndryshëm interesash. Rekomandimet e tyre duhet të jenë pjesë e bisedimeve, por se në çfarë forme, mbetet informacion konfidencial. Edhe kryenegociatori i BE-së, Ignacio Garcia Bercero, mbeti evaziv në deklaratën për shtyp, për ecurinë e bisedimeve: "Besoj se hodhëm një tjetër hap përpara. Mundëm të gjejmë të përbashkëtat dhe në raundet që do të pasojnë do të merremi vërtet me tekstet."

Kryenegociatorët Bercero dhe Mullaney
Kryenegociatorët Bercero dhe MullaneyFotografi: Reuters

Kërkohet bërja publike e negociatave

Eurodeputeti Christian Engström nga "Partia Pirate" suedeze, u rikujtoi negociatorëve të Komisionit të BE-së se Parlamenti Evropian pas protestave masive la të dështonte marrëveshja e tregtisë ACTA në 2012. ACTA merrej me mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe patentat. Edhe atëherë shkak për refuzimin e marrëveshjes u bë mungesa e transparencës. "Shumë njerëz janë të interesuar tani për marrëveshjen e tregtisë. Kjo është pozitive. Por me fshehtësinë dhe aksesin e kufizuar tek dokumentet për vetëm disa parlamentarë, Komisioni i BE-së po bën të njëjtat gabime si atëherë", tha Engström në një debat në Parlament për marrëveshjen e tregtisë së lirë.

Shoqata konsumatorësh, fermerë ekologjikë, mbrojtës të ambjentit dhe kundërshtarë të tregtisë së lirë në SHBA dhe Evropë, janë bashkuar për të arritur dështimin e marrëveshjes së gjerë TTIP. Në një letër të hapur javën e kaluar drejtuar presidentit të SHBA, Barack Obama dhe Presidentit të Komisionit të BE-së, Jose Barroso, grupet e protestës kërkojnë të mos ndiqen vetëm interesat e koncerneve të mëdha, por të mbrohen edhe të drejtat e konsumatorëve, fermerëve, punëmarrësve dhe grupeve në mbrojte të ambientit.

Si në SHBA ashtu edhe në Evropë ekzistojnë frikëra se marrëveshja e re mund të sjellë ulje të standardeve në sigurinë e ushqimeve, farërave, mbrojtjen e klimës dhe mbrojtjen e të dhënave dhe pronës intelektuale. Negociatori i BE-së Ignacio Garcia Bercero siguroi se kjo nuk do të ndodhë: "Ne u zotuam sërish se nuk do të ulim standardet e larta për mbrojtjen e konsumatorit dhe ambjentit."

Së shpejti më lehtë: eksportet e makinave nga BE në SHBA dhe anasjelltas
Së shpejti më lehtë: eksportet e makinave nga BE në SHBA dhe anasjelltasFotografi: Getty Images

Ekonomia pret stimuj rritjeje

Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) nuk ka shqetësime të tilla. Stefan Mair nga BDI deklaroi në Berlin se pritet që "të ketë zgjidhje veçanërisht sa i takon rregullave dhe standardeve më të thjeshta, të cilat t'u vijnë në ndihmë sipërmarrjeve tona në tregtinë me SHBA". Industria shpreson leje më të thjeshta për produkte nga të dy anët e Atlantikut. Bujqësia amerikane kërkon të eksportojë më shumë mish të trajtuar me hormone dhe drithëra të ndryshuara gjenetikisht. Ndërsa evropianët kërkojnë më shumë mbrojtje të dhënash për konsumatorët, të cilët hyjnë në marrëdhënie biznesi me sipërmarrje amerikane. "Jam i bindur se me vullnet të mirë politik nga të dy palët, mund të arrihet një marrëveshje, e cila të marrë parasysh pikat e ndjeshme nga të dy anët", u shpreh me optimizëm Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso, në fillim të bisedimeve. Negociatat nuk kanë të bëjnë vetëm me produkte industriale, por para së gjithash me shërbime dhe investime reciproke, të cilat për nga vëllimi janë disa herë më të larta se vetëm tregtia me mallra industrialë.

Marrëveshja, në rast suksesi në negociata duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së dhe nga 28 vendet anëtare. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve marrëveshja transatlantike do të sillte një rritje vjetore të performancës ekonomike prej 110 miliardë eurosh në BE dhe 100 miliardë euro në SHBA.