1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290110 Iran Hinrichtungen

1 Shkurt 2010

Është hera e parë që në Iran kryhen ekzekutime, që prej fillimit të protestave kundër zgjedhjeve presidenciale në Iran. Dy burra, që u quajtën "armiq të Zotit" akuzohen se kishin planifikuar përmbysjen e pushtetit.

https://p.dw.com/p/LoVa
Policia iraniane duke përgatitur një ekzekutim publik në Tehran
Policia iraniane duke përgatitur një ekzekutim publik në TehranFotografi: picture-alliance/dpa

Ai ishte 17 vjeç kur e arrestuan, kur mbushi moshën 19 vjeç e ekzekutuan. Ai quhej Arash Rahmanipur dhe u var të enjten në Iran si "Mohareb", si "armik i Zotit". Së bashku me të u ekzekutua edhe një i akuzuar i dytë, 39 vjeçarin Mohamed Reza Ali Zamani. Në bazë të aktakuzës, të dy burrat u ekzekutuan për "shkak të anëtarësisë në grupe të armatosura opozitare dhe tentativës për përmbysje."

Dy burrat dolën në gusht para gjykatës, së bashku me opozitarë të tjerë, të cilët morën pjesë në protestat e korrikut kundër zgjedhjeve të kontestueshme presidenciale.

Protesta në Iran
Protesta në IranFotografi: anonym

Akuza të rreme

Por Arashi nuk mund të kishte marrë pjesë në demonstrata, sepse në atë kohë ai ndodhej në burg, tha avokatja e tij, Nasrin Sotudeh: "Informacionet që jepen në faqen e internetit të gjyqit të revolucionit të çojnë në rrugë të gabuar. Mandanti im dhe i akuzuari i dytë, Ali Zamani u arrestuan në mars 2009, pra dy muaj para zgjedhjeve presidenciale. Arash Rahmanipouri ishte minoren, kur e arrestuan."

Ahmad Khatami: Për "armiqtë e Zotit", dënim me vdekje

Pak pas zgjedhjeve presidenciale dhe valës së parë të protestave verën e kaluar, mbështetësi i vijës së ashpër, ajatollahu me influencë Ahmad Khatami kërkoi që demonstruesit të trajtohen si "armiq të Zotit". Në legjislacionin iranian, për "armiqtë e Zotit" është parashikuar dënimi me vdekje. Tani kjo thirrje po ndiqet për herë të parë nga vepra. Vëzhguesit i shohin këto ekzekutime, dy javë para përvjetorit të revolucionit islamik të vitit 1979, si paralajmërim ndaj kundërshtarëve të regjimit, të cilët kanë bërë thirrje për protesta të reja.

Kurban i organeve të drejtësisë

Nasrin Sotudeh për ekzekutimin e mandantit të saj: "Nuk kishte dëshmi për akuzat kundër Arash Rahmanipourit. Drejtësia thjesht vendosi që ta sakrifikojë atë në rrëmujën e trazirave."

Procese farsë në Iran
Procese farsë në IranFotografi: AP

Ekzekutimin e Rahmanipourit nuk e prisnin as avokatja, as opozitarët: "Lajmi i fundit që kishim ishte: Gjykata më e Lartë na njoftoi se ky rast, për shkak të mungesës së dëshmive ishte kthyer mbrapsht në gjykatën e revolucionit, në mënyrë që kjo instancë e parë t'i përfundojë hetimet plotësisht. Ne prisnim që dokumentet të riparaqiteshin te gjykata e revolucionit, në mënyrë që të vazhdojmë punën. Kurse sot, unë mësova nga faqet shtetërore të internetit, që Arash Rahmanipourin e kanë ekzekutuar.", u shpreh Nasrin Sotudeh.

Vendim dhe ekzekutim i fshehtë

Familjen e të ekzekutuarit gjithashtu nuk e informuan për dënimin: Ishte një vendim i fshehtë dhe një ekzekutim i fshehtë. As mua, as familjes së mandantit tim nuk iu njoftua që dënimi me vdekje u konfirmua, megjithëse ne jemi interesuar vazhdimisht për gjendjen aktuale të hetimeve dhe të procesit gjyqësor", tha avokatja Sotudeh.

Opozitarët janë tani të shqetësuar për jetën e nëntë personave të tjerë, kundër të cilëve është shqiptuar gjithashtu dënimi me vdekje. Procese të tjera gjyqësore kundër kritikëve të arrestuar të regjimit ende nuk kanë përfunduar.

Thirrje bashkësisë ndërkombëtare

Në trazirat më të fundit në Iran u arrestuan më shumë se 4 mijë demonstrues. Prandaj, mbajtësa e Çmimit Nobel të Paqes, Shirin Ebadi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare: "Për t'i shpëtuar këta njerëz unë u bëj thirrje organizatave ndërkombëtare që të na ndihmojnë. Dëshiroj t'i tërheq vëmendjen edhe Komisionit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, se mbajnë përgjegjësi për jetën e të burgosurve politikë në Iran. Çdo lënie pas dore nga ana e tyre mund të çojë në ekzekutimin e këtyre njerëzve."

Autor: Fahimeh Farsai/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani