1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arta Dade: E vështirë që Shqipëria sivjet të ketë shansin për hapjen e negociatave me BE

Pas takimeve në Berlin të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Shqipërisë, kryetarja e këtij komisioni Arta Dade flet për DW mbi marrëdhëniet dy palëshe, reformat, bashkëpunimin në rajon dhe çështjen e refugjatëve.

DW: Të hënën dhe të martën në krye të një delegacioni të Komisionit Parlametar për Politikën e Jashtme qëndruat në Gjermani, ku zhvilluat takime me homologun tuaj në parlamentin gjerman dhe me anëtarë të tjerë të lartë të Bundestagut. Ç'të re solli kjo vizitë, cilat ishin rezultatet e takimeve?

Arta Dade: Ishte një rast i shkëlqyer për Komisionin për Politikë të Jashtme të pritej në një takim pune nga Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Dr .Norbert Rëttgen për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë, bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Peröndimor, marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, sfidat e fundit të sigurisë në lindje të BE, por edhe çeshtjen e refugjatëve nga zonat e konfliktit dhe problemin e azilkërkuesve nga Shqipëria. Për herë të parë patëm një takim me anëtarë të niveleve të larta të Bundestagut dhe mendoj që ky duhet të pasohet nga takime të tjera të institucionalizuara jo vetëm mes komisioneve për politikë të jashtme, por edhe mes komisioneve të tjera respektive. Bashkëpunimi parlamentar është shumë i rëndësishëm, edhe për faktin që deputetët sjellin sensibilitetet e qytetarëve, që përfaqesojnë dhe të opinionit publik, por edhe diskutimet bëhen në frymën e transparencës së plotë dhe larg sofistikimit diplomatik. Eshtë lehtësisht e kuptueshme që autoritetet gjermane vlerësojnë ecurinë e reformave në Shqipëri dhe arritjet në këtë drejtim. Ata njohin rolin e rëndësishëm, që Shqipëria luan në rajon dhe kërkohet që ne të vazhdojmë ta luajmë këtë rol konstruktiv dhe bashkëpunues larg skemave të vjetra të ekstremizmit, që prej vitesh ne i kemi refuzuar duke parë drejt së ardhmes së përbashket të rajonit tonë. Ne vlerësojmë rolin e Gjermanisë në vazhdimësi për konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri, mbështetjen për proceset integruese, si edhe nismën e fundit të Kancelares Merkel lidhur me procesin e Berlinit, gjë e cila mban të hapur perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe nxit qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkepunojnë jo vetëm në nivele politike, por më së pari në projekte ekonomike madhore.

Cilat janë aktualisht prioritetet e marrëdhënieve dypalëshe?

Ka disnivel midis bashkëpunimit në nivele politike, i cili mund të thuhet është i shkëlqyer e që kulmon me vizitën e Kancelares Merkel dhe bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Ka hapësira për më shumë prezencë të bizneseve dhe kapitalit gjerman në Shqipëri.

Delegacioni shqiptar në bisedë me të ngarkuarin për Evropën Qendrore dhe Lindore në zyrën e kancelares Merkel

Delegacioni shqiptar në bisedë me të ngarkuarin për Evropën Qendrore dhe Lindore në zyrën e kancelares Merkel, Joachim Bertele

Në procesin e integrimit evropian Shqipërisë i kërkohet përmbushja e reformave, në sektorin e drejtësisë, luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar, dekriminalizimi i politikës? Kemi në moment aferën e CEZ-it. Ku ndodhet Shqipëria në përmbushjen e këtyre kritereve dhe si vlerësohet ecuria e a saj në këto reforma?

Autoritetet që ne takuam, vlerësojnë përpjekjet në kryerjen e reformave për shmangien e informalitetit apo reforma në fushën e energjisë. Reforma në drejtesi padyshim që përbën sfidën më të madhe edhe si reformë në një sektor tejet të veshtirë, që mund të konsiderohet një nga elementet kryesore të instalimit të kulturës së pandeshkueshmerisë në çështjet e korrupsionit apo abuzivizmit me pushtetin. Ka gatishmëri nga partnerët për mbështetje me ekpertizë. Bashkëpunimi maxhorancë - opozitë për këtë reformë është i mirëpritur si domosdoshmëri që kjo reformë të jetë konsensuale dhe të ketë efekte afatgjata, por edhe rezultate të shpejta pozitive për të ndryshuar rrënjësisht perceptimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombetarë, por më së pari të krijojë besueshmeri te qytetarët se çështjet e tyre zgjidhen përmes gjykatave profesioniste dhe të pakorruptuara.

Lidhur me të ashtuquajturën dekriminalizim të politikes kjo është një çështje më e gjërë se sa thjesht përfshirja apo mospërfshirja në listat partiake për Kuvendin e Shqipërisë të elementeve me rekorde kriminale dhe kjo padyshim është gjë e lehtë për t‘u përmbushur me shpresë se vullneti politik nga të gjitha partitë ekziston.

Në dhjetor do të jetë samiti i BE. Si vlerësohet perpektiva e hapjes së negociatave për pranim?

Axhenda jonë europiane pa asnjë mëdyshje vazhdon të mbetet gur kilometrik në ecurinë e reformave, të cilat janë të domosdoshme jo thjesht se kërkohen nga BE, por sepse ato krijojnë kushte më të mira për rritjen e cilësisë së jetës së shqiptarëve për ta ndjerë Europën këtu e për të mbajturg jallë shpresën se ky vend ka perspektivën e anëtarësimit të afërt, e shqiptarëve nuk u duhet të marrin rrugët nëpër Europë si refugjatë. Eshtë e vështirë që Shqipëria të ketë shansin këtë vit të hapë negociatat për anëtarësim përpos progresit që vlerësohet. Vazhdon të mbetet problem fryma konfliktuale e të bërit politikë e qëndrimet e dyzuara sipas përgjegjësive, që politika ka, kur një parti është në opozitë e kur është në maxhorancën qeverisëse. Për çështje të integrimit e reformave madhore kërkohet pjekuri e lartë politike e konsensus si edhe artikulim i njëzëshëm me partnerët, që nuk rreshtin së mbështeturi Shqipërinë në këtë proces. Përdorimi i procesit të integrimit për kapital politik është i dëmshëm, sepse në këtë proces të dy anët e politikës janë të humbura, kur një palë bëhet faktor frenues e mbi të gjitha të humbur janë shqiptarët. Qeveria gjermane nuk mund të marrë vendime lidhur me dhënie mendimi për një vend tjetër për t'u integruar në Bashkimin Europian në stadet e caktuara të këtij procesi pa konsensusin e Bundestagut. Prandaj roli i parlamentarëve është vendimtar e kërkohet më shumë punë me anëtarët e Bundestagut pa hedhur gurë mbi çatinë tonë të përbashkët, që është ende me shumë problem, por që është e jona.

Nënkryetari i parlamentit gjerman Johannes Singhammer dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Arta Dade.

Nënkryetari i parlamentit gjerman Johannes Singhammer dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Arta Dade.

Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me bashkëpunimin rajonal. Bashkëpunimi rajonal varet fort nga krijimi i lidhjeve të rrjetit të transportit dhe të energjisë në rajon. Por kriza e refugjatëve po tërheq momentalisht gjithë vemendjen dhe mjete të mëdha financiare të BE. Sa ndikon kjo në dëm të realizimit të shpejtë të projekteve të ndërlidhjes infrastrukturore të rajonit?

Momenti, që po kalon Europa, është i vështirë dhe kriza e refugjatëve kërkon vëmendje, angazhim e mjete financiare, por edhe kontributin e të gjitha vendeve anëtare të BE, të cilët u përmbahen angazhimeve, që burojnë nga aktet e anëtarësimit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të dinë të vazhdojnë ta mbajnë vëmendjen e BE te rajoni, i cili ndikohet nga kriza e refugjatëve, që largohen nga zonat e konfliktit. Vendet tona duhet të ndihmojnë në adresimin e këtyre çështjeve jo të bëhen vetë barrë e shtuar për vendet e BE e në mënyrë të veçantë për Gjermaninë. Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë pse t'i ngadalësojnë ritmet për përmbushjen e detyrimeve apo edhe për thithjen e fondeve për projektet e planifikuara dhe për investime të huaja për projekte rajonale të përbashkëta në infrastrukturë, energji apo të interkonektivitetit.

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë po punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve historikisht të rënduara mes dy vendeve, nën shembullin e Francës dhe Gjermanise pas Luftës së Dytë Botërore, gjë që kërkohet dhe inkurajohet nga BE dhe Gjermania. Kjo u dëshmua edhe në organizimin e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi dhe në takimin e studentëve nga dy vendet. Sa reale është, që komunikimi mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre të bëhet normalitet, pa hasmëri dhe paragjykime, apo është ky një proces i vështirë dhe i gjatë?

Ky është proces i vështirë e që kërkon kohën e vet. Duket se trendi është pozitiv e duhet punuar më shumë me të rinjtë, të cilët nuk mbajnë mbi vete hijet e së shkuarës në mjaft raste të përgjakshme. Por ka kategori politikanësh, të cilët mbijetojnë në politikë veç përmes kartës së nacionalizmit ekstrem e janë faktor frenues sikurse rasti i Presidentit Nikoliç. Ne të gjithë duhet të shfrytëzojmë çdo hapësirë për kontakte më të shpeshta jo vetëm qeveritare por edhe parlamentare edhe të shoqërisë civile, të përfaqësuesve të medias etj. Përparësi marrin marrëdhëniet ekonomike e tregtare, të cilat janë ende larg konsolidimit.

Gjermania gjendet para një sfide të madhe të strehimit dhe pritjes së një numri të pasosur refugjatësh. Azilkërkuesit nga Shqipeëia nuk kanë të drejtë azili në Gjermani, sepse Shqipëria është vend i sigurtë origjine. Tani në politikën gjermane po diskutohet për krijimin e zonave të tranzitit, me qëllim që njerëzit pa shanse për azil, p.sh. nga Ballkani, të mos mund të hyjnë fare në Gjermani. A zuri vendi çështja e azilkërkuese nga Shqipëria në bisedimet, që patët në Berlin?

Ka diznivel midis bashkepunimit politik dhe atij ekonomik. Delegacioni shqiptar dhe nënkryetari i parlamentit gjerman Johannes Singhammer

Delegacioni shqiptar dhe nënkryetari i Parlamentit gjerman Johannes Singhammer

Ne diskutuam për këtë çështje të mprehtë dhe nxisim strukturat përkatëse të policisë së kufirit dhe migracionit të kryejnë detyrën konform kuadrit ligjor, por edhe bashkëpunimin me autoritetet gjermane për realizimin e kthimit të shqiptarëve, që duhet të kthehen. Kujdes dhe vëmendje duhet nga qeveria qendrore apo vendore për krijimin e kushteve të përshtatshme për jetesë normale për ata, që janë detyruar të largohen për shkak të varfërisë.

Shteti gjerman mundëson qasje në tregun e punës vetëm për ato, që aplikojnë në mënyre të ligjshme. A është diskutuar për projekte konkrete për punësim në Gjermani në profesione, për të cilat ka nevojë Gjermania?

Rasti për pranimin e një numri të konsiderueshëm infermierësh, pasi të kenë mësuar edhe gjuhën gjermane është mesazh pozitiv për të gjithë ata, që janë mashtruar nga agjenci të dyshimta apo nga propaganda keqinformuese. Punësimi i legalizuar në Gjermani në sektorë, që kanë kërkesë për punonjës të kualifikuar përmes marrëveshjeve dypalëshe të qeverive respektive është pa dyshim hapi i duhur në dekurajimin e tentativave për migracion të paligjshëm.

Çfarë bëhet me shumë njerëz në nevojë, të papunë, që kthehen. Sa ka mundësi shteti shqiptar t'u japë një mbështetje fillestare, pas kthimit në atdhe?

Kjo është detyrë e çdo qeverie.

Çfarë kontributi mund t'i bjerë për të dhënë Shqiperisë në përballimin e krizës së refugjatëve të luftës nga Lindja e Mesme? Në media thuhet që në dimër edhe Shqipëria mund të preket nga vala e refugjatëve si vend tranziti. A bëhet fjalë për ndonjë plan emergjence për strehim të refugjatëve në territorin e Shqipërisë?

Po bëhen përpjekje e po merren masa për të qenë të gatshëm, që qeveria shqiptare të bëjë kontributin e vet për të lehtësuar zgjidhjen e krizës së refugjatëve megjithë mundësitë e resurset e limituara. Si parlamentarë, do ta mbështesnim e inkurajonim qeverinë për këtë e do të bënim edhe ne kontributin tonë. Shqipëria është partnere serioze në të gjitha sfidat, që kanë të bëjnë me zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, por edhe partnere e SHBA edhe si anëtare e NATO-s.