1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ashton në Tiranë - BE i shqetësuar për procesin zgjedhor

Shqipëria të shmangë retorikat nacionaliste për të ruajtur rolin e saj tradicional konstruktiv në rajon. Ashtoni rikujton rëndësinë e zgjedhjeve si matëse për cilësinë e demokracisë në Shqipëri.

Catherine Ashton në Tiranë

Catherine Ashton në Tiranë

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013 në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare ishte mesazhi kryesor që Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë për politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe njëherazi Zëvendës-Presidente e Komisionit Evropian dha në vizitën disa orëshe që zhvilloi dje (16.04.) në Tiranë, në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor.

Në përfundim të takimeve që ajo zhvilloi me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Rama, ajo tha në një deklaratë për mediat se: “ Zgjedhjet janë testi kryesor për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe për progresin e saj në procesin e integrimit europian”

Vizita e Ashtonit në Tiranë erdhi një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve dhe votimit të maxhorancës së djathtë, me kërkesë të PD, pro lirimit nga detyra në KQZ të anëtarit të këtij komisioni Ilirian Muho, përfaqësues i LSI. Muho largohet nga Komisioni si pasojë e daljes së LSI-së nga bashkëqeverisja me PD dhe bashkimit në koalicion zgjedhor me PS në opozitë.

“BE është i shqetësuar për pasojat e mundshme të votimit të djeshëm në Parlament lidhur me besimin e votuesve në procesin zgjedhor”, deklaroi Ashton.

Ajo e argumentoi këtë shqetësim me përgjegjësinë që duhet të tregojnë të gjitha forcat politike për të siguruar pavarësinë e institucioneve “ për të garantuar kështu besimin e qytetarëve tek institucionet “ theksoi ajo.

BE – mbështetje dhe monitorim për procesin zgjedhor

Krahas theksimit të rëndësisë që zgjedhjet parlamentare të qershorit do të kenë për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, shefja e diplomacisë europiane rikonfirmoi angazhimin e BE në mbështetjen dhe monitorimin e tyre, "...për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm , në linjë me standartet europiane dhe ndërkombëtare”.

Elementë kyç për progress drejt BE – dialogu konstruktiv dhe kompromisi

Në vizitën e saj në Tiranë, Catherine Ashton vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria në dy dekadat e fundit.” Shqipëria është sot një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë dhe i NATO-s. BE është shumë i përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Shqipërise dhe dëshiron që Shqipëria të ketë progress, por progresi në rrugën drejt BE është në duart tuaja.” Si elemente thelbësorë në këtë process ajo vlerësoi dialogun konstruktiv mes palëve dhe vullnetin për kompromis. Por jo vetëm kaq. “ BE, tha Ashtoni ka nevojë të shohë një historik të qëndrueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”

BE – pritshmëri të larta nga Shqipëria lidhur me rolin e saj në rajon.

Shefja e diplomacisë europiane tha gjithashtu se roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon ka qënë dhe mbetet përherë i vlerësuar nga BE. “Për të ruajtur dhe vazhduar këtë rol tradicional duhet të shmangen retorikat nacionaliste, që rajoni të ecë përpara. Shqipëria duhet të vazhdojë rolin e saj në rajon si një aktore e ndershme dhe konstruktiuve .

Bashkë me rikonfirmimin e mbeështetjes nga BE ajo tha se vizita në Tiranë është një “mesazh pritshmërie të lartë nga Shqipëria si një vend potencial për kandidat për në BE qe duhet te ndërmarrë sfidat e procesit integrues." Shefja e diplomacisë europiane Catherine Ashton mbriti në Tiranë nga Podgorica, për të vijuar me vizitën në Shkup.

Autore: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi