1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Asiem El Difraoui: "Ne i kemi nënvleftësuar islamistët"

Për të luftuar me efikasitet Xhihahdizmin duhet forcuar në masë bashkëpunimi europian. Europa duhet t'i mbështesë vendet në hapësirën jugore të Mesdheut, mendon Asiem El Difraoui..

DW: Çfarë sinjali jepet nga sulmet në Belgjikë?

Asiem El Difraoui: Në fokus është Belgjika. E natyrisht synohet të goditet Brukseli, kryeqyteti i Europës e kësisoj të preken të gjithë europianët. Ajo që të habit, është neglizhenca e policisë belge dhe në bashkëpunimin në nivel europian. Njerëzit pas arrestimit të Abdeslam para katër ditësh dhanë shumë lëvdata, ndonëse atje u gjetën ndezës bombash e në radarin e shërbimeve të sigurisë u shfaqën edhe njerëz të tjerë, për të cilët askush nuk dinte asgjë deri në atë çast. E megjithatë policia p.sh. ndryshe nga situata pas sulmeve në Paris në nëntor, ku përjetuam një përmirësim të menjëhershëm të masave të sigurisë, kësaj here nuk e vendosi gjendjen e alarmit në shkallën e sipërme.

A është nënvleftësuar forca goditëse dhe niveli i organizimit të ekstremistëve apo Xhihadistëve?

Natyrisht, është nënvleftësuar prej të gjithëve. Ndonëse ishte befasi, që ishin kaq shumë njerëz që kishin të bënin me këtë. E pas këtij arrestimi duhet të ishte marrë me mend, që do të kishte celula të tjera - pikërisht sepse francezët kanë qenë të involvuar në këtë dhe ditët e fundit ka pasur aksione të dështuara.

Kuptohet, që askush nuk do tani t'i kritikojë hapur belgët. Por ky ishte një neglizhim prej tridhjetë vjetësh. Vetëm sa për ta kujtuar: edhe përgatitja e sulmeve të 11 shtatorit është komanduar nga Molenbeek. Asokohe një ekip i rremë xhirimi hodhi në erë udhëheqësin afgan të aleancës veriore.

Çfarë duhet bërë tani?

Në radhë të parë duhet të forcohet bashkëpunimi europian, e kjo në mënyrë masive. Europa duhet të mendojë, se si të arrihet një bashkëpunim i vërtetë masiv dhe i dobishëm, jo vetëm për të luftuar terrorin, por në radhë të parë për ta parandaluar atë dhe radikalizimin.

Por prej vitesh Europoli/Interpoli bashkëpunojnë lidhur me këtë çështje - ku qendron problemi?

Me sa duket ende nuk ekziston vullneti i mjaftueshëm politik, për të hequr dorë nga sovraniteti nacional, ligjet sovrane. Kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe.

A mos vallë ende nuk janë kuptuar strukturat e organizimit të tyre dhe mentaliteti i tyre?

Ato kuptohen gjithnjë e më mirë, por nuk zhvillohet një debat publik lidhur me këtë. Belgjika nuk ka një politikë parandaluese. Koordinatori European i Anti-Terrorizmit Gilles de Kerchove para një viti tha, se duhet të rikuperohen shumë gjëra. Por këtë tani më në fund ai edhe duhet ta bëjë! Në këtë drejtim duhet të ndihmojnë edhe gjermanët.

Çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë, a ka arsye për t'u shqetësuar më shumë?

Situata e rrezikut është relativisht e lartë. Dihej që të tilla gjëra do të ndodhnin. E këto do të vazhdojnë të ndodhin. Por ato do të pakësohen, nëse ne të gjithë qendrojmë në një linjë dhe bashkëpunojmë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të kthehemi në nivele të shtetit nacional dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të biem në panik!

Në ç'kontekst ka të bëjë kjo me IS?

Ne kemi Xhihadizmin dhe ky është nënvleftësuar prej tridhjetë vjetësh. Ne tani merremi me IS, që unë e cilësoj si DAESH. Por nuk është vetëm DAESH. Ka edhe shumë grupime të tjera. Kjo është një ideologji e prapambetur dhe mjaft e përhapur, dhe ne nuk e luftojmë atë bashkarisht. Por pikërisht në hapësirën jugore të Mesdheut tek fqinjët tanë ajo ka shumë rrënjë social-ekonomike. Ne si europianë nuk i kundërvihemi me një politikë të përbashkët në rrënjë Xhihadizmit. Ne na duhet një politikë solidare me vendet në hapësirën jugore të Mesdheut, ku Xhihadizmi ende vazhdon të ketë shumë viktima. Atje ne nuk bëjmë asgjë. Kjo është një dëshmi e dështimit europian!

Pra më shumë bashkëpunim me fqinjët europianë dhe bashkëpunim në politikën e sigurisë në Europë? A mjafton kjo?

Në radhë të parë ne na duhet një plan Marshall për Mesdheun jugor, ku krijohet terreni pjellor për Xhihadizmin.

A do të shënojnë këto atentate një kthesë në debatin për refugjatët?

Ekstremistët duan në radhë të parë të polarizojnë. Ne nuk duhet të biem në polarizim. Nisur nga ajo që xhihadistët na njohin ne më mirë, se sa ne i njohim ata, ata përpiqen vazhdimisht ta përçajnë shoqërinë tonë. Ata përpiqen të nxisin frikën. Pikërisht në këtë kurth nuk duhet të biem ne!

Asiem el Difaouri është politolog gjermano-egjiptian i specializuar në fushën e Xhihadizmit dhe propagandës xhihadiste në internet.