1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arrestime të shqiptarëve në Jug të Serbisë

Marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve në Jug të Serbisë janë ende të ftohta, por secili e zhvillon luftën brenda terrenit të vet politik dhe fetar.

Policia serbe ka arrestuar sot në mëngjes disa shqiptarë në Bujanovc dhe në fshatrat Ternoc dhe Breznicë si dhe ka kryer bastisje në disa shtepi. Sipas informacioneve të pakonfirmuara ndër të arrestuarit është edhe përkthyesi i OSBE-së.

Nga ana tjetër Sllagjan Velinović, shefi i policisë së qarkut të Pcinjës, i cili përfshin komunat shumëkombëshe të Bujanovcit dhe Preshevës, i tha radios Deutsche Welle se muajin e kaluar është regjistruar vetëm një incident politik në Bujanovc, por ky mes anëtarëve të dy partive serbe. "Ne nuk presim që të ndodhë diçka më e madhe në këtë zonë, që do të mund të trazonte këtë gjendje të qëndrueshme", thotë Velinović.

Kujtim Sadriu, kryetar i komitetit komunal të Partisë Liberal Demokratike (LDP) në Preshevë, partia e vetme në Luginën e Preshevës, selia e së cilës është në Beograd, tha se nuk ka tensione etnike, por ka ndarje brenda korpusit politik shqiptar, dhe herë pas here edhe komiteti i tij sulmohet. "Individët na kritikojnë se ne jemi tradhtarë, si disa shqiptarë në kohën e Milloshevicit. Ne nuk do të shkojmë në atë drejtim, ne jemi qytetarë të Serbisë, që mbrojmë interesat e qytetarëve tanë në Preshevë, pavarësisht se cilit komb i përkasim", thotë ai.

Fushatë zgjedhore në gjendje të jashtëzakonshme

The Commander of UCPMB (Liberation Army of Presevo Medvedje and Bujanovac) Shefket Musliu (R) smiled while the Special Envoy of NATO Secretary General Pieter Feith (L) is leaving the UCPMB Headqurter in the village of Koncul after the negotiations with Albanian Delegation of Presevo Valley on Monday 21 May 2001. dpa Jugoslawien, Konflikte, Kosovo,

Jonuz Musliu

Ish-komandanti politik i Ushtrisë së shpërbërë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës dhe lider i Lëvizjes për Progres Demokratik, Jonuz Musliu, merr pjesë për herë të parë në zgjedhjet për parlamentin serb me qëllim që, siç thotë ai, serbët të dëgjojnë zërin e shqiptarëve. Fushata zgjedhore, pohon Musliu, ndodh në një gjendje të jashtëzakonshme. "Në çdo hap ndalesa të xhandarmërisë, policisë dhe ushtrisë. Ku ndodh kjo në botë? Serbia dëshiron të shkojë në Evropë. Kështu nuk mund të shkojë", thotë Musliu.

Marrëdhënie të akullta

Radoman Irić, reporter i të përjavshmes "Gazeta e Vranjes" vlerëson se marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë ende të ftohta, por që secili e zhvillon luftën brenda terrenit të vet politik dhe fetar. Kështu pak serbë në Preshevë dhe Bujanovc ndahen në dhjetëra parti dhe tek shqiptarët përveç ndarjeve politike, ekzistojnë ndarje edhe brenda komunitetit fetar. "Shqiptarët besimtarë i përkasin Novi Pazarit, të tjerë Beogradit, të tretët Prishtinës, të katërtit Riadit, që, siç thonë këtu, janë vahabistë dhe e pesta është bashkësia fetare islame, që është krijuar këtu në kohën e konfliktit", shpjegon Irić.

Në mesin e liderëve politikë shqiptarë në jug të Serbisë, nuk ka ndarje, vetëm kur është në rendin e ditës autonomia e plotë për Luginën e Preshevës dhe tërheqja e ushtrisë dhe policisë serbe nga kjo zonë dhe ky unitet është treguar përmes deklaratave të shumta dhe të tubimeve protestuese.

  • Data 04.05.2012
  • Autor Milica Ivanovic/Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/14pXm
  • Data 04.05.2012
  • Autor Milica Ivanovic/Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/14pXm