1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Asad: Refugjatët duhet të kthehen në shtëpi

Edhe pse rebelët dhe ushtria janë duke luftuar ende për pushtet në Siri, presidenti Asad u bëri thirrje të gjithë refugjatëve që të kthehen sërish në shtëpitë e tyre - madje edhe atyre të opozitës. Por çfarë i pret ata?

Ne duam t'i ndihmojë të gjithë sirianët që të kthehen në shtëpi. Nuk ka rëndësi në qoftë se ata janë larguar nga vendi në rrugë "legale ose ilegale", sqaroi Ministria e Brendshme në Damask.

Pamje nga kampi i refugjatëve Saatari në Jordani

Pamje nga kampi i refugjatëve Saatari në Jordani

Pavarësisht kësaj thirrjeje ende nuk mund të flitet për paqe në Siri. Në provincën Homs dhe lagjet periferike përreth Damaskut po vazhdojnë luftimet e përgjakshme  mes ushtrisë dhe rebelëve. Madje gjatë ditëve të kaluara ushtria ka dislokuar trupa shtesë në këto rajone, njoftojnë përfaqësues të opozitës. Me sa duket ushtria provon të rikthejë nën kontroll rajonet e pushtuara më parë nga kryengritësit. Vetëm të premten (25.01.) thuhet të ketë pasur të paktën 140 të vdekur.

Aktualisht, ekziston një lloj amullie në luftën civile, që po zgjat pothuajse dy vjet. Edhe pse kryengritësit mund të flasin për suksese ushtarake,  pushteti i presidentit Bashar al-Asad nuk është rrezikuar ende.

Asadi përpiqet t'i japë fund konfliktit

Një zyrtar i lartë i milicisë Hezbollah nga Libani fqinj, e cila mbështetet nga Irani dhe është e afërt me presidentin Asad, tërhoqi vëmendjen, se s'kanë kuptim shpresat e ekzagjeruara. Sheiku Hassan Nasrallah, tha në një fjalim, se ata që ëndërronin për "ndryshime dramatike" në Siri duhet të lenë mënjanë imagjinatën e tyre - "sidomos ata që kanë ëndërruar për një rënie të Damaskut."

Ndërtesë e shkatërruar nga luftimet në Homs

Ndërtesë e shkatërruar nga luftimet në Homs

Thirrja drejtuar refugjatëve për t'u kthyer në shtëpitë e tyre është pjesë e një iniciative të Asadit, përmes së cilës ai dëshiron t'i japë fund konfliktit. Ministria e Brendshme sqaroi se të gjithë anëtarët e opozitës, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në dialogun për pajtimin kombëtar mund të kthehen në Siri. Opozita, megjithatë, nuk u beson premtimeve dhe e refuzon ofertën e bisedimeve. Ajo këmbëngul për dorëheqjen e Asadit.

Që prej fillimit të protestave kundër regjimit të tij në mars të vitit 2011, më shumë se gjysmë milioni sirianë janë larguar për në Jordani, në Turqi dhe Liban. Komisariati i lartë për refugjatë i Kombeve të Bashkuara, UNHCR raportoi se vetëm gjatë këtij muaji mbi 30 mijë refugjatë sirianë kanë kërkuar mbrojtje në kampin e refugjatëve Satari në Jordani. Bëhet fjalë kryesisht për familje dhe njerëz të moshuar. Gjithsej në Jordani janë strehuar 300 mijë sirianë.

Refugjatët raportojnë për dhunë kundër popullatës civile, mungesë të kujdesit mjekësor dhe çmime të larta të ushqimit. Në vendet ku po zhvillohen luftime është shkatërruar infrastruktura, furnizimi me energji elektrike është çrregulluar në tërësi.