1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Arrestohet "numri 1" i IS-it në Gjermani

Prokuroria Federale e Gjermanisë konfirmoi arrestimin e pesë të dyshuarve si mbështetës të IS-it. Ndër të arrestuarit është edhe "numri 1" i IS-it në Gjermani, sipas mediave NDR, WDR dhe "Süddeutsche Zeitung".

Hulumtuesit e mediave NDR, WDR dhe "Süddeutscher Zeitung" njoftojnë për një goditje ndaj skenës islamiste në Gjermani. Ndër të arrestuarit bën pjesë edhe 32-vjeçari "Abu Walaa" nga Iraku, i cili nga autoritetet prej vitesh konsiderohet si figura qendrore e islamistëve në Gjermani. Burrat e arrestuar dyshohet të kenë rekrutuar vullnetarë për pjesëmarrje në luftën e terroristëve të "Shtetit Islamik".

Hetime të gjata

 

Prokuroria në Karlsruhe ka hetuar ndaj irakianit dhe të dyshuarve që nga viti 2015. Dyshohet se ata kanë rekrutuar të rinj kryesisht nga Saksonia e Poshtme edhe Renania Veriore Vestfalia për "luftën e shenjtë" dhe i kanë ndihmuar ata për të udhëtuar atje. Në gusht është kryer bastisja e parë. Ndër objektet e kontrolluar është edhe një xhami në Hildesheim, e cila konsiderohet si një pikëtakim i rëndësishëm i skenës salafiste. Autoritetet e sigurisë i kanë vëzhguar prej kohësh lëvizjet në këtë xhami.

Rekrutimi për xhihad?

Policia, sipas këtyre mediave, ka arrestuar edhe dy predikues të fesë islame, të cilët kanë qenë pjesë e rrjetit salafist. Mendohet se ata kanë rekrutuar pesona të ftuar në banesa dhe u kanë sugjeruar atyre të shkojnë në xhihad. Edhe ata ngarkohen për mbështetjen e terrorizmit.

NDR, WDR dhe "SZ" bëjnë të ditur, se për arrestimin e tyre ka një meritë të madhe një person i kthyer nga lufta e IS-it. 22-vjeçari ka ikur nga rajonet e IS-it dhe është kthyer përmes Turqisë në Gjermani, ku ka njoftuar për shumë zhvillime brenda terroristëve. Para kthimit të tij në fund të shtatorit, ai u ka dhënë mediave në Turqi një intervistë, ku e ka ngarkuar rëndë irakianin "Abu Walaa", si "numrin 1" të IS-it në Gjermani. Të arrestuarit i kanë hedhur poshtë akuzat për përzierje në veprat terroriste.

Goditje e rëndë për ekstremistët

Ministri i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) e ka quajtur këtë arrestim si një sukses shumë të madh. "Kjo është një goditje e rëndësishme kundër skenës ekstremiste në Gjermani. Prokuroria po heton, sepse ekziston dyshimi për lidhjet e tyre me Shtetin Islamik", tha Maas. Arrestimet tregojnë, sipas tij, se "autoritetet e shtetit janë shumë konseguente ndaj të dyshuarve për terrorizëm."

bc/bri/cr (ndr, wdr, sz, dpa)