1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Arrestimi i bosit të Koza Nostras- sukses i madh i policisë italiane

Kur bosi i mafias Lo Picolo u fut të hënën i shoqëruar nga i biri në një ndërtesë ku edhe mbërritën edhe dy mafiozë të tjerë të kërkuar, policia vendosi të ndërhyjë.

Corleone - Kështjellë e mafias në Sicili

Corleone - Kështjellë e mafias në Sicili

Kërkim i policisë zgjati thuajse një çerek shekulli. Për 24 vjet, Salvatore Lo Picolo ndodhej në arrati. Në këtë periudhë ai arriti të ngjitej në pozicionin e njërit nga bosët më të fuqishëm të mafias. Shumë herë u ka shpëtuar siciliani sot 65 vjeçar hetuesve në sekondën e fundit. Të hënën pasdite, ai nuk mundi të shpëtonte më. Shefi i policisë së Palermos, Xhiusepe Karuzo (Caruso):

"Për këtë arrestim ne kemi punuar disa vjet. Në dy muajt e fundit indikacionet u shtuan, kështu që ne qemë në gjendje të diktonim vendin, ku Lo Picolo takohej herë pas here me mafiozë të tjerë, për të marrë vendime të rëndësishme"

Që prej shumë javësh, bëhet e ditur në televizionin italian, forca speciale qëndronin në përgjim para vilës në lokalitetin e vogël Giardinello në afërsi të Palermos. Kur Lo Picolo u fut të hënën i shoqëruar nga i biri në ndërtesë dhe thuajse njëkohësisht mbërritën edhe dy mafiozë të tjerë të kërkuar, policia vendosi të ndërhyjë. Njëri nga policët që mori pjesë në arrestim tha:

"Katër mafiozë drejtues ishin të pranishëm. Kjo të lë të kuptosh se ne sulmuam një takim të nivelit të lartë."

Rreth 40 vetë të njësisë speciale të anti-mafias morën pjesë në aksion. Ata hapën zjarr në ajër, kur sulmuan dhomën. Dy prej mafiozëve sipas të dhënave të policisë ishin të armatosur, por nuk bënë rezistencë.

Salvatore Lo Picolo - i dënuar me burgim të përjetshëm

Për hetuesit e Italisë ky është suksesi më i madh në luftë kundër krimit të organizuar që prej arrestimit të "kryenunit" Bernardo Provenzano një vit e gjysmë më parë. Salvatore Lo Picolo, i dënuar prej kohësh me burgim të përjetshëm për shkak të vrasjeve, konsiderohej si numri një i Kosa Nostras.

Shefi i policisë Karuzo: "Menjëherë pas arrestimit të Provencanos më 11 prill të vitit të kaluar, Lo Picolo ishte ai që mori në Palermo komandën e Kosa Nostras."

Veç birit të Lo Picolo-s, Sandro, policia arrestoi Andrea Adamo-n dhe Gasparre Pulicin (Pulizzi). Të tre bënin pjesë, si kryenuni i ri, në 30 kriminelët më të kërkuar të Italisë. Politikanë dhe aktivistë kundër mafias reaguan me kënaqësi dhe gëzim për arrestimin e Lo Picolo-s dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Operacioni, tha ministri i brendshëm, Xhuliano Amato është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme. Anëtarë të inisiativës antimafia, Addiopizzo shkuan me shishe shampanje të komanda e policisë në Palermo, për të trokitur gotën së bashku me forcat e ndërhyrjes. Arrestimi, thotë presidenti i komisionit anti-mafia në Parlament, Fransesko Forxhione (Francesco Forgione), është një shenjë që era në Sicili po fryn ndryshe:

"Kemi të bëjmë me momentin e një rebelimi të madh në shoqërinë civile, midis sipërmarrësve, por edhe në politikë. Ne jemi duke i dhënë një goditje të rëndë organizatave mafioze. Bizneset e tyre kriminele janë prekur, por edhe sistemi i lidhjeve të tyre sociale dhe politike."

Pas arrestimeve të Provencanos dhe Lo Picolo-s, thotë Forxhione, askush nuk mund të besojë më se mafia është pushteti i vërtetë në Sicili. Mafiozi i arrestuar të hënën akuzohet për vrasje, si dhe tregti droge dhe biznese ilegale ndërtimi. Vitet e fundit ai e ka zgjeruar pushtetin e tij kriminal duke bashkëpunuar ngushtë me mafian e drogës në SHBA.

  • Data 07.11.2007
  • Autor Jërg Zajselberg
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C54r
  • Data 07.11.2007
  • Autor Jërg Zajselberg
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C54r