1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ashpërsohen frontet në konfliktin atomik?

Në konfliktin mbi programin atomik të Iranit palët mbahen fort në pozicionet e tyre. Bisedimet që zhvillohen në Moskë midis Teheranit dhe të grupit të ashtuquajtur G+1 gjenden ndërkohë para ndërprerjes.

default

Presidenti iranian Mahmud Ahmaxhinexhad

Asnjëra palë nuk u bën lëshime tjetrës. Nga njëra anë Bashkimi Evropian refuzon të heqë sanksionet kundër Iranit. Embargo e naftës do të hyjë në fuqi më 1 korrik, bëri të ditur një zëdhënës i të ngarkurës së BE-së me Politikën e Jashtme, Catherine Ashton. Nga ana tjetër Irani këmbëngul në të drejtën për të pasur program atomik civil, duke përfshirë edhe pasurimin e uranit. Këtë duhet ta pranojë grupi 5+1 (pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit: Rusia, SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Kina si dhe Gjermania).

Për çfarë bëhet fjalë në grindjet me Iranin?

Në qendër të konfliktit është pasurimi i uranit. Ndërkohë që Teherani këmbëngul se e përdor materialin atomik për qëllime civile, shumë shtete mendojnë se ne të vërtetë kemi të bëjmë me prodhimin e uranit i cili mund të përdoret për armë atomike. Nxjerrja e së vërtetës është detyrë e Zyrës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (IAEO), inspektorët e të cilës nuk lejohën të bëjnë hetime në Iran.

Sergej Lavrov dhe Saad Jalili

Sergej Lavrov dhe Saad Jalili

Për këtë çështje zhvillohen bisedime mes Iranit dhe grupit i ashtuquajtur 5+1. Grupi kërkon që qeveria iraniane të lejojë kontrollin e përgjithshëm dhe t' i japë fund pasurimit të uranit deri në 20 përqind. Kjo është tema e bisedimeve që do zhvillohen të hënën dhe të martëm (18./19.6.2012) në Moskë.

Çfarë duhet pritur nga takimi i Moskës?

Nuk duhet pritur shumë. Në fund të muajit maj, bisedimet filluan sërish në Bagdad, pas një viti ndërprerjeje. Ato përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete. Edhe qeveria gjermane nuk mendon se në Moskë do të arrihet kthesa e shumëpritur. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme foli për "fillimin me sukses të bisedimeve parimore në Bagdad, që duhet të shoqërohet me hapa konkrete në Moskë, në mënyrë të të krijohet besimi."

Përse nuk arrihet marrëveshje?

Një përgjigje e mundshme për këtë pyetje do të ishte: Sepse tema është shumë komplekse. "Edhe vetë pakti për ndalimin e armëve bërthamore është ambivalent," thotë Christian Tuschhoff, politolog në Universitetin e Lirë të Berlinit. Sepse pakti për bllokimin e armëve ndalon përdorimin ushtarak por lejon përdorimin civil të energjisë bërthamore – dhe kufiri midis këtyre të dyjave është shumë i vështirë të vendoset, sidomos kur bëhet fjalë për pasurimin e uranit.

Catherine Ashton dhe Saad Jalili

Catherine Ashton dhe Saad Jalili

Një përgjigje tjetër thotë se: Irani punon i patrazuar në zhvillimin e armëve bërthamore. Vërtet që Irani ka nënshkruar paktin për ndalimin e armëve bërthamore, i cili ndalon këtë. Por kjo nuk do të thotë shumë, mendon eksperti për çështjet e sigurisë Tuschhoff: "Në momentin kur dilet nga pakti është shumë më e vështirë të mbulosh aktivitete të tilla, se sa kur je brenda paktit."

A ka dëshmi që tregojnë se Irani synon armën bërthamore?

Jo. Megjithatë pasurimi i uranit mjafton për të ushqyer dyshimet. "Për Iranin nuk do të kishte kuptim të pasuronte uran për qëllime civile, sepse një gjë e tillë është shumë e shtrenjtë dhe mbidimensionale", analizon Michael Brzoska, drejtor i Institutit të Hamburgut për studimet e paqes dhe sigurisë. Zyra e Kombeve të Bashkuara për kontrollin e armëve bërthamore tregon në raportin e fundit të nëntorit 2011 për shenja " që tregojnë se aktivitetet për zhvillimin e një ndezësi nuklear janë relevante". Edhe sjellja e Iranit zgjon dyshime. Pasurimi i Iranit u mbajt sekret për një kohë të gjatë. Aktualisht, inspektorët e energjisë bërthamore nuk kanë leje të shkojnë tek impianti Parchin, ku bëhen provat për ndezësin atomik. Pamjet e marra nga satelitët tregojnë se atje janë shkatërruar ndërtesa për të shuar gjurmët.