1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arrestime antiterroriste në Maqedoni

Në Maqedoni janë arrestuar nëntë persona dhe ndaj 27 të tjerëve janë ngritur padi nën dyshimin për pjesëmarrje në aktivitete ushtarake jashtë vendit dhe lidhje me rrjetin terrorist IS-i.

Aksioni policor i koduar “Celula” është realizuar në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Strugë. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë theksoi se në aksionin antiterrorist përveç arrestimeve janë bastisur edhe objekte fetare për të cilat besohet se nuk janë nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

"Në kuadër të këtij operacioni antiterrorist janë arrestuar persona që dyshohen se kanë lidhje me rrjetin terrorist IS-i. Ata akuzohen për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, formacionet paraushtarake dhe policore. Gjatë aksionit policor janë konfiskuar 38 kompjuterë, 18 laptopë, 119 telefona celularë që do të shërbejnë si prova materiale“, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov duke shtuar se hetimet kundër këtij grupi kishin nisur që nga shtatori i vitit të kaluar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov

Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov

Kreu i MPB-së tha se në mes të të arrestuarve dyshohet të jetë një nga ideologët kryesorë të rekrutimit të personave nga Maqedonia për në luftërat në Siri dhe Irak.Sipas informacioneve të policisë maqedonase 16 persona kanë humbur jetën në vatrat e luftës në Siri dhe Irak, kurse numri i atyre që marrin pjesë apo që kanë marrë pjesë sillet në rreth 130 vetë.

IS-i nuk ka agjë të përbashkët me islamin

Lidhur me aksionit policor "Celula" me anë të një komunkate ka reaguar Bashkësia Islame e Maqedonisë. Bashkësia Islame është e shqetësuar për shkak të pretekstit të këtij aksioni, që ndërlidhet me të ashtuquajturin "Shteti Islamik". Bashkësia Islame që në fillimit e krijimit të këtij fenomeni, ka pasur qëndrim të qartë dhe të prerë, se IS-i nuk përfaqëson fenë islame.

“Në radhët tona terrorizmi asnjëherë nuk ka qenë i mirëseardhur, sepse vlerësojmë se terrorizmi është kulminacion i kriminalitetit, aq më tepër kur ai bëhet në emër të fesë. Andaj inkurajojmë funksionimin e shtetit juridik, që të punojë në çrrënjosjen e ekstremizmit dhe dhunës dhe u bëjmë thirrje gjitha subjekteve ndërkombëtare dhe asociacioneve të ndryshme që veprojnë në këtë drejtim, ta llogarisin Bashkësinë Islame të Maqedonisë si aleat të mirëfilltë në këtë punë urgjente”, thuhet në komunikatë.

Monitorim ndërkombëtar i procesit

Nga partitë politike e vetmja që ka reaguar është lëvizja “Besa”. Ajo dënon çdo veprim antiligjor por njëherësh kërkon nga autoritetet që ky rast të mos keqpërdoret për përfitime ditore politike.

“Meqë autoritetet e Maqedonisë janë dëshmuar se keqpërdorin sistemin e drejtësisë duke sajuar dhe montuar procese, veçmas kur bëhet fjalë për shqiptarët, kërkojmë nga organizatat ndërkombëtare që ta monitorojnë këtë proces që të pamundësohet secila formë e abuzimit me ligjin dhe rastin në fjalë”, thuhet në reagimin e lëvizjes "Besa".

SHBA do të ndihmoj rajonin për të luftuar IS-in

Ambasada e SHBA-së në Shkup përmes një deklarate për shtyp thotë se mbështet operacionin policor për të ndaluar lëvizjen e luftëtarëve terroristë drejt rajoneve të konfliktit, si dhe përpjekjet për të frenuar dhunën dhe për të luftuar fuqimisht ekstremizmin e dhunshëm.

“Operacioni ndihmon përpjekjet rajonale dhe botërore për t'i dhënë fund murtajës së terrorizmit. Çdo vend ka rolin e vet në shkatërrimin dhe mundjen e IS-it. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë Maqedoninë dhe shtetet tjera në rajon dhe në botë në përpjekjet e tyre për të luftuar IS-in”, theksohet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.

Maqedonia të reagojë me shpejtësi për këto fenome

Eksperti për çështje të sigurisë, profesor Vlladimir Pivovarov, vlerson se aksioni policor për arrestimin e personave që dyshohet se marrin pjesë apo mbështesin logjistikisht luftimet e IS-t është tepër i vonuar, sepse nga aspekti i sigurisë këto veprime duhen parandaluar që në etapën e parë të veprimit të tyre.

“Maqedonia miratoi e fundit në rajon ligjin për dënimin e shtetasve që marin pjesë në luftra jashtë vendit ndërsa ndërkohë shumë bashkëqytetarë tanët humbën jetën atje ndërsa një numër i konsiderueshëm luftonte në anën e IS-it. Bashkësia Islame në Maqedoni disa herë paralajmëroi se në xhamitë e Shkupit bëhet rekrutim i personave që luftojnë në Lindjen e Afërt, por autoritetet vendore, konkretisht policia, nuk ndërmori asgjë”, vlerson Vlladimir Pivovarov.

Gjykata Themelore në Shkup, pas shqyrtim të fakteve dhe të dëshmive të propozuara nga Prokuroria Themelore dhe pas marrjes në pyetje të të arrestuarve në prani të avokatëve të tyre ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet, për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas Kodit Penal të Maqedonisë pjesëmarrja e shtetasve të Maqedonisë në operacione ushtarake jashtë vendit, dënohet me burg prej më së paku 5 vjet. Dënime me burg parashihen edhe për ata që nxisin apo rekrutojnë persona të tjerë për pjesëmarrje në aktivitete luftarake jashtë vendit.