1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Ashpërsimi i rregullave për mbajtjen e armëve; përpjekjet për shpëtimin e sipërmarrjes gjermane Opel.

"Ndarja nga koncerni amë amerikan General Motors është hapi i parë për shpëtimin e Opelit nga falimentimi."

default

Shpresë për Opelin

Gazeta "Berliner Zeitung" përqendrohet tek vendimi i miratuar në kabinetin qeveritar për ashpërsimin e rregullave për mbajtjen e armëve.


"Kompromisi i arritur është vetëm arnim i pastër. Sportistë, që merren me qitje edhe më tej lejohen të mbajnë në shtëpi armë të kalibrit të rëndë. Ata duhet të llogarisin me kontrolle të mundshme të organeve të shtetit, të cilat do të shikojnë se si dhe ku po mbahen armët. Mirëpo për shkak të mungesës së personelit secili prej tyre do të kontrollohet mbase një herë në 10 vjet, ndërkohë që kontrollori nuk ka të drejtë të futet në banesë pa pëlqimin e pronarit. Gjoja ashpërsimi i rregullave nuk është kurrfarë ashpërsimi. Vendimi i koalicionit qeveritar e bën të qartë se këto parti politike kanë frikë nga mundësia e humbjes së votave të pronarëve të armëve. Ndërkohë që frika pas shpine kurrë nuk ka mundësuar një politikë të mirë", konstaton "Berliner Zeitung".


Ndërsa gazeta "Express", që botohet në Köln, më shumë vëmendje i kushton zhvillimeve të fundit lidhur me ndërmarrjen e prodhimit tö automjeteve Opel. Komentatori i saj beson se mbi 25.000 punëtorëve të Opelit dje u ka rënë një gur i madh nga zemra.


"Ndarja nga koncerni amë amerikan General Motors është hapi i parë për shpëtimin e shpresuar nga falimentimi të markës tradicionale të automjeteve. Kalimi i të gjitha reparteve në Evropë, patentave dhe teknologjisë në emrin e Opelit do të lehtësojë një fillim të ri. Tani mungojnë paratë, në kërkimin e të cilave duhet ruajtur gjakftohtësia. Koncepti për shpëtimin e Opelit duhet të jetë i plotë. Taksapaguesit në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë ata, të cilët duhet të sigurojnë rimëkëmbjen e Opelit", konstaton gazeta e Kölnit.


Edhe gazeta "Frankfurter Rundschau" beson se vendimi i djeshëm i GM për kalimin e reparteve evropiane tek Opeli paraqet një lehtësim drejt kapërcimit të krizës. "Nga rruga është mënjanuar një pengesë e madhe, sepse koncerni amë e ka hapur rrugën për ndarjen e afarizmit në Evropë. Vendimi është marrë në kohën e duhur, sepse pa këtë vendim krijimi i një koncerni në Evropë do të ishte shumë më i vështirë e ndoshta edhe i pamundur. Mirëpo kjo nuk do të thotë se janë zgjidhur të gjitha problemet", konstaton "Frankfurter Rundschau".

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica






  • Data 28.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HzEk
  • Data 28.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HzEk