1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ashton e Thaçi të zhgënjyer me Daçiçin

Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë që dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar në këtë proces. Megjithatë i rikujton Serbisë se nuk ka kompromise.

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, shprehu keqardhje për vendimin e qeverisë së Serbisë për të refuzuar nënshkrimin e marrëveshjës për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.  Megjithatë, ajo i bëri thirrje Serbisë që “të bëjë përpjekjet e fundit për të arritur një marrëveshje në të mirë të njerëzve të tyre”. E zhgënjyer është shprehur edhe qeveria e Kosovës. “Propozimet e dhëna nga BE ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës, pas vendimit të qeverisë së Serbisë.

Qeveria e Kosovës beson se dialogu është zgjidhja e vetme dhe ajo mbetet e përkushtuar në këtë proces. Por rikujton qeverinë e Serbisë që “Kosova ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisaari”, duke lënë të kuptohet që kompromise të tjera nuk ka. Qeveria e Serbisë vendosi unanimisht të hënën me 08.04, që mos ta nënshkruajë marrëveshjen, sepse ajo sipas saj “nuk garanton  sigurinë dhe të drejtat e njeriut”. “Parimet e propozuara  nuk garantojnë siguri të plotë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut të serbëve në Kosovë. Një marrëveshje e tillë nuk mund të zbatohet dhe nuk do të sillte një zgjidhje finale dhe të qëndrueshme“, tha kryeministri Ivica Daçiq, në mbledhjen e qeverisë së Serbisë duke kërkuar nga Bashkimi Evropian vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën.

Taktikë e Serbisë për të nxjerrë ndonjë koncesion të fundit

Në Prishtinë, vendimi i qeverisë së Serbisë për të mos pranuar marrëveshjen e ofruar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën po përshkruhet si mungesë e guximit të këtij vendi për të ecur përpara. Këshilltari i lartë politik i kryeministrit Thaçi, Bekim Çollaku, i tha DW, se “Serbia ende vazhdon të mbetet peng i së kaluarës”. “Vendimi i së hënës i qeverisë së Serbisë, do të jetë një vendim i përkohshëm, sepse, në të njëjtën kohë Beogradi ka kërkuar nga  baronesha Ashton, që sa më shpejt të vazhdojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Bekim Çollaku. Por ai nuk e di sesi do të veprohet më pas.

“Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk është i  interesuar të mendojë se ky proces ka dështuar dhe për këtë fakt nuk mund të themi asgjë, sepse askush nuk është pajtuar me faktin që ky proces mund të dështojë edhe sipas bindjes së të gjitha palëvë të përfshira, procesi nuk mund të dështojë”, thotë Bekim Çollaku. Ai shprehet optimist që në ditët e ardhshme baronesha Ashton do të këshillohet dhe do të bëjë rekomandimet dhe veprimet adekuate se si do të zhvillohen gjërat më tutje.

Qëndrimi i Serbisë nuk i befason opinionistët në Kosovë

Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës

Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës

Analistët politikë ndërkaq nuk befasohen  me vendimin e qeverisë së Serbisë. Afrim Hoti, profesor i së  drejtës ndërkombëtare  në Universitetin e Prishtinës, tha për DW se “për Serbinë është e vështirë ta njohë realitetin në Kosovë”. “Serbia me këto bisedime me këtë  marrëveshje është në “pat-pozicion”, sepse një qëndrim pro marrëveshjes do ta fuste qeverinë e Serbisë në rrugën e pakthim të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, thotë Afrim Hoti. Nga qëndrimi i qeverisë në Beograd nuk janë befasuar as zyrtarë të  tjerë të lartë politik në Prishtinë. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se Serbia ka pasur sjellje të ngjashme gjithmonë.

“Me Beogradin edhe kur jemi marrë vesh, realisht s'jemi marrë vesh. Ne nuk mund të ndikojmë se cilin qëndrim do ta mbajnë zyrtarët e lartë as të Bashkimit Evropian, e as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova ka për obligim të shtrijë autoritetin e saj ligjor edhe në veri të Kosovës", thotë Jakup Krasniqi. Shumica e subjekteve politike opozitare thonë se Kosova ka bërë lëshime për komunitetet në vend dhe ajo çfarë ofron plani i Marti Ahtisaarit është maksimumi i mundshëm që mund të jepet edhe për pakicën serbe.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi