1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Artizanët e Koblenz-it mbështesin biznesin e vogël në Shqipëri

20 Prill 2012

Përmes mbështetjes që merr nga Ministria për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ajo vijon të mbështesë biznesin e vogël dhe zejet në Shqipëri. Një nga synimet është rritja e kooperimit mes organizatave partnere në rajon.

https://p.dw.com/p/14iUS
Fotografi: Fotolia/Luftbildfotograf

Përfaqësuesit e Dhomës së Artizanatit të Koblenz-it, si organizata e dytë më e madhe në Gjermani prej vitesh është fokusuar në vendet e Europës Juglindore. Nëpërmjet projekteve konkrete përfaqësuesit gjermanë mbështesin kualifikimin në sektorët më jetikë të cilët ndikojne drejtëpërdrejtë në gjallërimin ekonomik.

Ilir Zhilla, president i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, BDHTI, e shikon Dhomën e Artizanatit të Koblenz-it në Gjermani si një partner serioz, sepse sipas tij, vetë natyra rajonale e projekteve nxit kooperimin mes partnerëve të këtyre vendeve, por dhe ndikon në shkëmbimin e përvojave. Parnerët kryesorë në Shqipëri janë BDHTI, Konfindustria Shqiptare dhe Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste, ndërkohë që janë dhe mbi 20 shoqata dhe organizata nga rajoni që punojnë bashkarisht në këtë fushë. Prej më shumë se një dekade nëpërmjet projekteve të Dhomës së Artizanatit të Koblenz-it zhvillohet një kalendar i larmishëm veprimtarish, thotë për DW, Ilir Zhilla.

“Zhvillohen programe shumë të mira trajnimi që kanë tematika nga më të ndryshmet, duke filluar nga servisi i makinave, nga specialitet e ndërtimit si instalimet elektrike, termoizolimet, duke vijuar tek kuzhina, tek sallonet e bukurisë, tek ambjenti etj. Këto trajnime zhvillohen herë në Gjermani herë në vendet tona të rajonit. Këtu përfshihet dhe Shqipëria me dy – tre trajnime në vit”.

Ilir Zhilla, president i BDHTI-së.
Ilir Zhilla, president i BDHTI-së.Fotografi: DW/A. Muka

Ekspertët e shikojnë biznesin e vogël dhe artizanatin si sektorë të favorshëm jo vetëm për të krijuar vende të reja pune, por dhe si një rikthim tek tradita e zejeve që ka qenë e zhvilluar në mjaft rajone të Shqipërisë. Ilir Zhilla president i BDHTI-së shikon në kontributin e palës gjermane efektin që japin programet për të shtuar bashkëpunimin mes vetë organizatave të rajonit.

“Janë shkëmbyer dhe eksperienca direkte mes organizatave tona. Ose nga njohjet që kemi arritur të bëjmë vetë në kuadër të programit kemi aplikuar projekte të përbashkëta me mbështetjen e BE-së. Më e rëndësishmja në të gjithë këtë skemë kooperimi mendoj se është njohja me teknologjitë e reja në fushën e zejtarisë, që duhet thënë se janë të shumta dhe efikase, që ulin kostot e punës së profesionistëve duke krijuar dhe modele të reja për konsumatorët.”

Çdo tre vite Dhoma e Artizanatit të Koblenz-it pasi konsultohet me partnerët rajonalë dhe precizon sektorët më prioritarë që kanë interes konkret, aplikon për mbështetje tek Ministria Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim. Kjo i hap rrugë ndërtimit të axhendës së aktiviteve të përbashkëta ku përfshihen të gjithë partnerët rajonalë.

Për vitin 2012 Shqipëria në kuadër të këtij programi pritet të jetë në muajin tetor mikëpritëse për Konferencën e Zejeve të Ballkanit, një forum që do të mbledhë rreth 40 partnerë nga rajoni dhe Gjermania. Për vetë rëndësinë që ka kjo Konferencë ne kemi nisur prej javësh nga puna duke qenë në kontakt të pandërprerë me të gjithë aktorët pjesmarrës, për ta shndërruar atë në një event frytdhënës, thotë për DW, Ilir Zhilla.

“E reja e këtij projekti është se është pranuar që të jenë si pjestare dhe organizatat e biznesit të zejtarëve të Kosovës, të cilat duhet thënë se kanë organizime cilësore në këtë fushë. Pavarësisht kundërshtimeve nga organizatat serbe tashmë çdo gjë është normalizuar. Por nga sot e deri në tetor kemi dhe mjaft aktivitete të tjera, si psh., në Burgas, kemi në Nish, pra me një axhendë të ngjeshur me 15-20 trajnime që realizohen në vende të ndryshme të rajonit tonë.”

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Elert Ajazaj