1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ashpërsohet qëndrimi ndaj Damaskut - BE përgatit sanksionet

Presioni ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar Al Asad po rritet. Sanksionet e BE-së për ta detyruar regjimin sirian të bëjë ndryshimet e duhura politike janë në përgatitje e sipër. Ndërkohë dhuna në Siri vazhdon.

Ushtria demonstroi forcën të premten (29.04) në qytetin kryengritës sirian Daraa

Ushtria demonstroi forcën të premten (29.04) në qytetin kryengritës sirian Daraa

Pas konsultimeve të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së të premten (29.04) në Bruksel, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka kërkuar marrjen sa më shpejt të masave të ndëshkimit për regjimin sirian. "Ajo që kërkohet është vendosja e shpejtë e sanksioneve" tha Westerwelle për gazetën gjermane "Tagesspiegel" ditën e shtunë. Krahas një embargoje armësh, ministri gjerman përmendi edhe ngrirjen e pasurive të udhëheqjes siriane dhe kufizime në udhëtim. Në të njëjtën kohë duhet të suspendohet projektmarrëveshja e asociimit të BE-së me Sirinë, kërkoi ai. Rezultatin e bisedimeve të së premtes në Bruksel, ministri i Jashtëm gjerman e përshëndeti si një sinjal të qartë për udhëheqjen në Damask.

Guido Westerwelle duke folur para mediave

Guido Westerwelle duke folur para mediave

BE gati për sanksione

Ambasadorët e vendeve të BE-së, të premten në mbrëmje vendosën parimisht për një embargo armësh kundër Sirisë. Një vendim përfundimtar pritet në ditët e ardhshme, po ashtu edhe detajet e sanksioneve mbetet të përcaktohen këto ditë. E ngarkuara e Bashkimit Evropian për punët e jashtme, Catherine Ashton deklaroi se synimi është të detyrohet udhëheqja siriane për ndryshime politike. Ndërkohë edhe Këshilli për të drejtat e njeriut i OKB-së kërkoi një hetim për shkeljen e mundshme të të drejtave të njeriut në Siri. Nga qeveria siriane kërkohet lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë dhe heqja e kufizimeve të medieve dhe shfrytëzimit të internetit.

Të premten ishin të parat Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vendosën sanksionet kundër regjimit të presidentit Baschar al-Assad. Sanksionet drejtohen kundër përfaqësueve të ushtrisë siriane dhe shërbimeve sekrete, sidomos shërbimit të fuqishëm sekret sirian (GID). SHBA vendosi sanksione edhe kundër njësisë El-Kud të gardave revolucionare iraniane. Kjo trupë mbështet Damaskun në shtypjen e protestave u tha në Uashington.

E ngarkuara e BE-së për politkkën e jashtme, Catherine Ashton

E ngarkuara e BE-së për politkkën e jashtme, Catherine Ashton

Sa mundësi ndikimi ka perëndimi në Siri

Perëndimi ka relativisht pak mundësi ndikimi në Siri. Ajo që mund të bëhet janë dënimi i dhunës dhe sanksionet ekonomike, mendon Mahjoob Zweiri, ekspert për Lindjen e Mesme në Universitetin e Katarit: "Për shkaqe të ndryshme në Siri nuk mund të ndërhyhet ushtarakisht. Mundësia e vetme mbetet presioni ekonomik. Por në këtë mënyrë shtrohet edhe pyetja: çfarë dëshiron perëndimi? Të zgjidh krizën duke ruajtur pushtetin e regjimit aktual në Siri apo ndërrimin e regjimit?", thotë Zwiri.

Vëzhguesit thonë se rrëzimi i regjimit sirian nuk mund të përjashtohet, por deri në këtë moment, po qe se punët vijnë deri në këtë pikë, mund të kalojnë javë madje edhe muaj.

Ndërkohë dhuna në Siri ka vazhduar edhe të premten. Qytetarët sirianë dolën me dhjetëra mijëra nëpër rrugë, megjithë ndalimin e demonstratave nga Ministria e Brendshme. "Kërkesat tona janë: Të drejtat e njeriut, liria dhe fundi i pushtimit të Daraas. Gjithashtu duhet të mos qëllohet më me municion të rëndë kundër demonstruesve", tha një demonstrues të premten. Njoftimet e agjencive flasin për rreth 62 të vdekur vetëm të premten.

Autor: AG/Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM