1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Armët europiane zotërojnë tregun amerikan

Pas çdo masakre që ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa thotë se fajin e ka kultura e armëve dhe dhunës. Por nga ana tjetër kompanitë europiane u shesin armë amerikanëve.

Demonstrata për ligj më të rreptë armësh në SHBA

Demonstrata për ligj më të rreptë armësh në SHBA

Nuk është përmendur shpesh, por kompanitë europiane të prodhimit të armëve prej kohësh kanë luajtur një rol negativ në masakrat e ndodhura në SHBA dhe këto kompani janë mbështetësit më të mëdhenj të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) në SHBA. Në masakrën më të fundit të ndodhur në dhjetor të vitit të shkuar në Newton, Konektikat, ku humbën jetën 20 fëmijë dhe tetë të rritur, u përdorën armë austriake nga kompania Glock dhe armë gjermane të kompanisë SigSauer.

Një armë e markës Glock u përdor gjithashtu edhe në kinemanë Aurora në Kolorado në Korrik 2012, ku u vranë 11 persona. 

Një armë gjysëm-automatike e prodhuesve austriakë u përdor edhe në masakrën e Janarit 2011 në Tukson, Arizona, ku u vranë gjashtë persona dhe u plagos rëndë kongresmenia Gabrielle Giffords.

Dy armë të prodhuesit Italian Beretta u përdorën për të vrarë 14 persona në Binghamton, New York në Prill të vitit 2009.

Dhe masakra më e rëndë e kryer nga një person i vetëm në historinë e SHBA-së është kryer gjithashtu me armë europiane. Ai që vrau 33 persona në Virginia Tech në vitin 2007 ishte i armatosur me një armë gjermane, Walther dhe një austriake, Glock . Të gjitha armët ishin blerë në mënyrë të ligjshme.

Kjo listë është vetëm maja e ajsbergut. Armët europaine nuk kanë luajtur vetëm një rol negativ në këto masakra, por ato janë mjaft të shitura në tregun amerikan.

Europa zotëron një të kartën e shitjeve në tregun amerikan

“Nëse shikojmë shifrat e vitit 2010, ky është viti që kem një pasqyrë shumë të saktë të shifrave sa i përket tregut civil të armëve, pra duke përjashtur tregun ushtarak, vemë re se 26% e armëve që hyjnë në treg vijnë nga Europa,” thotë për DW Nicholas Marsh, ekspert armësh nga Instituti i Kërkimeve për Paqe në Oslo.

Me zotërimin e çerekut të shitjeve në tregun civil, Europa është shitësi më i madh  i në tregun amerikan të armëve, duke mposhtur konkurentët nga Azia dhe Amerika Latine. Sipas shifrave më të fundit qeveritare nga Zyra e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të Zjarrit (ATF), nga 8 milionë armë të shitura, 2 milionë mbanin marka europiane.

Obama kërkon ligje më të ashpra për armët

Obama kërkon ligje më të ashpra për armët

Më shumë se dhjetë vende evropiane eksportojnë armë në SHBA, si Polonia, Portugalia, Bullgaria dhe Britania.  Por pjesën e luanit e marrin këto tre vende: Austria, Italia dhe Gjermania.

Duke eksportuar 434,374 armë zjarri gjatë vitit 2010 në Shtetet e Bashkuara, Austria mban vendin e parë.  Italia ka eksportuar 285,083 armë zjarri për tregun civil në SHBA, ndërsa Gjermania rënditet e treta me 266,688.

Varësi nga shitjet në tregun e SHBA-së

Pjesa më e madhe e prodhuesve të armëve në Europë janë privatë, prandaj ata përqëndrojnë aktivitetin e tyre në tregun amerikan dhe kanë synim për të rritur eksportet atje. Sipas grupit tregtar Fondacioni Kombëtar i Sporteve me Armë, tregu civil i armëve është rreth 4 miliardë Dollarë (3 miliardë Euro) në vit. Pra është tregu më i madh në botë. Amerika për kompanitë europiane është një biznes shumë fitimprurës sepse zotërojnë çerekun e kësaj shume.  

“Ata janë shumë të rëndësishëm dhe shembulli më ekstrem është Kroacia,” – shpjegon Marsh. Ky shtet mban vendin e katërt në rënditjen e eksportuesve europianë të armëve gjatë vitit 2010, sipas shifrave të ATF-së, me 239,021 armë të markës HS Produkt.  “Ne kemi bërë një studim disa vite më pare dhe 98 % e të gjithë eksporteve të Kroacisë shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,”- shton Marsh.

Autor: Michael Knigge/ Amarildo Topi

Redaktoi: Auron Dodi