1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ashton në Prishtinë: Të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, tha në Prishtinë se është arritur një përparim i dukshëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E rëndësishme është që të zbatohen të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Shefja e diplomacisë Evropiane, Catherine Ashton, takoi të enjten (14.03.20139 në Prishtinë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe disa nga liderët e partive politike opozitare. Një takim të veçantë fillimisht Ashton E zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa, një takim tjetër zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike opozitare dhe përfaqësuesit e pakicave. Të dyja takimet ishin me dyer të mbyllura, ndërsa, vetëm një komunikatë e shkruar nga presidenca sqaron shumë pak për rrjedhën e takimit. "Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, baronesha Catherine Ashton, theksoi rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe vlerësoi konstruktivitetin e palëve në këtë proces. Ajo tha se është arritur një përparim i dukshëm në dialog dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura", thuhet në komunikatën e presidencës së Kosovës, që citon nga takimi mes presidentes Jahjaga dhe baroneshës Ashton. Ajo ka thënë se në prill do t'i raportojë Këshillit Evropian mbi marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre në dialogun Kosovë-Serbi.

Jahjaga: Procesi i dialogut nuk ka hapur çështje në lidhje me statusin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nga ana e saj, e vlerëson vizitën e zonjës Ashton në Kosovë duke theksuar rëndësinë e kontributit të saj, në procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka si synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. "Procesi i dialogut nuk ka hapur çështje të tjera që lidhen me statusin ose ato që mund të rrënojnë arritjet e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare. Marrëveshjet e arritura deri tash janë një bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit", citohet të ketë thënë presidentja Atifete Jahjaga.

Asociacioni i komunave serbe pa mandat legjislativ dhe ekzekutiv

Kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton në një konferencë shtypi tha, se me baroneshën Ashton janë pajtuar që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. "Në këtë moment jemi në një fazë të fillimit të fundit për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të gjendjes në veri të Kosovës, që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe fillimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës", tha kryeministri Thaçi. Kryeministri foli edhe për çështjen më të diskutuar kohët e fundit, atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që sipas tij "ky asociacion do të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pa asnjë mandat legjislativ, ekzekutiv, apo të pushtetit të tretë", por ai nuk saktësoi nëse për këtë ka rënë dakord edhe pala serbe.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në Prishtinë qëndroi vetëm dy orë, për t'u nisur menjëherë më pas në një vizitë në Beograd, ku ajo takon presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrin Ivica Daçiq.