1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Armët gjermane lëvizin pa u ndjerë

Katari kërkon tanke gjermanë. A do t'i marrë ato Emirati? Nëse po, opinioni publik do ta mësojë vetëm pas përfundimit të transaksionit. Në Gjermani thuajse asgjë nuk mbahet aq sekret sa eksporti i armatimeve.

Një vit më parë, në korrik 2011, gazetat gjermane informonin se qeveria gjermane kishte miratuar shitjen e 200 tankeve luftarake Arabisë Saudite. Lajmi nuk u konfirmua kurrë. Edhe vetë Parlamenti gjerman, një nga detyrat e të cilit është kontrolli i qeverisë, do të mësojë vetëm në fund të vitit nëse mbretërisë saudite i janë livruar tanket e tipit Leopard 2. Atëherë qeveria gjermane do të prezantojë raportin për eksportin e armatimeve për vitin 2011.

Dhjetorin e kaluar parlamentarët dhe opinioni publik mësuan nga raporti për eksportet e armatimeve në 2010, se Arabia Saudite është e dhjeta në listën e importuesve më të rëndësishëm të armatimeve gjermane. Prodhuesit gjermanë kishin livruar armë zjarri të vogla, municione dhe paisje ushtarake komunikacioni. Tanku i tipit Leopard 2, një nga mallrat gjermane të armatimit më të preferuara në botë, ishte shitur ndër të tjera në Kili, Singapor dhe Turqi.

Në 2010 eksportuesi i tretë më i madh në botë

Mall i lakmuar eksporti - tanku Leopard 2

Mall i lakmuar eksporti - tanku Leopard 2

Me eksporte të armatimeve ushtarake në vlerë prej 2,1 miliardë eurosh Gjermania ishte në vitin 2010 eksportuesi i tretë më i madh i armatimeve në botë, pas SHBA-së dhe Rusisë. Por më shumë se gjysma e kësaj shumë i takonte livrimit të tri anijeve të luftës vendeve partnere në NATO, Portugalisë dhe Greqisë.

Eksportet e armatimeve në shtetet e NATO-s, në "vendet e barabarta me NATO-n" Australi, Japoni, Zelandë e Re dhe Zvicër si dhe në shtetet anëtare të BE-së miratohen si parim gjithnjë. Për të gjitha eksportet e tjera ka rregulla të sakta në ligjin për kontrollin e armëve të luftës, në ligjin për tregtinë me jashtë, në kodin e sjelljes së BE-së për eksportet e teknologjisë ushtarake si dhe në direktivat e përcaktuara nga qeveria gjermane për eksportet e armatimeve. Kështu nuk lejohen transportet në vende në të cilat sundon ose kërcënon të shpërthejë luftë ose luftë civile. Përjashtimet e vetme janë luftimet me mandat të OKB-së.

Të drejtat e njeriut në qendër

Në direktivat për eksportet e armatimeve thuhet veç kësaj se miratimi nuk vihet në pyetje "nëse ekziston dyshimi i mjaftueshëm i abuzimit për represion brenda vendit ose në rast shkeljesh të vazhdueshme dhe sistematike të të drejtave të njeriut. Për këtë pyetje situata e të drejtave të njeriut në vendin importues luan një rol të rëndësishëm."

Në përgjithësi direktivat bëjnë dallim mes "armëve të luftës" dhe "mallrave të tjera të armatimit". Eksporti i armëve të luftës, ku bëjnë pjesë edhe tanket e luftës, "si rregull nuk miratohet, me përjashtim të rasteve kur interesa të posaçme të Republikës Federale në politikën e jashtme ose të sigurisë, duke pasur parasysh interesat e aleancës, flasin për dhënien e një lejeje si rast i veçantë."

Vendime në rreth shumë të ngushtë

Protesta kundër eksporteve gjermane të armatimeve para ndërtesës së parlamentit në Berlin. 06.07.11

Protesta kundër eksporteve gjermane të armatimeve para ndërtesës së parlamentit në Berlin. 06.07.11

Vendimi për miratimin e një eksporti armësh nuk prek madje as gjithë qeverinë, por vetëm një komision qeveritar, Këshillin Federal të Sigurisë. Aty bëjnë pjesë krahas kancelares, shefi i zyrës së kancelares si dhe ministrat e jashtëm, Mbrojtjes, Financave, Sigurisë, Drejtësisë, Ekonomisë dhe Zhvillimit. Shefi i zyrës së presidentit merr pjesë në takimet e këshillit në rolin e vëzhguesit.

Parlamenti mund të mësojë vetëm më pas, me një vit vonesë, nga raporti i qeverisë për eksportet e armatimeve, nëse qeveria ka respektuar direktivat e saj. Disa muaj më vonë në parlament debatohet për raportin. Atëherë opozita si rregull kritikon qeverinë se i ka dhënë më shumë rëndësi sa duhet interesave të aleancës dhe se e ka vlerësuar më pozitive nga sa është gjendjen e të drejtave të njeriut në vendet importuese.

Opozita nuk mungon të kërkojë edhe kontrollin paraprak të eksporteve të armatimeve nga parlamenti. Por pas ndryshimit të qeverisë kjo harrohet përsëri shpejt.