1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

291209 Iran aktuell

30 Dhjetor 2009

Pas përleshjeve brutale të fundjavës së kaluar gjendja në Teheran, siç bëjnë të ditur për DW-në dëshmitarët okularë, duket më e qetë. Por edhe më tej mbretërojnë frika dhe tmerri.

https://p.dw.com/p/LH2u
Trazira në Irak
Trazira në IrakFotografi: AP

Arrestimi i dy bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Mohammed Chatami dhe tre këshilltarëve të liderit opozitar Mir-Hosein Musaui është konfirmuar që ditën e hënë. Në mbrëmje është arrestuar madje edhe motra e mbajtëses së çmimit Nobel për Paqen Shirin Ebadi, Nushin Ebadi. Ajo nuk ka qenë kurrë aktive në politikë, kumtoi mbajtësja e çmimit Nobel, në një intervistë për rrjetin televiziv CNN. Qeveria në Teheran ka shtuar presionin ndaj kundërshtarëve politikë.

Rreth 300 demonstrues të arrestuar

Ndërkohë është konfirmuar edhe zyrtarisht se në fundjavë janë arrestuar rreth 300 demonstrues. Njëri prej tyre është Mehdi Arabshahi, anëtar i organizatës së studentëve Daftar Tahkim Vahdat. Bahare Hedaya, zëdhënëse e kësaj organizate në një intervistë për Deutsche Wellen shpjegon: “Ai është arrestuar të dielën në Teheran. Por nuk e dimë se ku e kanë çuar, në ndonjë stacion apo diku tjetër. Nuk e dimë se ku është. Situata nuk duket e mirë, jemi të brengosur se do ta keqtrajtojnë dhe do ta detyrojnë të bëjë ndonjë deklaratë para kamerave televizive.“

Intervista me detyrim në televizion

Intervistat e dhunshme para kamerave televizive janë bërë përditshmëri që prej rizgjedhjes se Ahmadinexhadit në postin e presidentit. Mehdi Arabshahi është një figurë e mirë për një aktrim të këtillë të dhunshëm para kamerave, sepse ai është anëtar i Komiteti Qendror të organizatës studentore në Iran. Ndonëse njerëzit e organizatës janë të lidhur shumë mirë me njëri-tjetrin, zëdhënësja nuk e di nëse ka edhe ndonjë të arrestuar tjetër: “Interneti dhe rrjetet e telefonave celularë gati nuk funksionojnë fare. Momentalisht nuk është mirë as të kontaktosh me të tjerët, sepse gjendja mund të përkeqësohet. Deri tani është konfirmuar vetëm arrestimi i zotit Arabshahi.“

Qeveria në Teheran po përpiqet të bllokojë internetin, një mjet shumë të rëndësishëm për opozitën

Edhe pse qeveria iraniane po përpiqet të bllokojë internetin, edhe më tej po shpërndahen video të regjistruara me telefona celularë, që dëshmojnë për keqtrajtimet e demonstruesve prej policisë. Ndërkohë që po shtohet edhe zemërimi i demonstruesve, pjesërisht të përgjakur dhe me rroba të shqyera.

Burgu Evin në Teheran, (29.12.2009)
Burgu Evin në Teheran, (29.12.2009)

Televizioni iranian Press-TV ka konfirmuar të hënën se gjatë përleshjeve janë vrarë tetë vetë. Politikani opozitar Mehdi Karrubi e kritikoi ashpër ndërhyrjen e policisë, me fjalët se edhe vetë shahu e respektonte festën e Ashures. Karrubi është vënë ndërkohë nën masa të arrestit shtëpie, shpjegon për DW-në djali i tij Hossein Karubi: "Babai im është praktikisht në arrest shtëpie. Që prej disa ditësh truprojat kanë refuzuar ta përcjellin. Ata janë pjesëtarë të policisë dhe është e qartë se kanë marrë një urdhër të tillë. Të dielën në mbrëmje e kam çuar vetë në një xhami me veturën time.“ Mehdi Karubi është sulmuar muajt e fundit disa herë nga persona të panjohur. Kjo ka ndodhur edhe të hënën pas një ceremonie mortore në një xhami në lindje të Teheranit. Sulmuesit kanë thyer xhamat e veturës së tij dhe kanë ikur.

Ndër viktimat e ditës së diel është edhe nipi i liderit opozitar Musaui. Por autoritetet ende nuk e kanë dorëzuar trupin e pajetë të Sejed Resa Musauit dhe katër viktimave të tjera, me shpjegimin se do të bëhet autopsia. Në fakt ata duan që të evitojnë mundësinë e shndërrimit të ceremonisë së varrimit në një protestë të opozitës kundër regjimit.

Autor: Shabnam Nourian / Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani