1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrin në 14 numri i të vdekurve nga katastrofa e shpërthimit të depos së armëve

Ani Ruci / Tiranë17 Mars 2008

Hetimet po zhvillohen në shumë pista dhe synojnë të zbardhin misterin e shkaqeve të tragjedisë. Kryetari i PS Edi Rama, kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha dhe të Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu

https://p.dw.com/p/DQ8g
Tiranë, Bashkia
Tiranë, BashkiaFotografi: DW / Aida Cama

Në rrënojat e Fabrikës së çaktivizimit të granatave, në fshatin Gërdec të Vorës, u gjetën sot kufomat e tre personave të tjerë , duke e çuar në 14 numrin e viktimave. Gjetja e viktimave të reja të ditës së sotme është shoqëruar nga protesta e banorëve të fshatit të shkatërruar që kanë bllokuar segmentin rrugor në Vorë, të autostrades Tiranë- Durrës. Ata kërkojnë dëmshpërblim të menjëhershëm për shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe i drejtojnë gishtin qeverisë si përgjegjëse kryesore për tragjedinë e tyre.

Banorët e Gërdecit janë përpjekur sot paradite të kthehen në gërrmadhat e shtëpive të tyre me shpresën se mos gjejnë ndonjë orendi apo elektroshtëpiake të pashkatërruar. Rreth 4.000 prej tyre janë evakuuar në shtëpitë e të afërmve dhe në institucione shtetërore. Por rreziku që paraqet gjithë zona, ku të shtunën më 15 mars plasi depoja e municioneve, 20 km larg Tiranës, e ka detyruar policinë të mos i lejojë. Kjo ka sjellë edhe përleshjen e banorëve me policinë, por pa pasoja. Banorët janë tërhequr kur janë ndërgjegjësuar se predha të shumta janë të shpërndara në terren dhe janë ende të paçaktivizuara. Trupi i karbonizuar i një fëmije është gjendur sot paradite, ndërkohe që numri i të humburve është rritur sot me dhjetra të tjerë.

Rreth 600 trupa ushtarake të specializuara po vazhdojnë edhe sot punën për të çaktivizuar predhat e pashpërthyera. Sot nuk ka patur shpërthime të reja por nuk përjashtohet mundësia e tyre. Bashkë me çaktivizimin e municioneve vazhdojnë operacionet e kërkimit për të mbijetuarit e mundshëm, ndonëse shpresat janë të pakta. Burime zyrtare nga Spitali ushtarak dhe Qendra Universitare "Nënë Tereza" në Tirane pohojnë për DW-në, se gjendja e të plagosurve është në përmirësim e sipër, dhe ata nuk janë në rrezik për jetën. Por, të plagosurit vuajnë nga djegie, thyerje gjymtyrësh, të prera nga xhamat e bëra copë copë prej shpërthimit katastrofik.

Shkaqet e tragjedisë së pardjeshme janë ende të mbuluara nga misteri. Presidenti i Republikës, Bamir Topi premtoi një hetim transparent për të zbardhur të vërtetën dhe vënë para drejtësisë përgjegjësit e katastrofës. Hetimet do të duhet t´i japin përgjigje disa pyetjeve thelbësore si: Pse fabrika e çaktivizimit të predhave u ngrit fare pranë qendrës së banuar? A ishin të specializuar 300 punëtorët e kësaj fabrike, kryesisht burra dhe gra nga fshati Gërdec? A kontrollohej zbatimi i rregullave të sigurimit teknik? Presidenti i Republikës shpreson se hetimet do t´u japin përgjigje edhe pyetjeve të tjera. "Do të bëhet një hetim i qartë, i thellë, pa asnjë kompleks, paragjykim dhe ndikim. Hetimi do të jetë shumë korrekt, kemi nevojë të qartësojmë situatën, t´u japim njerëzve ndihmën e parë, t´i sistemojmë dhe të kemi plane shumë të qarta për kompensimin e tyre, por ata që kanë humbur të afërmit e tyre vështirë që të kompensohëen," tha presidenti Bamir Topi.

Hetime transparente premtoi edhe Prokurorja e Republikës, Ina Rama. Duke zbardhur para opinionit të tronditur publik të Shqipërisë ajo tha se pistat e hetimeve janë tanimë të përcaktuara. "Së pari a është duke u verifikuar zbatimi i rregullave të Sigurimit Teknik, që lidhen me administrimin dhe ruajtjen e lëndëve plasëse. Pista tjetër është nëse janë zbatuar rregullat e ruajtjes fizike të objekteve ku kryhej çaktivizimi i municionit. Pista e tretë është hetimi për zbatimin e rregullave për përzgjedhjen e vendit ku është kryer çmontimi i predhave. Pista e katërt lidhet me shpërdorimin e mundshëm të detyrës apo konkurencën e pandershme mes firmave që mund të kenë shkaktuar ngjarjen dramatike. Pista e pestë është ajo e një veprimi të qëllimshëm kriminal," tha Prokurorja e Republikës, Ina Rama.

Derisa të zbardhet misteri i shkaqeve të katastrofës situata vazhdon të jetë e mbarsur me rrezikun e shpërthimeve të tjera. Fshati Gërdec në Vorë, midis Durrësit dhe Tiranës, dhe gjithë zona përreth i ngjan tani një një vendi të bombarduar. Shtëpi pa çati, mure të rëna, të gjitha xhamat e thyera, trarë të rrëzuar dhe dhjetra kafshë të ngordhura nga ciflat e municionit janë dëshmitë e katastrofës. Shpërthimi ka hapur një krater me diametër 50 m dhe thellësi 20 metra. Në ekranet e TV të Tiranës shpërthimi u shfaq me një flakë gjigande të verdhë në të kuqe, me një tym të zi dhe formën e një këpurdhe bërthamore. Ai u ndie në Tiranë si një tërmet i fuqishëm dhe vala e ajrit të nxehtë shtrembëroi automjetet që po kalonin në autostradën Tiranë- Durrës.

Gjithë predhat e shpërthyera nga depoja në fshatin Gërdec të Vorës, ishin municione te vjetra sovjetike dhe kineze, një arsenal i mbledhur në dekadat e gjata të regjimit komunist. Dëshmitë e banorëve të mbijetuar tregojnë se shpërthimi ndodhi kur punëtorët po i lëviznin predhat nga depoja për t´i çaktiviztuar në një fabrike të ngritur para një viti, fare pranë depos ku grumbulloheshin të gjitha municionet e vjetëruara dhe të dala jashtë përdorimit nga të gjitha repartet ushtarake të Shqipërisë. Një kompani amerikane dhe një e kontraktuar nga shteti, merreshin me çmontimin e tyre. Ata ndanin metalin nga lënda shpërthyese e predhave.

Që prej hapjes së fabrikës janë çaktivizuar 6500 tonë municione luftarake. Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë për DW se sasia e municionit që ndodhej në depo kur ndodhi shpërthimi arrinte deri në 3 mijë tonë predha. Në fabrike punonin rreth 300 punëtorë, që vini kryesisht nga zonat përreth. Qeveria e Tiranës është zotuar para NATO-s të nxjerrë jashtë përdorimit rreth 110 mijë ton municion të vjetër, si një parakusht për të merituar një ftesë anëtarësimi.