1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arrihet marrëveshja për telekomunikacionin dhe energjetikën

Mes Beogradit dhe Prishtinës u arrit marrëveshja për telekomunikacionin dhe energjinë. Në Bruksel u theksua se organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë është tani prioritet për të dyja palët.

Dy vjet pas fillimit të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel të dy kryeministrat, i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Daçiq, kanë arritur marrëveshjen për telekomunikacionin dhe energetikën:

“U arrit marrëveshja, e cila në këtë moment mundëson funksionimin e këtyre sistemeve pa ndonjë ndryshim në terren”, deklaroi kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq: ”Për qytetarët nuk do të ketë ndonjë ndryshim, kur është fjala për sistemin e energjisë elektrike dhe telekomunikacionit. Çështja e pronës këtu, si dhe në fusha të tjera, do të jetë objekt i bisedimeve të ardhshme, të cilat do të vazhdojnë pas zgjedhjeve lokale.”

Pas raundit të gjashtëmbëdhjetë të bisedimeve në Bruksel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk deshi të hyjë në detaje të marrëveshjes së arritur, ndërsa kryeministri i Serbisë deklaroi se sistemi i telekomunikacioni “Kosovë dhe Metohi, kur është fjala për serbët, do të funksionojë i papenguar”. Kryeministri serb theksoi se Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit do t'i japë për përdorim Kosovës një numër treshifror, por do të kalojnë “shumë vite, derisa kjo të zbatohet në praktikë, telefonatat ndërmjet Serbisë qendrore dhe Kosovës do të vazhdojnë të kenë karakter lokal, dhe se operatorët serbë të telefonisë fikse dhe celulare do të kenë liçencat e tyre, deri në shpalljen e tenderit në Kosovë, të parashikuar që nga viti 2015".

Daçiq: Interesi ynë më i madh është që të dalim në zgjedhjet lokale

Përsa i përket përgatitjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë në bisedimet dypalëshe u konfirmua që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të emërohet përfaqësuesi i serbëve, që qytetarët e Kosovës, që kanë dokument serb do të jenë në listat e zgjedhësve, me të drejtë për të votuar apo për të qenë kandidatë, që OSBE do të organizojë votimin edhe në territorin e Serbisë Qendrore, si dhe vendimi për amnestinë do të zbatohet plotësisht. Kryeministri serb porositi serbët në Kosovë të dalin në votime: “ Edhe një herë do të doja të dërgoja një mesazh serbëve në Kosovë se udhëheqja e Serbisë do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare, dhe mendoj se është në interesin këmbëtar dhe shtetëror që të dilet në votime me qëllim që serbët të fitojnë kështu pushtetin e tyre, i cili do të jetë faktor i pashmangshëm në Kosovë.

Në Bruksel thuhet se në periudhën që vjen vemendja do t’i kushtohet përgatitjes së zgjedhjeve me 3 nëntor, duke pasur si synim zhvillimin efikas të tyre dhe një pjesëmarrje sa më të madhe të zgjedhësve në to. Vetëm pas këtyre zgjedhjeve mund të pritet vazhdimi i dialogut në mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, ku në rend të ditës mund të jetë çështja e pronave, deri tani e lënë pas dore. Ndërkohë në mes të tetorit pritet që Komisioni Evropian ka dalë me raportin vjetor mbi përparimin e Serbisë dhe të Kosovës në integrimet Evropiane, ndërsa vendimi për të filluar bisedimet për anëtarësimin e Serbisë dhe marrëveshjen e stabilizimi Asocimin me Kosovën duhet të merret në Këshillin e Europës në dhjetor.