1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

As një në dy evropianë nuk e ka dhënë votën

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në fokusin e shtypit gjerman të së hënës. Në përgjithësi komentatorët tërheqin vëmendjen për pjesëmarrjen e ulët në votime duke e vlerësuar këtë si një notë negative për Evropën.

Bruksel, zgjedhjet parlamentare 2009

As një nga dy evropianë nuk e ka dhënë votën

Gazeta "Frankfurter Rundschau" komenton pjesëmarrjen e ulët në këto votime: "Si konkluzion, nga këto zgjedhje ka pasur në radhë të parë një humbëse të madhe: Evropa. As një në dy evropianë nuk e ka dhënë votën. Edhe në Gjermani forcën më të madhe e përbën elektorati që nuk ka votuar. Duhet të shqetësohemi, që vendi, në të cilin bëhet shumica e ligjeve të kontinentit, nuk luan asnjë rol në mendjet e qytetarëve të tij. Duhet të na shqetësojë edhe fakti që deputetët, që vendosin për këto ligje, nuk i kanë prekur zemrat e njerëzve. Duhet të indinjohemi, që shumica e zgjedhësve nuk do t' i njihnin në rrugë kandidatët kryesorë të partive."


E përditshmja "Nordsee-Zeitung" shkruan: "Një gjë ne nuk e kemi kuptuar si duhet. E rëndësishme do të kishte qenë, që vota të jepej dje, në mënyrë që në Evropë të kemi një zë. Këtë e bëri në Gjermani vetëm një pakicë. A është keq kështu? A mos vallë tani ne duhet të ndëshkohemi për këtë? Në të vërtetë jo, sepse ai që bën thirrje për zgjedhje, duhet edhe të sqarojë, përse do të zgjidhet. Në këtë drejtim nuk janë kujdesur sa duhet as partitë në Gjermani, por as edhe Komisioni i BE-së e Parlamenti i BE-së. E kësisoj në votime kanë shkuar, ata që zgjedhjet e lira nuk i shikojnë si diçka e vetëkuptueshme që mund të shpërdorohet me mendjelehtësi, ose kanë shkuar ata që zgjedhjen e Parlamentit në Brukselin e largët, duan ta shfrytëzojnë për të ndëshkuar partitë e konsoliduara."


"Rhein-Zeitung" vëren: "Dje ne kishim mundësi të merrnim pjesë në zgjedhjet më të mëdha të botës perëndimore. Miliona e vlerësuan këtë dhe iu përgjigjën detyrimit të tyre, por shumica e zgjedhësve nuk e kanë kuptuar as vlerën e votës së vet dhe as vlerën e kësaj Evrope paqësore dhe që garanton stabilitet. Ne, prodhuesit e mediave duhet të pyesim veten, nëse - pavarësisht të gjitha debateve të ditës dhe çështjeve të detajuara - raportojmë tek e fundit sa duhet për pozitiven madhore të BE-së. Politikanët dhe Aparati i BE-së duhet të pyesin veten, mos vallë nga zgjedhjet në zgjedhje mjaftohen shumë shpesh vetëm duke u marrë me vetveten. Ndërsa ne zgjedhësit dhe qytetarët duhet të pyesim veten, mos ndoshta jemi ambjentuar pak si shumë me fatin për të jetuar në Evropën më të mirë të të gjitha kohrave." (vfb/dpa/aca)



  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Nq
  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Nq