1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

As ndryshim kursi dhe as kompromis

Daphne Grathwohl / Eliana Xhani24 Maj 2012

Program për rritje ekonomike sipas mënyrës franceze apo kurs gjerman kursimesh? Euro-obligacione apo politikë kombëtare borxhesh? Pyetje të rëndësishme, të cilat mbetën të hapura pas samitit të BE-së.

https://p.dw.com/p/151Wh
Në foto: kryeministri italian Mario Monti, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande.
Samit i karakterizuar nga konfrontimi - Merkel dhe Hollande nuk kanë ende propozime të përbashkëta

"Më shumë rritje" ishte teza e presidentit të ri francez, François Hollande, në takimin e nivelit të lartë të BE-së të mërkurën (23.5.2012). Forcim i tregut të brendshëm dhe reforma të reja strukturore, janë receta e kancelares gjermane Angela Merkel.

"Ndryshimi qendror është në gjetjen e një ekuilibri të ri mes kursit të kursimeve me reforma nga njëra anë dhe impulseve për rritje nga ana tjetër", kështu e përshkruan Janis Emanuilidis nga instituti European Policy Center (EPC) në Bruksel, raportin mes argumenteve të kancelares gjermane dhe presidentit francez.

Shumë diferenca

Kështu për shembull Gjermania refuzon një dhënie direkte kredish shteteve të veçanta nga Banka Qendrore Evropian (ECB), ndërkohë që Hollande dhe të tjerë janë për këtë opsion. Refuzimi gjerman do të vazhdojë, mendon Stefan Seidendorf nga Instituti Gjermano-Francez në Ludvigsburg: "Rinegociimi i statuteve të ECB-së nuk shtrohet për diskutim për palën gjermane. François Hollande dëshiron t'i zgjerojë detyrat e bankës por nuk pranon të rinegociiojë marrëveshjen e Lisbonës."

Euro-obligacionet e kërkuara nga Hollande, pra obligacionet e përbashkëta shtetërore, përkrahen ndër të tjera nga shefi i Eurogrupit Jean-Claude Juncker dhe kryeministri i Italisë Mario Monti. Por Angela Merkel i refuzoi përsëri qartë euro-obligacionet, duke iu referuar rregullave në fuqi, të cilat nuk lejojnë marrjen e përgjegjësive financiare të shteteve të tjera.

"Trysnia mbi Merkelin në rritje"

Pamje simbolike: Euro-obligacionet mbeten të kontestuara
Zgjidhja e duhur? - Euro-obligacionet mbeten të kontestuaraFotografi: K.-U. Häßler/Fotolia/DW

Janis Emanuilidis nga EPC në Bruksel e sheh megjithatë kancelaren gjermane nën trysni sa i takon euro-obligacioneve, si në politikën e brendshme ashtu edhe në nivel evropian. "Numri i partnerëve që i kërkojnë ato është në rritje." Edhe në Gjermani po shtohet numri i ekspertëve të cilët mendojnë se janë të nevojshëm tituj të përbashkët borxhi në Evropë, thotë Emanuilidis.

Trysni ushtrohet edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Në fillim të samitit të BE-së ai kritikoi emetimin së fundi me normë interesi 0 për qind të obligacioneve shtetërore gjermane, ndërkohë që vende të tjera në Evropë duhet të paguajnë më shumë se 6 për qind. "Kjo disbalancë shkatërron Bashkimin Evropian. Për këtë arsye debati për euro-obligacionet është edhe një debat se si duam të mbijetojmë në këtë union", u shpreh më tej Schulz.

Luftë elektorale kombëtare në parketin evropian

Dy përkrahës të euro-obligacioneve: Monti dhe Juncker.
Dy përkrahës të euro-obligacioneve: Monti dhe Juncker.Fotografi: AP

Kancelarja gjermane Merkel nuk pranon të prekë as paktin fiskal, siç kishte kërkuar gjatë fushatës së tij elektorale presidenti francez Hollande. Por Hollande gjendet ende në fushatë elektorale, pasi në qershor në Francë zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Presidenti i ri francez duhet të tregojë rezultate: pakti për rritje ekonomike i kërkuar prej tij është tashmë punë e mbaruar.

Në këtë sfond samiti i majit karakterizohej nga konfrontimi, edhe pse para takimit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive në nivel ministrash u kërkuan linja të mundshme kompromisi, thotë Stefan Seidendorf nga Instituti Gjermano-Francez. Diferencat gjermano-franceze në të kaluarën kanë rezultuar në kompromise me rreze mbarevropiane, thotë eksperti.

"E rëndësishmë është vetëm që tani të shfrytëzohen shumë shpejt instrumentat e njohur për gjetjen e kompromisit", thotë Seidendorf. Duhet hyrë pa vonesë në marrëdhënie pune për të dhënë së shpejti propozime të përbashkëta. Në samitin e ardhshëm të BE-së në fund të qershorit priten rezultate më konkrete.

Zgjedhjet përcaktuese të fatit të Greqisë

Deri atëherë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Greqi do të ndikojnë edhe në politikën e Evropës. Pas fitores në zgjedhjet e majit të partive që kundërshtojnë prerë kursin e kursimeve të kërkuar nga BE-ja, në radhë të parë e aleancës së majtë Syriza, në Evropë po shtohen zërat që diskutojnë daljen e Greqisë nga Eurozona. Në samit Greqisë iu premtua ndihmë e re, si dhe u shpreh dëshira që vendi të mbetet në Eurozonë. Megjithatë kryetarët e shteteve dhe qeverive e paralajmëruan Greqinë që të respektojë marrëveshjet me Trojkën.

Një dalje e Greqisë nga Eurozona nuk është e vështirë vetëm juridikisht; edhe pasojat politike dhe ekonomike do të ishin fatale për Greqinë dhe të paparashikueshme për BE, mendon eksperti Janis Emanuilidis.