1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arrestohet deputeti kosovar Milaim Zeka

Deputeti kosovar Milaim Zeka dyshohet siç thotë Prokuroria Speciale “për përfshirje në krim të organizuar dhe mospagim taksash.

Kosovo Polizei verhaftet kriminelle Gruppen (DW)

Prokuroria speciale e Kosovës bënë të ditur se i ka shqiptuar masën e arrestit prej 48 orësh deputetit të Parlamentin e Kosovës, Milaim Zeka. Deputeti Milaim Zeka u ndalua nga policia ditën e hënë (me 16.10), i dyshuar për "veprën penale të pjesëmarrjes në krim të organizuar dhe mospagim taksash”. Zëdhënësi i Prokurorisë speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka thënë për mediet lokale se deputeti Zeka dyshohet të jetë i përfshirë në mashtrimin e qytetarëve për viza pune në Gjermani.

Mashtrimi dhe mohimi

"Deputeti Milam Zeka është ndaluar për 48 orë për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe shmangie nga tatimi. Ai dyshohet se me këto veprime është i përfshirë në grupin e organizuar kriminal në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani”, ka thënë për mediet lokale zëdhënësi Ekrem Lutfiu.

Avokati i deputetit Zeka, Gazmen Halilaj, thotë se "nuk ka asnjë dëshmi apo provë që e inkriminon klientin e tij me këtë vepër”.

Policia e Kosovës më herët kishte njoftuar se "Policia ka intervistuar personin me inicialet M.Z. lidhur me veprën penale që ndërlidhet me mashtrim dhe shmangie nga tatimi”. Sipas policisë, hapat e mëtejmë për këtë rast do të ndërmerren në koordinim me prokurorinë përgjegjëse.

Arrestimi i deputetit të kuvendit të Kosovës, Milam Zeka, ndodhi pas publikimit të disa shkrimeve hulumtuese të medies online nga Kosova ‘Insajderi”, i cili shkroi për, siç thuhet, përfshirjen e deputetit Zeka në një skemë mashtrimi të mbi 900 qytetarëve të Kosovës, që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani. Sipas hulumtimit të "Insajderit”,qytetarët kanë paguar nga 50 deri në 3.500 euro për një vizë pune, ndërkohë që ata nuk janë pajisur fare me viza pune.