1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Artana shembull i mirë i bashkëjetesës

Megjithë sfidat e shumta, përfaqësuesit e komunës së Artanës (Novo Bërdos), thonë se raportet në këtë bashki shumë etnike janë të mira. Të rinjtë serbë luajnë së bashku futboll me moshatarët shqiptarë - pa probleme.

default

Futbolli që na bashkon...

Kryetari i komunës së Artanës, Bajrush Ymeri është i knaqur me gjendjen e raporteve ndëretnike. Në këtë komunë jetojnë rreth pesë mijë banorë. Kryetari i bashkisë thotë se nuk i kujtohet se kur ka ndodhur incidenti i fundit ndëretnik.

“Në fillim të vitit 2000 ka pasur disa probleme të vogla, por që prej vitit 2002 e deri tani, nuk është shënuar asnjë incident. Këtë komunë pesë vjet e kanë udhëhequr serbët, të cilët kanë përbërë shumicën në të gjitha organet drejtuese, dhe nuk ka pasur asnjë problem ndëretnik", thotë ai.

Fjalët e Bajrush Ymerit i konfirmon edhe Marko Markoviq, i Drejtorisë komunale për bashkësitë etnike dhe kthimin e të zhvendosurve.

"Raportet mes të rinjëve janë të shkëlqyeshme. Edhe të vjetrit jetojnë në harmoni mes vete. Çdo mbrëmje ne së bashku me shqiptarët luajmë futboll. Kemi nga pesë apo gjashtë ekipe dhe bashkëpunojmë shumë mirë mes vete. E vetmja që mund të ndodhë është ndonjë shtyrje në futboll, por edhe kjo kalon shumë shpejt“, thotë ai.

Në një fshat të afërt është krijuar klubi futbollistik “Artana”, i cili bënë gara në Ligën e Dytë të Kosovës. Për këtë ekip luajnë edhe katër serbë. Njëri prej tyre është Slobodan Bogdanoviq.

“Janë bërë gati dy muaj që luajmë së bashku. Shkojmë në Prishtinë në palestrën e sporteve "Boro e Ramizi”, shkojmë në Fushë Kosovë dhe Obiliq. Ne të katër serbët luajmë së bashku me shqiptarët dhe kemi raporte super. Kurrë nuk kemi pasur ndonjë problem. Para ca kohësh kemi pasur një turne në Prishtinë ku kemi shkuar çdo të tretën ditë. Kemi bërë gara kundër Prishtinës, Ajvalisë dhe ekipeve të tjera", shpjegon Bogdanoviq.

Ky lojtar thotë se serbët e këtij ekipi në fushën e futbollit kuptohen shkëlqyeshëm me shqiptarët.

“Të gjithë e dimë ngapak gjuhën tjetër - ata serbishten e ne shqipen. Komunikojmë dhe merremi vesh disi. Trajnerët janë shqiptarë, por ata janë pak më të vjetër dhe e dinë shumë mirë gjuhën serbe”, thotë Bogdanoviqi. Në këtë ekipluan edhe Bajram Bajrami, i cili pohon se gjërat po shkojnë shumë mirë.

"Me serbët luajmë futboll së bashku dhe kemi shënuar suksese të mëdha. Ne jemi një shembull i mirë i bashkëjetesës dhe dëshmi se bashkëjetesa mes serbëve dhe shqitparëve në Kosovë është e mundur”, pohon Bajrami.

Ndërsa Bogdanoviqi rikujton se shoku i tij më i mirë aktualisht po ndjekë stërvitjet në Shërbimin Policor të Kosovës. Moshatarëve të tij, pa marrë parasyshë përkatësinë kombëtare, Bogdanoviq u sugjeron: “Duhet të shoqërohemi mes vete. Pa marrë parasyshë të kaluarën, jeta duhet të vazhdojë dhe të shkojë përpara.“

Autor:Refki Alija

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 16.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HrGg
  • Data 16.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HrGg