1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashton në shënjestër - Seancë pyetjesh për ministren e re të Politikës së Jashtme të BE-së

12 Janar 2010

Krerët e qeverive janë marrë vesh për britaniken Catherine Ashton si Përfaqësuese e re për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian. Por para miratimit deputetët e Parlamentit Evropian skërmitën edhe njëherë dhëmbët.

https://p.dw.com/p/LRhv
Në seancë dëgjimore - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton. 11.1.2010.
Në seancë dëgjimore - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton. 11.1.2010.Fotografi: AP

Si Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton do të jetë simboli numër një i Bashkimit Evropian. Nuk është për t'u habitur që komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian, do ta dijë mirë se kë ka para vetes.

Salla plenare e Parlamentit të BE-së, Bruksel.
Salla plenare e Parlamentit të BE-së, Bruksel.Fotografi: DW

Andrew Duff, raportuesi i Parlamentit për seanca dëgjimi të kandidatëve, përmblodhi paraprakisht për gazetarët atë çka ka rëndësi për parlamentin në këtë mes. Vetëkuptohet, tha ai, që kandidati duhet të zotërojë fushën e vet dhe të jetë në gjendje që të punojë mirë në skuadër. Por bëhet fjalë edhe për diçka tjetër, tha Duff: "Në do të shohim besueshmërinë e këtyre njerëzve, do të shohim nëse janë të pastër financiarisht. Një njollë korrupsioni do të na bëjë që t'i kërkojmë kryetarit të Komisionit Barroso që të mendohet edhe një herë."

Ashton: e kaluara ime në CND nuk është sot relevante

Në rastin e Ashtonit deputetët interesohen para së gjithash për të kaluarën e saj. Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë ajo ka qenë aktive në lëvizjen britanike CND (Fushata për Çarmatim Bërthamor), e cila anagzhohej për një çarmatim të njëanshëm bërthamor. Madje për njëfarë kohe Ashton ka qenë edhe arkëtare. Disa deputetë pyesin nëse CND-ja mbështetej prej qeverive komuniste të asaj kohe dhe nëse për arsye të angazhimit të saj të atëhershëm Ashtoni është e përshtatshme si përfaqësuesja më e lartë për politikën e përbashkët të sigurimit të Bashkimit Evropian. Kandidatja kaloi nga mbrojtja në sulm: "Mendoj se relevanca e viteve shtatëdhjetë nuk është relevanca e 2010-ës. Propozimet e atëhershme, që qenë pjesë e një lëvizjeje shumë më të madhe botërore nuk janë relevante sot, dhe unë nuk jam më anëtare e CND-së që prej 28 a 29 vjetësh, e kam harruar se sa kohë ka."

Disa pyetje dhe vërejtje të deputetëve ishin formuluar ashpër. Për shembull ajo që tha konservatori britanik Geoffrey van Orden: "I bëj pyetjen vetes nëse keni vizituar ndonjëherë një njësi ushtarake, përveç ndoshta Greenham Common-it (një bazë raketash britanike, ku në vitet tetëdhjetë zhvilloheshin protesta të CND-së)."

Prioritet - hartimi i një politike strategjike të përbashkët

Ashtoni nuk iu përgjigj provokimeve. Edhe pyetjeve më të ashpra iu përgjigj me qetësi, me qartësi dhe pa probleme, në disa raste edhe me humor. Por përgjigjet ishin tërë kohën të përgjithshme. Një shembull ishte përgjigjja ndaj pyetjes së besnikërisë, pra se ç'qëndrim kishte Ashtoni në rast konflikti të qartë opinionesh midis Këshillit të BE-së dhe Komisionit.

Logo - Komisioni i BE-së në Bruksel.
Fotografi: DW

"Çështja për mua nuk qëndron në të qenët në atë pozicion. Për mua ka rëndësi që me ndihmën tuaj të bashkoj Këshillin me Komisionin për të arritur ngritjen e një politike strategjike të përbashkët" - u shpreh Ashton.

Por fjalë të tilla boshe nuk janë faji i Ashtonit, ato janë rezultat i sistemit. Prej Ashtonit pritet që të formulojë gjithnjë një qëndrim të përbashkët si të Këshillit të Bashkimit Evropian ashtu edhe të shteteve anëtare, një mbyllje e të gjitha rrugëve në mënyrë të dyfishtë. Për këtë arsye ajo nuk mund t'i lejojë vetes një mendim të qartë të vetin.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani