1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Arrestohet i dyshuari i dytë për sulmet në Boston

"Ndjekja mbaroi, terrori mbaroi." Policia amerikane njoftoi për suksesin e madh të aksionit të saj:Është kapur i dyshuari i dytë për vendosjen e bombave në Boston. Njësitë speciale arritën të kapin të gjallë sulmuesin.

Në orën 20:45 sipas kohës lokale, kanali televiziv amerikan CNN përhapi lajmin për suksesin i cili filloi të transmetohej edhe nga stacionet lokale të Bostonit: i dyshuari i dytë pas sulmeve me bomba në Boston është kapur nga policia. Disa çaste më vonë lajmi u konfirmua nga policia përmes rrjetit social Twitter. Dzhokhar Zarnajew (19), i dyshuari i dytë është në jetë. Në pamjet televizive shihej se si oficerët e policisë e uronin njëri-tjetrin dhe filluan tërheqjen e njësive. Banorët e grumbulluar filluan t'i duartrokisnin policisë. Zarnajew i plagosur ishte larguar më parë me një autoambulancë.

Oficerët e policisë urojnë njëri-tjetrin

Oficerët e policisë urojnë njëri-tjetrin

I fshehur në një barkë në kopshtin e një shtëpie në Watertown

Që nga nata e kaluar forcat e sigurisë ishin vënë në ndjekje të studentit me origjinë nga Çeçenia. Herën e fundit ata kishin rrethuar të dyshuarin në kopshtin e një shtëpie në Watertown. Ai ishte fshehur atje në një barkë të mbuluar me një tendë. Autoritetet në Boston kishin anuluar pak orë më parë orën policore e cila ishte shpallur për popullatën e metropolit dhe rrethinat e Watertown. Dhe pastaj gjithçka rrodhi shumë shpejt.

Policia federale amerikane FBI është e bindur se dy vëllezërit me origjinë nga Çeçenia, Tamerlani (26) dhe Dzhokhar Zarnajew (19) janë atentatorët e dyshuar të maratonës së Bostonit. Tamerlani u vra në një shkëmbim zjarri me policinë në orët e hershme të mëngjesit, Dzhokhari i ri ishte gjithë ditën në arrati. Pse vëllezërit çeçenë e kanë kryer të hënën sulmin e përgjakshëm në maratonën e Bostonit, duke vrarë tre persona dhe plagosur 180 të tjerë mbetet ende e paqartë.