1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohen shoqërues të Puigdemontit

29 Mars 2018

Tri ditë pas arrestimit të Puigdemontit janë arrestuar në Barcelonë dy shoqërues të ish-presidentit rajonal. Ish-ministrja Ponsatti ndërkohë ju dorëzua policisë.

https://p.dw.com/p/2v9X5
Carles Puigdemont
Fotografi: Reuters/Lehtikuva/M. Kainulainen

Dy nëpunës katalanas, të cilët e shoqëronin në momentin e arrestimit në Gjermani ish-Presidentin rajonal të Katalonjës, Carles Puigdemont janë arrestuar. Njëri prej tyre u arrestua duke ardhur nga Brukseli në aeroportin e Barcelonës. Tjetrin e arrestuan po në Barcelonë, në afërsi të shtëpisë së tij, bën të ditur gazeta "El Pais" duke iu referuar policisë.

Dy personat në fjalë punonin si punonjës sigurie të policisë katalanase "Mossos d'Esquadra" dhe ndodheshin së bashku me Puigdemontin në veturë, kur Puigdemontin e arrestuan. Të martën, policia nacionale spanjolle depozitoi një kallëzim për ta. Ata i akuzojnë për "favorizim". Do të hetohet nëse personat në fjalë e patën ndihmuar Puigdemontin që të arratisej.

Ata e shoqëronin Puigdemontin, kur ai u përpoq të kthehej në vendimin e migrimit në Belgjikë - duke ardhur që nga Finlanda, ku pati takuar parlamentarë dhe pati mbajtur një referat. Në këtë periudhë kishte hyrë në fuqi urdhëri evropian i arrestit, të cilin Gjykata më e Lartë e Madridit e urdhëroi në fund të javës së shkuar.

Burgu i Neumünsterit
Burgu i NeumünsteritFotografi: picture alliance/AP Photo/F. Moöter

Pas arrestimit të Puigdemontit, ministrja katalanase e Arsimit, Clara Ponsati, e shkarkuar nga qeveria e Madridit, ju dorëzua policisë në Skoci. Edhe 61-vjeçaren e kërkonin si Puigdemontin me një urdhër evropian arresti. Atë e akuzojnë për rebelim dhe shpërdorim të parave publike, në lidhje me referendumin e pavarësisë së Katalonjës.

Pas pagimit të një depozite parash si garanci, Ponsatin e lanë të lirë, por pasi dorëzoi pasaportën, në mënyrë që të mos largohet nga vendi.

Puigdemonti pret në burgun e Neumünsterit një vendim të drejtësisë gjermane, lidhur me kërkesën e Spanjës për ta dorëzuar në Spanjë. Shqyrtimi i dokumentacionit është shumë kompleks dhe vendimi nuk pritet të merret pa kaluar festa e Pashkëve.