1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asetet e Kosovës në Serbi e Mal të Zi - çështje ekonomike apo politike?

20 Shkurt 2010

Kosova ka mbi 155 prona të ndërmarrjeve publike jashtë territorit të saj, pjesa më e madhe e tyre janë në Serbi dhe Mal të Zi. Prishtina dhe Beogradi gjatë bisedimeve për statusin kanë diskutuar shumë pak për këtë temë.

https://p.dw.com/p/M6of
"Trepça", një nga ndërmarrjet publike kosovare me asete jashtë territorit të vendit.
"Trepça", një nga ndërmarrjet publike kosovare me asete jashtë territorit të vendit.Fotografi: Filip Slavkovic

Ekspertët e ekonomisë, thonë se zgjidhja e kontesteve për asetet e Kosovës në Serbi, duhet kërkuar edhe në rrugë diplomatike. Por këtë rrugë sipas tyre e vështirëson fakti se Kosova dhe Serbia nuk komunikojnë me njëra - tjetrën.

Ndërmarrjet publike kosovare, nuk po mund t'i kthejnë nën administrimin e tyre asetet që i kanë jashtë territorit të Kosovës kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi, asete këto të trashëguara nga ish-Jugosllavija. Ndër ndërmarrjet më të mëdha janë kompleksi metalurgjik “Trepça”, Korporata Energjetike e Kosovës, “Agro-Kosova”, Eximkos”-i por edhe një numër i madh i subjekteve të atëhershme ekonomike, që kanë qenë të shtrira me prona jashtë territorit të Kosovës. Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ylli Kaloshi, shpjegon për Deutsche Welle-n: “Sipas të dhënave që ka deri më tash Agjencia Kosovare e Privatizimit, janë 55 ndërmarrje shoqërore që kanë më shumë se 155 asete në ish-republikat jugosllave, kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi.”

Stacioni elektrik në Obiliq i KEK-ut.
Edhe KEK-u ka asete jashtë territorit të Kosovës.Fotografi: Zulfija Jakupi

Gjiganti industrial “Trepça” ka pasur një fabrikë në Vojvodinë, Banka e Kosovës, e njohur me emrin Bankos, po ashtu ka pasur filialet e saj në Beograd dhe në Ulqin. Në Mal të Zi, Kosova ka pasur edhe pushimoren për punëtorë e fëmijë. Shumë prej këtyre ndërmarrjeve, besohet se tash nuk ekzistojnë fare apo janë pronë e dikujt tjetër.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, thotë, se kjo agjenci ka probleme në komunikimin me vendet fqinje, për të zgjidhur çështjen e aseteve. Këtë sipas tij duhet ta bëjnë me një angazhim më të lartë institucionet e Kosovës: “AKP mendon se duhet të ndërmerren hapa konkretë për të rritur ndërgjegjësimin e institucioneve të Kosovës, që ato të kërkojnë komunikim ndërshtetëror në sferën diplomatike, duke trajtuar çështjen e aseteve të Kosovës jashtë territorit të saj."

Ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se procesi i identifikimit të pronave të ndërmarrjeve kosovare jashtë vendit, është i vonuar. Gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Vjenë, kjo çështje është diskutuar shumë pak dhe meqenëse Prishtina dhe Beogradi nuk arritën ndonjë marrëveshje, atëherë bisedimet për asetet e Kosovës jashtë territorit të saj kanë mbetur pa ndonjë zgjidhje. Shpend Ahmeti, nga Institutit për Studime të Avancuara, thotë se ky problem është më shumë i natyrës politike: “Ai është problemi kryesor që kemi pasur. Ato nuk mund të privatizohen, pa u zgjidhur problemet politike. Kjo është diskutuar shkurtazi në negociatat e Vjenës; nuk ka pasur zgjidhje. Ne kemi diskutuar vetëm për ndarjen e borxhit të Kosovës dhe nuk kemi diskutuar për asetet, siç kanë diskutuar republikat tjera të ish-Jugosllavisë.”

Pamje nga Podgorica
Mali i Zi ka njohur Kosovën shtet, por a do të njohë edhe pronësinë e saj mbi asetet kosovare në territorin e tij?Fotografi: DW/Canka

Njëri nga pjesmarrësit në bisedat e Vjenës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte edhe profesori Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest. Në një intervistë të mëhershme dhënë Deutsche Welle-s, profesor Mustafa pati thënë, se në këto bisedime më shumë është theksuar çështja e borxheve të Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Sipas tij, çështja e borxheve nuk është e vetmja që duhet të adresohet: “Nuk është vetëm çështja e borxheve që ka mbetur pa u rregulluar në marrëdhëniet reciproke ekonomike Kosovë-Serbi. Në bisedimet e Vjenës, krahas borxheve është paraqitur e çështja e obligimeve të Serbisë për dëmet e shkaktuara në vitet '80, për mosinvestimin në Kosovë, për shkatërrimin e industrisë, dëmet e luftës, pagat e humbura, fondet pensionale dhe çështje të tjera. Pra janë një mori çështjesh që duhet të diskutohet dhe të zgjidhen. Kosova ka shprehur gatishmëri që të hapë këtë debat, por Serbia deri tash ka konsideruar, se ajo është pronare e borxheve dhe aseteve edhe të Kosovës, dhe në një situatë të re shpresohet që Serbia do të jetë më konstruktive për të gjetur një zgjidhje."

Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë, se për kthimin e aseteve të Kosovës që janë jashtë territorit të saj, të trashëguara nga ish- Jugosllavia duhet vepruar siç kanë vepruar ish-republikat e tjera të Jugosllavsië, siç janë Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Këtë sipas tyre duhet ta bëjnë juristët kosovarë duke shfletuar ligjet ndërkombëtare dhe ligjet e vetë Serbisë. Në rastin e Kosovës ata thonë, se duhet edhe një angazhim diplomatik, në mënyrë që mekanizmat ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Serbinë që të hapen bisedat dhe të sqarohet se cilat janë asetet e Kosovës në Serbi. Një gjë e tillë duhet të bëhet edhe me Malin e Zi, i cili e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani