1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Arrestohet kundërshtari i Kremlinit Navalny

Blogeri dhe kandidati për kryebashkaik të Moskës Navalny u arrestua pas një tubimi elektoral dhe pas pak kohësh u lirua. A po bëhet Kremlini nervoz dy javë para zgjedhjeve?

Në foto, Alexey Navalny

Në foto, Alexey Navalny

Udhëheqja ruse nuk konsiderohet si tepër e moralshme në mënyrën e trajtimit të opozitës. Tani Alexei Navalny, blogeri i internetit dhe kandidat për kryebashkiak të Moskës, e përjetoi përsëri forcën e Kremlinit.

Pas një tubimi elektoral në Moskë, një njësi speciale e policisë ruse, arrestoi 37-vjeçarin për ta liruar atë pak më vonë, deklaroi një zëdhënëse e avokatit të shquar. Navalny vetë pranoi pas lirimit të tij nëpërmjet shërbimit të rrjetit social "Twitter" se: "Çdo gjë është në rregull", shkroi ai dhe falënderoi elektoratin për pjesëmarrjen e madhe në tubimin e organizuar më parë nga ai.

Veprime përçarëse kundër kritikëve

Navalny kishte folur para disa mijëra njerëzve në një tubim të organizuar në verilindje të Moskës. Në detyrë duket se kanë qenë edhe forca të shumta të sigurisë dhe provokatorë, të cilët kanë qenë të vendosur që të pengojnë mbarëvajtjen e tubimit.

Në foto, Alexey Navalny në Moskë ( 20.07.2013)

Në foto, Alexey Navalny në Moskë ( 20.07.2013)

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, ministria e Brendshme ka qenë e detyruar ta arrestojë Navaln-in pas fjalimit të tij, sepse "ai kishte shkelur të drejtat dhe interesat e qytetarëve të tjerë". Zyra për shtyp e ministrisë nuk ka përmendur hollësi të tjera.

Navalny është një nga kritikët më të mprehtë të presidentit rus Vladimir Putin dhe lufton si kandidat i pavarur për postin e kryebashkiakut të Moskës. Në mesin e fazës së nxehtë të fushatës elektorale aktivisti i internetit dhe avokati i njohur ankohet për shtimin e rasteve të maltretimeve nga ana e autoriteteve, inskenimin e procedurave të ndjekjes penale dhe arbitraritetit gjyqësor.

Vetë opozitari u dënua në korrik në një gjyq të diskutueshëm për shpërdorim të fondeve publike me pesë vjet burg. Megjithatë vuajtja e dënimit është shtyrë deri në përfundimin e procedurës ankimore, në mënyrë që Navalny të lejohet të marrë pjesë në fushatën zgjedhore.

Shpresë për balotazh

Navalny konsiderohet si kundërshtari më i rëndësishëm i kryebashkiakut aktual Sergei Sobjanin, i cili mbështetet nga Kremlini. Vëzhguesit besojnë se këshilltari i Putinit, Sobjanin ndoshta nuk ka nevojë të frikësohet për humbjen e zgjedhjeve. Përkrahësit e tij mendojnë se Sobjanin do të ketë nevojë për mbështetje të fuqishme vetëm për zgjedhjet e balotazhit, në rast se ai nuk arrin të fitojë 50 për qind të votave që në raundin e parë të zgjedhjeve.