1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

30 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Shqipëri

30 Shtator 2017

Rritja e pranisë së kapitalit privat gjerman në Shqipëri është një ndër preokupimet tona kryesore, thotë për DW ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko.

https://p.dw.com/p/2l0El
Albanien Botschafter in Berlin Artur Kuko
Fotografi: Jutta Benzenberg

DW: 1 tetori 2017 shënon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kur u rivendosën këto marrëdhënie - ende nuk kishte mbaruar Lufta e Ftohtë, pra flasim për vitin 1987 kur nisën kontaktet e para - situata në Europë ishte krejt ndryshe nga sot. Si kanë evoluar këto marrëdhënie dhe si e vlerësoni ju nivelin e tyre sot?

Rivendosja e marrëdhenieve diplomatike midis Shqipërise dhe RFGJ-së ishte një ngjarje që u prit me emocion të veçantë në Shqipërinë e asaj kohe. Zhvillimet që çuan në ndërrimin e sistemit në Europen Lindore sapo kishin filluar dhe në opinionin tonë publik ky moment u perceptua si pjesë e hapjes timide të vendit me botën dhe si një pikënisje potenciale e reformave aq të shumë pritura.

Kam kënaqësinë të konstatoj se marrëdheniet Shqipëri – Gjermani janë zhvilluar në menyre konstante dhe jane rritur progresivisht në aspektin politik. Gjermania i ka qëndruar pranë Shqiperisë në momente të vështira dhe momente të gezuara. Perveç pranisë së investimeve private gjermane, rreth një miliarde euro të taksapaguesve gjermanë janë investuar që prej 1992 në vendin tonë në rrugë, shkolla, spitale e trainime të ndryshme të administratës shqiptare. Gjermania ka qene dhe do të mbetet nje aleat i pazëvendesueshem i ambicjes europiane të Shqipërisë, ashtu siç shoqëroi dhe përkrahu ndër vite udhëtimin shqiptar drejt NATO-s që përfundoi me anëtarësimin tonë ne këtë organizate.

Marrëdheniet aktuale janë të lira nga problemet, konsiderohen të shkelqyera dhe ashtu siç u shpreh së fundi Presidenti gjerman Steinmeier Shqipëria është krenare të jetë "një ndër partnerët më të ngushtë të RFGJ-së në Ballkanin Perendimor".

DW: Vitet e fundit ka pasur një shkëmbim më intensiv të vizitave reciproke në nivelet e larta politike mes dy vendeve. Përse ky ndryshim dhe cili ka qenë impakti i  shkëmbimeve në këto nivele?

Të dyja vendet ndajnë vlera dhe synime të përbashkëta sa i përket promovimit të demokracisë, ekonomisë së tregut dhe stabilitetit në kontinentin europian e veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka një mundësi të gjerë për të përfituar nga përkrahja e RFGJ-së në të gjitha këto fronte. Shkëmbimi i mendimeve në nivele e fusha të ndryshme i ka shërbyer rritjes dhe intesifikimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

DW: Në cilat fusha është më i spikatur bashkëpunimi bilateral?

Sigurisht që bashkëpunimi është i gjerë dhe mbulon një spektër thuajse 360 gradë që shtrihet në ekonomi, politikë të jashtme, ambient, mbrojtje e çështje ushtarake, arsim, drejtësi, institucionet e zbatimit të ligjit e kështu me radhe.

DW: Investitorët gjermanë duket se janë të rezervuar kundrejt Shqipërisë. Cilat janë arsyet sipas mendimit tuaj?

Rritja e pranisë së kapitalit privat gjerman në Shqipëri është një ndër preokupimet tona kryesore. Një punë më intensive për të bërë të ditura potencialet që ofron Shqiperia për investitoret potenciale e shoqëruar me thjeshtim të procedurave burokratike e fiskale në vend do të ndikojë në këtë drejtim. Ne po punojme me Dhomat e Tregtisë së Landeve për të bërë të njohura potencialet e vendit. E fundit por ndoshta jo më pak e rëndesishmja, reforma e sistemit të drejtesisë në vend do të ndikojë dukshëm në rritjen e investimeve direkte private nga RFGJ-ja në Shqipëri.

DW: Si e shihni ju perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe nën dritën e ndryshimeve pas zgjedhjeve si në Tiranë edhe në Berlin?

Marrëdhëniet bilaterale mbështeten në një terren të shëndetshëm dhe ndajnë vlera themelore të përbashkëta gjë që na bën të jemi besimplotë se e ardhmja do të njohë rritje të mëtejshme të këtyre marrëdhenieve.