1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Armiku numër një i popullit" - Rudi Dutschke dhe lëvizja e 68-ës në Gjermani

Dorothea Jung1 Korrik 2008

Demonstrim, revolucion, protesta studentësh - përpara 40 vjetësh në Gjermaninë Perëndimore studentët dolën në rrugë për të demonstruar për një shoqëri të re. Fillimi i revolucionit të 68-ës në Berlin.

https://p.dw.com/p/EUKX
Rudi Dutschke gjatë një protetste në Berlin në vitin 1968Fotografi: AP

Sot raporti ndaj të vetëquajturës opozita jashtëparlamentare është i dyjëzuar. Për disa "Lëvizja e 68-ës" shënon një pikëkthese në Republikën Federale: shkëputjen nga konvencionet e rrepta të viteve të pasluftës dhe modelin për një qëndrim të ri ndaj lirisë së mendimit dhe të drejtave demokratike. Ndërsa për disa të tjerë "68" është më shumë një simbol i frikshëm, sepse opozita jashtëparlamentare pak vite më vonë u shndërrua në terrorizmin e majtë.

Lëvizja e studentëve në Gjermani nis një vit përpara 1968. Shkëndija e parë e protestës së studentëve u dha qershorin e 1967-ës, kur studenti pacifist Benno Ohnesorg qëllohet për vdekje nga një polic gjatë një demonstrate në Berlin. Kjo ngjarje konsiderohet në Gjermani si shkqëndija për krijimin e opozitës jashtëparlamentare të emërtuar shkurt "APO". Figura qendrore e lëvizjes studentore u bë studenti 27 vjeçar i sociologjisë Rudi Dutschke. Dutschke merr pjesë aktive në pothuajse të gjitha protetstat e mëdha të grupimit studentor APO. Edhe në kongresin e Berlinit kundër Luftës së Vjetnamit, në shkurt 1967 Dutschke është në krye të aksionit.

Bildgalerie Deutschland Ausstellung Kunst und Revolte in Berlin
Fjalimi i Rudi Dutschke-s në Freie Universitet të Berlinit në përgatitje të protestës ndërkombëtare kundër luftës së SHBA në Vjetnam, Berlin 20 tetor 1967Fotografi: Michael Ruetz


Dutschke: "Revolucionarizimi i revolucionarëve është kushti vendimtar për revolucionarizmin e masave. Rroftë revolucioni botëror dhe shoqëria e krijuar prej tij, një shoqëri e lirë e individëve kjo dhe jo vetëm e një fshati."


Rudi Dutschke është i bindur, që SHBA luftën kundër Vjetnamit e bëjnë si përfaqësues të sistemit kapitalist. Si rjedhojë protestat e APO drejtohen jo vetëm kundër SHBA, por edhe kundër kapitalizmit në përgjithësi. Studentët simpatizojnë hapur Vjetnamin në demonstrimet e tyre. Emri i udhëheqësit vjetnamez Ho Chi Minh, për të cilin brohoritej nëpër protetsta shndërohet në një simbol të lëvizjes.


Mediet regojnë në përgjithësi me qëndrim refuzues ndaj protestës së studentëve. Kryesisht në Berlin, ku publikimet e shtëpisë botuese konservatore Axel-Springer kanë 70% të tregut. Shtypi i kompanisë Springer, në radhë të parë gazeta bulevardeske "Bild", përdor një gjuhë jo fort joshëse për studentët:

"Ekstremistë, radikalistë, gardistë të kuq, provokue sskandalesh", këto janë epitetet e gazetës "Bild" në për studentët.


Dy ditë pas demonstratës kundër Luftës së Vjetnamit të lëvizjes APO, senati i Berlinit bën thirrje për një manifestim pro-amerikan. Në manifestim marrin pjesë mbi 80.000 vetë. Në valën e këtij manifestimi një student që i ngjan Rudi Dutschke-s sulmohet nga masa. Me shumë mundim policia arrin ta mbrojë atë.

BdT Gedenken an Rudi Dutschke
Fotomontazh: biçikleta e Rudi Dutschke-s në vendin e atentatit dhe përkujtimi 40 vjet më vonë, më 11.04.2008 në BerlinFotografi: Picture-Alliance /dpa


Kjo është atmosfera në Berlin, kur më 11 prill 1968 dikush i flet Rudi Duschke-s në rrugë. Një burrë e pyet atë: "Jeni ju Rudi Dutschke?" Kur ai e pohon këtë burri i ulërin: "Ti qelbësirë, derr komunist!" dhe pas kësaj nxjerr revolverin dhe qëllon. Plumbat e godasin Rudi Dutschke-n në kokë. Një dëshmitar rrëfen: "Ne menduam, se po qëllohej ndaj pëllumbave, por më pas pamë një burrë që vraponte e pas kësaj pamë Dutschke-n të shtrirë në tokë. Ai u ngrit në këmbë dhe thërriste nënën dhe babain e tij duke thënë "duhet të shkoj tek berberi", ai eci kështu nja 50 metra dhe pastaj ra në tokë, fjalët e tij të fundit ishin: 'ushtarët, ushtarët.'


Po atë mbrëmje përpara selisë së koncernit botues Axel-Springer në Berlin Kreuzberg u mblodhën mijrëa studentë, që thërrisnin: "Vrasës, Springer!"


Tronditja është e thellë që shkaktoi sulmi ndaj Rudi Dutschke-s, i cili gëzonte simpatinë e opozitës jashtëparlamentare. Publicistja Katharina Rutschky, asokohe shoqe ideali e Rudi Dutschke-s, kujton: "Ai ishte karizmatik dhe dukej si një njeri i pafajshëm, i hapur dhe me karakter. Ai rezatonte të renë, besimin dhe të gjithë e donin Dutschke-n, sepse atij mund t´i besonin."


Atentatori dënohet me shtatë vjet burg. Pas dy vjetësh ai kryen vetëvrasje. Rudi Dutschke i mbijetoi të shtënave i plagosur rëndë dhe vdiq dhjetë vjet më vonë prej pasojave të atentatit.


Sulmi ndaj Rudi Dutschke-s është si një pishtar për opozitën jashtëparlamentare, vë në dukje deputeti i të gjelbërve Christian Ströbele, i cili asokohe protestonte me të tjerët përpara koncernit Axel-Springer: "Kjo ishte një ngjarje, që gjeti jehonë në mbarë federatën. Pas kësaj pati demonstrata në dhjetra qytete gjermane, madje edhe demontsrata të mëdha. Nuk duhet të harrojmë, që Rudi Dutschke ishte i dyti nga radhët e studentëve. Në fakt ne kishim të njëjtën linjë, thuajse një vit përpara tij u vra nga dora e një polici në demonstratën në Berlin kundër Shahut të Persisë studenti Benno Ohnesorg."


Të shtënat ndaj Rudi Dutschke-s shënojnë edhe një pikëkthese në historinë e opozitës jashtëparlamentare. Një pjesë e kësaj lëvizjeje u radikulizua pas këtij atentati. Në maj po të vitit 1968 u demonstrua në mbarë vendin dhe pati trazira të ashpra kundër ligjit të qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme. Dy vjet më vonë shumë antarë të lëvizjes kaluan në skenën e ilegalitetit duke iu bashkangjitur organizatës terroriste Fraksioni i Ushtrisë Kuqe. Të tjerë filluan të angazhohen nëpër institucione, parti dhe iniciativa qytetare për ndryshimin e shoqërisë gjermane me mjete demokratike.