1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Asadi nuk ka dëshirë ta lëshojë postin e presidentit

Në Siri zhvillohet një lufte civile e përgjakshme, megjithatë do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Asadi nuk ka kandiduar zyrtarisht, por askush nuk dyshon, se pushtetari i vjetër do të jetë edhe i riu.

150.000 të vdekur, gjashtë milionë të zhvendosur brenda vendit dhe 2.6 milionë të tjerë, që janë larguar nga Siria. Ky është rezultati i trishtuar i luftës në Siri pas më shumë se tre vjetësh. Pjesë të mëdha të vendit janë bërë shkrumb e hi, sundon dhuna, njerëzit janë të traumatizuar. Megjithë situatën katastrofike zëdhënësi i parlamentit Mohamed Jihad Al-Laham njoftoi të hënën (21.04.2014) zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale me 3 qershor. "U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës Arabe të Sirisë, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre, që duan të vënë kandidaturën për postin e presidentit sirian, të regjistrohen deri 1 maj."

Diskutim në parlamentin sirian për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale

Diskutim në parlamentin sirian për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale

Pas këtij njoftimi erdhi një rrëbesh kritikash nga mbarë bota. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon dhe ndërmjetësuesi për Sirinë Lakhdar Brahimi i bënë thirrje regjimit, që t'i mendojë edhe një herë planet. Në këtë mënyrë mund të mbyllet edhe dera e fundit për zgjidhje diplomatike, thanë ata. Deputeti i të Gjelbërve në parlamentin gjerman Omid Nouripour, foli për refuzim e Asadit ndaj qeverisë kombëtare provizore. Opozita kërkon dorëheqjen e Asadit dhe krijimin e një qeverie të përkohshme. Dhe Jennifer Psaki, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme amerikane, i quajti zgjedhjet e ardhshme një "parodi të demokracisë."

Kandidatët rivalë pa perspektivë për sukses

Që sundimtari Bashar al-Asad do të kandidojë sërish, konsiderohet e sigurt, edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar. Nuk ka dyshim se ai del fitues i zgjedhjeve, sepse parlamenti në Damask vendosi bazat për rizgjedhjen e tij që në mes të marsit. Ai aprovoi një ligj të ri zgjedhor, që përjashton faktikisht opozitën në mërgim. Sepse të gjithë kandidatët sipas ligjit duhet të kenë jetuar dhjetë vitet e fundit në Siri. Shumë opozitarë kanë ikur jashtë vendit para shumë kohësh për shkak të represionit të shtetit. Ky do të ishte mandati i tretë i Asadit. Ai erdhi në pushtet në vitin 2000 pas vdekjes të babait të tij Hafez al-Assad.

Nga rrethet opozitare u tha, se këto zgjedhje nuk mund të merren seriozisht. Del pyetja, se çfarë aktori do të vendosë Asad si kandidat rival, thotë Monzer Akbik, përfaqësues i koalicionit kombëtar të forcave revolucionare dhe opozitare siriane. "Assad nuk ka aktualisht legjitimitet për të qeverisur vendin dhe nuk do ta ketë atë as pas këtyre zgjedhjeve të inskenuara."

Vetëm në disa pjesë të vendit votohet

Kandidatura dhe fitorja e tij konsiderohen të sigurta: Pushtetati Asad

Kandidatura dhe fitorja e tij konsiderohen të sigurta: Pushtetati Asad

Nuk është ende e qartë, se si do të zhvillohen zgjedhjet në vendin e shkatërruar nga lufta, apo si do mund të votojnë të gjashtë milionë të zhvendosurit brenda vendit. Sirianët, që jetojnë jashtë vendit, sipas zëdhënësit të parlamentit Al-Laham mund të votojnë në ambasadat siriane më 28 maj. Por në disa shtete ambasadat siriane janë mbyllur për shkak të luftës. Kështu që jo të gjithë sirianët mund të marrin pjesë në zgjedhje.

Në vend mendohet që do të votohet vetëm me qytetet, që konsiderohen si qendra të qeverisë. "Asadi dëshiron që të rizgjidhet nga njerëzit, që jetojnë në territorin e tij", thotë Volker Perthes, drejtor i Institutit për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin. Për sundimtarin aksi strategjik drejt bregdetit ka rëndësi të veçantë. Territori i Sirisë është në fakt i ndarë. Por Asadi kontrollon qytetet më të populluara në linjën mes Damaskut dhe bregdetit, duke përfshirë edhe disa pjesë të Alepos.

Vendi nuk bashkohet

Në twitter janë shfaqur ndërkohë fotografitë e para të një posteri zgjedhor, ku duket Bashar al-Asadi pranë parullës "Dorë për dore për ta ndërtuar Sirinë." Nën hashtagun # AssadCampaignSlogan përdoruesit e twitterit shprehin zemërimin e tyre duke përhapurparulla cinike për fushatën: "Për shkak se liria mbivlerësohet gjithsesi", shkruan një përdorues. Një tjetër shkruan: "Voto për mua, ose do të të vras."

Monzer Akbik i opozitës nuk i merr dot seriozisht zgjedhjet

Monzer Akbik i opozitës nuk i merr dot seriozisht zgjedhjet

"Kush bën tani zgjedhje, ai e ndan edhe më tej vendin dhe nuk përpiqet ta bashkojë atë", thotë eksperti i Lindjes së Mesme Perthes. Zgjedhjet e shpallura janë një sinjal për opozitën, se asgjë nuk do të ndryshojë dhe se ai nuk do të heqë dorë nga posti i tij. "Janë edhe një shenjë për OKB, se Asadi dhe regjimi i tij nuk janë të gatshëm për t'u angazhuar seriozisht në proceset e tranzicionit." Përkundër të gjitha kritikave Ban dhe Brahimi vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje të tragjedisë siriane, theksoi zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric.

Vetëm Irani dhe Arabia Saudite mund të ndihmojnë

Edhe kjo është e nevojshme. Sepse lufta vazhdon me të njëtat përmasa. SHBA janë duke shqyrtuar, nëse regjimi i Assadit, apo opozita kanë përdorur armë kimike në zonat e banuara. Ministria e Jashtme në Uashington njoftoi se ka prova për përdorimin e një "lënde toksike industriale". Ajo është me sa duket një substancë, që nuk gjendet lart në listën e inspektorëve të OPCW. Organizata për ndalimin e armëve kimike (OPCW) kishte njoftuar kohët e fundit se rreth 80 për qind e armëve kimike siriane ishin hequr apo shkatërruar.

"Lufta nuk mund të fitohet ushtarakisht nga asnjëra palë", thotë Volker Perthes. Vendi mund të bashkohet vetëm me ndarjen e pushtetit dhe kompromise politike. Por regjimi, thotë Perthes, nuk do t'ia dijë për këtë. "Do të arrihet vetëm me lëvizje diplomatike, në qoftë se do të arrihet një marrëveshje mes Arabisë Saudite, që mbështet opozitën, dhe Iranit, që mbështet qeverinë në Damask", thotë eksperti i Lindjes së Mesme.