1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Askush nuk do t'i japë fund NSA-së!"

Në Senatin e SHBA ka një inisiativë për të kufizuar masat e përgjimit: një grup ekspertësh ka evidentuar pikat e dobëta të agjencisë së spiunazhit me jashtë NSA.

NSA duhet të ndryshojë. Në komisionin e ekspertëve për reformën e shërbimit të fshehtë më të fortë në Amerikë, ndryshe nga Kongresi, mbizotëron unitet për këtë. Edhe kryetari i komisionit të drejtësisë në Senat, Patrick Leahy, i mbështet në këtë opinion specialistët e përzgjedhur nga Presidenti Barack Obama: "Jam i bindur se duhet t'i vendosim kufij më të fortë fuqisë përgjuese të shtetit", tha demokrati në hapje të seancës së pyetje-përgjigjeve. Por autorët e punimit me 308 faqe me titull "Liria dhe Siguria në një botë në transformim", nuk deshën të formulonin kaq ashpër.

Raporti nuk shërben për të shkatërruar NSA-në, por për ta përmirësuar atë, siguroi konstitucionalisti Cass Sunstein, gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve. "Dhe ne theksojmë se asnjë prej 46 rekomandimeve në raportin tonë nuk ka synim të reduktojë apo rrezikojë në ndonjë farë mënyrë aftësinë e saj." Ajo që synohet është ngritja e "rrjeteve të sigurisë kundër kërcënimit nga njerëz të brendshëm" dhe plotësimi i boshllëqeve ligjore, "të cilat deri tani e kanë bërë të vështirë survejimin e të dyshuarve". Por pavarësisht kësaj, dëftesa për shërbimin e fshehtë me jashtë, i cili kritikohet për mbledhjen masive të të dhënave personale të qytetarëve, është pjesërisht jo pozitive.

Më shumë respekt për vendet e tjera

Instanca e përbërë nga dy konstitucionalistë, një ekspert të mbrojtjes së të dhënave, ish zv/drejtori i CIA-s Michael Morell dhe eksperti në luftën kundër terrorit Richard Clarke, ia pati dorëzuar që në dhjetor raportin Shtëpisë së Bardhë. Morell foli për një keqintrepretim të medieve dhe një pjese të opinionit publik në SHBA, nga i cili është krijuar përshtypja se Komisioni rekomandon fundin e programit të NSA-së: "Nuk e kemi bërë këtë. Ne kemi rekomanduar ndryshimin e mënyrës së veprimit."

Në foto, Barack Obama

Në foto, Barack Obama

Jo vetëm në SHBA. Ndër rekomandimet e grupit të ekspertëve bën pjesë edhe kufizimi në të ardhmen i fushatave të përgjimit edhe jashtë vendit. Dhe jo vetëm sa i takon kryetarëve të qeverive. Specialistët i propozojnë Obamës veç kësaj që drejtori i ardhshëm i shërbimit ushtarak të jetë një civil, i cili të zgjidhej nga Senati. Veç kësaj fushat e përgjegjësisë së tij duhet të ndahen dhe jo si deri tani të mbulohen dy fusha: fusha e sigurisë kibernetike dhe ajo e aftësive sulmuese të NSA.

"Merrini të dhënat nga kompanitë e telefonit"

Ndryshimi më i rëndësishëm substancial sipas mendimit të ekspertëve ka të bëjë megjithatë me programin e të dhënave 'meta', me të cilin NSA mbledh pa dallim të dhëna të komunimit me telefon dhe internet të qytetarëve. Programi u bë publik në qershor të vitit të kaluar pas zbulimeve të informatorit Edward Snowden. Morell pranoi se është plotësisht e drejtë ajo që kritikët vënë në dukje vazhdimisht: ky program deri tani nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në pengimin e akteve terroriste. "Por programi mjafton të jetë një herë të vetme i suksesshëm, për t'u bërë i domosdoshëm", shpjegoi ai.

Për juristin e Harvardit Sunstein, bëhet fjalë për një menaxhim të qartë të rreziqeve të ndryshme: "Fillimisht për rrezikun e sigurisë kombëtare, por edhe për humbjen e besimit të opinionit publik, të sferës private, të vlerave ekonomike dhe rrezikun për një qeveri demokratike." Grupi i ekspertëve i rekomandon qeverisë t'ia lërë firmave të telekomunikacionit biznesin e mbledhjes së informacioneve. Atje të dhënat mund të ruhen për një afat të caktuar dhe në rast nevoje të kërkohen. Një propozim të cilin aktivistët për të drejtat qytetare e cilësojnë thjesht masë kozmetike. Ndërsa për të tjerë ai shkon shumë larg.

Një proces i gjatë

Pavarësisht se çfarë planesh për reforma do të njoftojë vërtet të premten (17.01.) Presidenti Obama, zbatimi has në kufizime. Për pjesën më të madhe të masave të propozuara atij i duhet mbështetja e Kongresit. Por ashtu si opinioni publik në SHBA edhe Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati janë të ndarë në qendrimin ndaj planeve për reforma, thotë bashkëpunëtori i vjetër i CIA-s Fred Fleitz: "Në Kongres ka shumë pakënaqësi nga të dy palët", thotë ish anëtari i komisionit parlamentar për shërbimin e fshehtë.

Në foto, Fred Fleitz

Në foto, Fred Fleitz

"Ka një aleancë të çuditshme mes politikanëve të djathtë dhe të majtë, të cilët duan të reduktojnë programin për të dhënat meta dhe t'i vendosin kufij të rreptë disa praktikave të NSA-së, pasi besojnë se kështu veprojnë në të mirë të drejtave qytetare amerikane. " Shumë prej tyre mund ta bllokonin reformën, pasi nuk shkon aq thellë sa duan ata. Ndërsa të tjerë rebelojnë pasi druhen se cënohen standardet e sigurisë të SHBA, thotë Fleitz. "Është edhe një projektligj shumë i fortë, ndërpartiak në komisionin e Senatit për shërbimin e fshehtë, i cili kërkon të përmirësojë programin e NSA dhe të largojë shqetësimet rreth tij, pa e ndaluar."

Fleitz i jep mundësi të mira këtij projektligji. Deri atëherë mund të kalojë megjithatë shumë kohë dhe hapat e parë reformues për NSA nuk do të jetë e lehtë të zbatohen. Disa ekspertë dyshojnë nëse Obama do të përjetojë gjatë mandatit të tij një NSA të reformuar.