1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

As kriza nuk i bashkon të gjitha partitë në Greqi

Kriza edhe rreziku i përshkallëzimit të dhunës po shtrojnë si imperativ arritjen e konsensusit politik. Një çështje jo e lehtë kur sot u mbajt mbledhja e parë pas krizës e krerëve politikë nën drejtimin e presidentit.

'Popuj të Evropës - ngrihuni në protestë!' - parulla të majta në mitingjet në Athinë

'Popuj të Evropës - ngrihuni në protestë!' - parulla të majta në mitingjet në Athinë

Mund t'i kenë përçarë interesat e ngushta partiake, por nuk i bashkon as disfata. Kjo mund të thuhet në një masë të madhe për imazhin, që paraqet aktualisht politika greke, e cila ndërkohë sot hodhi hapin e parë në atë çka kupton dhe aspiron si të domosdoshme edhe qytetari i fundit i vendit për evitimin e katastrofës. Qoftë edhe i cunguar, siç vlerësohet, pasi në takimin me presidentin e Republikës, Papulias u gjenden përveç kreut socialist qeveritar Papandreu që pati edhe nismën, vetëm kreu i opozitës së djathtë Samaras si edhe ai i nacionalistëve Karaxhaferis. Por jo edhe krerët e dy partive të majta parlamentare, sekretarja e Partisë Komuniste Aleka Papariga dhe kryetari i partisë së majtë Siriza, Aleksis Cipras.

Keqardhje për mungesën e së majtës në konsensusin politik

“Në radhë të parë duhej ta shpëtonim Greqinë para se të mund ta ndryshojmë,” deklaroi kryeministri grek Papandreu, duke dalë nga rezidenca presidenciale, ku pas informimit 50-minutësh të ministrit të Financave u diskutua për problemet ekonomike, por edhe reformat institucionale. Pasi tha se “duhet të lemë pas Greqinë e djeshme, të mungesës së transparencës dhe mungesës së meritokracisë, së një sistemi politik që u shërbente vetëm interesave të caktuara dhe jo interesit të përgjithshëm,” kryeministri drejtoi apel për “prezencën e të gjitha partive dhe qytetarëve në zbatimin e programit qeveritar ” dhe shprehu keqardhjen për mungesën në takim të dy krerëve të së majtës.

Ndoshta në takim është arritur diçka më tepër se një konsensus minimal, siç aspirohej, po të gjykojmë dhe nga deklarata e kreut të partisë nacionaliste, Alarmi Ortodoks Popullor, që në vend të “qeverisë ikumenike”, që kërkonte ditët e fundit, foli vetëm për “konsensus ikumenik”. “Kam ndjesinë se në qoftë se bëhen realitet ato që u diskutuan do të mund të kthenim krizën në shans” deklaroi kreu nacionalist Karaxhaferis, partia e të cilit ishte e vetmja nga opozita që votoi paketën e masave qeveritare, por ashpërsoi klimën politike duke sulmuar përditë së fundi të majtën dhe sidomos Partinë Komuniste për nxitje të revoltës popullore dhe mosrespektim të rendit kushtetues.

'Kur vendimet nuk suspendohen dot nga parlamenti, bojkoti është i përgjegjshëm'

Mungesa e së majtës në takim ishte rezultat i “puçit parlamentar”, siç e cilësuan paraqitjen e një amendamenti të marrëveshjes me “troikën” të aprovuar më parë, që i njihte parlamentit vetëm të drejtën për t'u informuar nga ministri i Financave, por jo dhe për të suspenduar vendimet, që do të merren në vijim.

“Kur të gjitha janë vënë në vijë, kur masat e qeverisë janë kyçur dhe ndërmirren puçe parlamentare, atëherë qëndrim i përgjegjshëm është që mos të marrësh pjesë, të mos biesh në ujdi,” deklaroi zëdhenësi i shtypit i partisë Siriza Panos Skurletis.

Një vendim i tillë sigurisht nuk ishte aspak i lehtë për të majtën, kur i duhet të hedhë poshtë si të pabaza akuzat e kundërshtarëve të saj politikë dhe të bindë opinionin e shqetësuar për dobinë e qëndrimit të saj.

“Në thelb e majta heq një vijë ndarëse nga menaxhimi politik i krizës, e cila nuk është vetëm ekonomike, por është edhe thellësisht shoqërore, me qëllim që të afirmohet problemi më i thellë, që është politik dhe shkon tej cakut të personave dhe rreket të prekë institucionet. Një problem i vetë sistemit në lidhje me atë se çfarë ndodhi që vendi arriti në zgrip të greminës,” thekson për DW gazetari i mirënjohur grek Babis Agrollambos. Sipas tij e majta përpiqet të menaxhojë politikisht gjithë valën e revoltës të ditëve të fundit kundër sistemit politik dhe modelit të ndjekur gjithë këto vite.

“Por këtu shtrohet një pyetje: A do të mundet e majta më në fund të menaxhojë politikisht këtë revoltë apo vetë e majta, të dy partitë parlamentare, do të gjendet brenda kornizës së vënies në dyshim të sistemit dhe do të detyrohet të ndryshojë qëndrim në vazhdim?” shtron pyetjen retorike analisti grek.

Ndryshime që do të prekin përditshmërinë e njerëzve

Por duke dhënë shembullin e keq të mungesës së konsensusit, si mundet që politikanët të pretendojnë rolin e arkitektit të konsensusit më të gjerë social që i duhet vendit për zbatimin e programit të rreptë qeveritar? “Shumë e drejtë vërejtja. Politikanët akoma dhe në këto momente të krizës kombëtare, të gjendjes së jashtëzakonshme, krijojnë përshtypjen se nuk kanë njohur përgjegjësinë e tyre. Në qoftë se do të vazhdojnë të sillen kështu, si do të bindin shoqërinë greke të ndjekë rrugën e kursimeve të përgjakshme, të reduktimit të shpenzimeve dhe të masave të padrejta, siç është pranuar në një shkallë të madhe?” thekson Agrollambos.

Bashkëbiseduesi ynë është i mendimit se ashtu si edhe në vendet e tjera,ku janë zbatuar programe stabilizimi nga ana e FMN-së, dhe në Greqi “klasa politike fillon dhe mendohet për të nesërmen”. Ndryshimet sipas tij nuk do të kenë të bëjnë vetëm me personelin politik dhe peisazhin partiak, që të gjithë e pranojnë se shpejt a vonë do të ndryshojë, por me “ndryshime tektonike të lidhura me konceptin si ishim deri dje dhe si do të vazhdojmë të ecim këtej e tutje”. Këtë Greqi të re duan të shohin si shpërblim të sakrificave të tyre qytetarët, që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve dhe pak u intereson fati politik i stablishmentit politik.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktor: Auron Dodi

  • Data 11.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NLK6
  • Data 11.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NLK6