1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arrestohen të dyshuar për terrorizëm në Kosovë

Vetëm gjatë 72 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar 9 persona të dyshuar për terrorizëm. Ata planifikonin sulme në Kosovë dhe në disa rajone të Ballkanit.

Policia e Kosovës bëri të ditur se me datën (07.11) ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, nën dyshimet për veprat penale: "terrorizëm dhe kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë”. Arrestimi i së hënës e çon në 9 numrin e personave të vënë pas grilave në 72 orët e fundit në Kosovë.

Shtatë persona u arrestuan në fundjavë nën dyshime të njëjta - "terrorizëm dhe kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë në Kosovë”. Arrestimet e fundit janë bërë në komunën e Kaçanikut, Vitisë dhe komunën e Mitrovicës. Të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit. Prokuroria Speciale e Kosovës nëpërmes një njoftimi për media bëri të ditur se personat e arrestuar dyshohet se po përgatisnin sulme në Kosovë dhe në disa vende të rajonit të Ballkanit.

Arrestimet janë kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët rajonal që është shtrirë edhe në Shqipëri dhe në Maqedoni. Policia e Shqipërisë njoftoi se ka arrestuar katër persona. Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, bëhet e ditur se personat e arrestuar ishin në kontakt me pjesëtarin nga Kosova të grupit militant Islamik ISIS, Lavdrim Muhaxheri, me origjinë nga Kaçaniku.

 

Përgatitja e sulmeve terroriste

"Të dyshuarit po përgatisnin sulme terroriste në rajonin e Ballkanit - fillimisht në Kosovë. Ata kishin planifikuar sulme mbi ndërtesa, institucionet e sigurisë, planifikonin të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, e cila boton edhe një dokument të detajizuar. Njëri nga të arrestuarit, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë në luftimet në Siri përkrah grupit islamik ISIS.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, në periudha të ndryshme, ju kanë bashkuar organizatave të shpallura terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme. Numri i tyre sipas policisë sillet diku rreth 300 persona. 50 nga ta thuhet se janë vrarë gjatë luftimeve. Njohësit e çështjeve të sigurisë pohojnë se megjithë angazhimin e institucioneve të sigurisë për të parandaluar sulmet terroriste, numri i madh i qytetarëve të Kosovës që ju kanë bashkuar organizatave terroriste, e bën këtë vend për të cilin nuk mund të thuhet se nuk ka rrezik nga sulmet terroriste.

Kosova e rrezikuar nga sulmet

Frauengefängnis in Albanien (DW)

 

Burim Ramadani, ligjërues i çështjeve të sigurisë, i tha DW-së se "persona të tillë të cilëve u është shpërlarë truri me idelogji ekstremiste dhe të dhunshme, ka në Kosovë dhe në rajon”. "Kosova përballet me këtë rrezik në nivel të njëjtë me vendet e rajonit, sepse organizatat e tilla terroriste e shohin Ballkanin Perëndimor si një hapsirë të përbashkët territoriale. Ndërkohë që ata duket se synojnë që këtë rajon ta kthejnë në një zonë të re ku në të ardhmen mund të zhvillojnë ideologjinë e tyre”, thotë Burim Ramadani.

Ramadani megjithatë nuk mendon se në "Kosovë duhet të ketë panik”. Por "qytetarë e Kosovës, sikur edhe institucionet e vendit, duhet të kenë më shumë kujdes dhe vëmendje”. "Institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë janë duke kryer punën më të madhe në këtë fushë. Sigurisht se këto veprime janë të domosdoshme, por duhet menjanuar edhe motivet që i shtyjnë njerëzit në Kosovë që t'u bashkohen këtyre ideologjive”, pohon ai

Hapat për siguri

Kosova ka kohë që i është bashkuar aleancës globale kundër terrorizmit dhe radikalizmit të udhëhequr nga SHBA-së. Në këtë linjë ka ndërmarrë një sërë masash të sigurisë. Hapat e deritanishëm konkretë janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie, për ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës. Hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Si dhe përkrahja e plotë e ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim.

Kosova megjithë këto masa vazhdon të renditet ndër vendet me pjesëmarrje shumë të lartë të qytetarëve të saj në luftërat e organizatave të shpallura terroriste nga OKB, siç janë "ISIS" dhe "Al-Nusra”. Ministria e Brendshme supozon se 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme. 140 ndodhen akoma në atje. Policia ka pasur nën mbikqyrje të pëhershme rreth 230 persona. 127 nga ta i ka arrestuar, ndërsa deri tash 35 persona janë dënuar nga gjykatat e Kosovës.