1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arritje dhe sfida - Shqipëria gjatë 2010

Viti 2010, me dritëhijet e veta, do të mbetet një vit historik për Shqipërinë. Ai solli lëvizjen e lirë, pa viza të qytetarëve të Shqipërisë në Europë, një nga arritjet më të mëdha pas shembjes së regjimit komunist.

Tashmë pa viza - shqiptarët fiuan të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Tashmë pa viza - shqiptarët fiuan të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Festimet në Shqipëri për vendimin e shumëpritur të heqjes së vizave do të mbahen mend gjatë në kujtesën e brezave të sotëm. Për ata që rrëzuan regjimin komunist 20 vjet më parë, liria e lëvizjes është një nga arritjet thelbësore të rebelimit të tyre. Ndërsa për qeveritë e djathta dhe të majta, në rotacionin e tyre të pushtetit, lëvizja e lirë, përbën realizimin e një premtimi kostant, sa real aq edhe elektoral.

Kjo situatë solli edhe një atmosferë euforie dhe optimizmi, të krahasueshëm me atë të 20 viteve më parë, kur u shemb regjimi, që izoloi për gjysëm shekulli shqiptarët nga Europa dhe bota. Analisti i pavarur politik Aleksandër Çipa e karakterizon Shqipërinë e pas heqjes së vizave si “një ishull optimizmi”

Analisti i pavarur politik Aleksandër Çipa.

Analisti i pavarur politik Aleksandër Çipa.

2010 për shqiptarët ishte viti që e shndërroi Shqipërinë, në një ishull të optimizmit politik” thotë Çipa.

Por ky optimizëm u shoqërua edhe me paralajmërime këmbëngulëse të BE-së, për të respektuar procedurat dhe afatet kohore që parashikon lëvizja e lirë, për të mos kërkuar punë dhe lejeqëndrimi në vendet e zonës Schengen ku qytetarët shqiptarë tanimë kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza.

Këto dy javë të fundit të dhjetorit, dëshmojnë që këto paralajmërime dhe fushata intensive e qevertisë së Tiranës, nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Për fat eksperienca e padëshëruar e vendeve të BE-së me Maqedoninë vitin e kaluar apo Bosnjë- Hercegovinën këtë vit, nuk është përsëritur me Shqipërinë, gjë që shënon padyshim një arritje të vitit që po mbyllet.

Autostrada Shqipëri - Kosovë.

Autostrada Shqipëri - Kosovë.

2010- viti i infrastrukturës rrugore.

Duke vazhduar skanimin e vitit 2010 nga perceptimi qytetarit, ky vit do të mbahet mend edhe për lehtësitë e komunikacionit, që ai krijoi në të gjithë kapilarët kombëtarë të rrjetit rrugor. Këtu nuk është fjala vetëm për aksin e “Rrugës së Kombit” që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Është fjala edhe për mundësi të reja që viti 2010 krijoi për shkurtimin e distancave dhe hapësirave në dobi të shkëmbimit e mallrave, të njerëzve, kulturës, ideve në këto hapësira” - thotë Aleksandër Çipa.

Kriza e gjatë politike – refuzimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim

Por këto arritje eklipsohen nga një krizë e gjatë, e paprecedente në gjithë vitet e gjata të tranzicionit postkomunist të Shqipërisë.

Nuk gjendet në kalendarin e postkomunizmit të Shqipërisë një vit si 2010-a, ku klasa politike e shkatërroi jetën normale parlamentare. Ky vit i lë vitit që vjen krizën e mosmarrveshjes politike, ku pas dështimit të të gjitha përpjekjeve nga diplomacia ndërkombëtare dhe faktorët e brendshëm institucionalë kriza mbetet e hapur, që gjithë koston e mbartur nga stanjacioni i mosmarrveshjes politike do t'ia shkarkojë 2011-ës” - parashikon analisti politik Aleksandër Çipa.

Mosfunksionimi i Parlamentit gjatë vitit 2010, për shkak të krizës politike, është edhe arësyeja kryesore e refuzimit nga BE-ja të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Institucionet të politizuara dhe jo të pavarura

Kryetari i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama.

Kriza politike thelloi të metat, që shoqërojnë një demokraci vulnerabël.

“Politika shqiptare gjatë 2010-ës kishte shumë propagandë, patetizëm. Asnjëra nga forcat politike kundërshtare nuk u përball me forcën jetër, duke sjellë një alternativë të re. Sot ndodhemi në kuotat më kritike të politizimit të institucioneve dhe shkeljes së pavarësisë së tyre, të sanksionuar nga Kushtetuta” - mendon analisti Aleksandër Çipa.

Dritë në fund të tunelit?!

Por në fund të tunelit mund të ketë dritë. Faktorë të tjerë mund të bëhen lojtarë të rëndësishëm, për të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, bllokimi i reformave dhe demokracia jofunksionale. Kjo është shoqëria civile me mekanizmat e saj.

“Në 2011 është momenti, që të ndihet zëri i tretë - nëse maxhoranca dhe opozita konsiderohen dy zërat e parë - pra ai i shoqërisë civile dhe i institucioneve, që mund të quhen të tilla vetëm nëse respektojnë ligjin” - thotë Aleksandër Çipa.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 30.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrY9
  • Data 30.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrY9