1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Armët bërthamore mbeten në Gjermani

Në fshatin Büchel në Eifel ndodhen 20 bomba atomike amerikane. Një banore kërkon, që armët të zhduken nga Gjermania. Padia e parë u hodh poshtë nga gjykata. Tani duhet të vendosë instanca tjetër.

Avionë të Bundesverit do të transportonin në rast nevoje bombat atomike

Avionë të Bundesverit do të transportonin në rast nevoje bombat atomike

Vendi i vogël idilik në Eifel Büchel konsiderohet si i vetmi vend, ku në Gjermani mbahen ende të depozituara bombave bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duhet të jetë fjala për rreth 20 koka shpërthyese të tipit B-61. Fuqia shpërthyese e tyre është 15 herë më e madhe se bomba e Hiroshimës. Zyrtarisht askush nuk e konfirmon depozitimin pranë një aeroporti të Bundeswehr-it, por ai as nuk kundërshtohet. Një banore ankohet tani para Gjykatës Administrative të Këlnit. Ajo do që armët bërthamore të zhduken përgjithmonë nga Gjermania. Gjykata e hodhi poshtë kërkesën. ( 20.7.2011) Tani procesi do të shkojë në një instancë më lart, nëse është e nevojshme deri në Gjykatën Kushtetuese Gjermane.

Vendndodhja e armëve bërthamore

Büchel ndodhet në Eifelin idilik

Büchel ndodhet në Eifelin idilik

Tornadot, bombarduesit e Bundeswehrit, fluturojnë çdo ditë për dy orë ulët dhe me shpejtësi mbi shtëpinë e Elke Koller. Çdo fluturim i çon në mend ish-farmacistes se në aeroportin ushtarak aty pranë bëhen prova për përdorimin e armëve të fundit bërthamore në Gjermani. Nëna e dy fëmijëve, tashmë të rritur, nuk mund ta kuptojë, përse ushtarët gjermanë së bashku me forcat amerikane ushtrohen për përdorimin e armëve, të cilat sipas një ekspertize të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vlerësohen në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare: “Tani që po jua them këtë, bëhem keq dhe ndjej një zemërim të madh, që shteti bën diçka të tillë me ne qytetarët. Thjesht na vë në rrezik."

Instanca e parë e refuzon kërkesën

Elke Koller ka ngritur padi

Elke Koller ka ngritur padi



Në tryezën e kuzhinës të Elke Koller ndodhet një shënim i shkurtër, ku thuhet se këtë javë është refuzuar kërkesa e saj për tërheqjen e armëve bërthamore. Arsyeja: Frikësimi bërthamor dhe pjesëmarrja e gjermanëve në të nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare: “Sigurisht që jam e zhgënjyer. Por unë jam gjithashtu realiste. Unë nuk e kam pritur me të vërtetë që instanca më e ulët e një gjykate administrative, ka guximin të hedhë në gjyq qeverinë federale."

Elke Koller nuk do të heqë megjithatë dorë. Ajo mbështetet nga Shoqata Ndërkombëtare e Juristëve kundër Armëve Bërthamore. Së bashku me ta ajo do të shkojë deri në gjykatën më të lartë gjermane, Gjykatën Federale Kushtetuese: "Tani më thërrasin njerëz krejtësisht të panjohur dhe më japin guxim, sepse unë mendoj se për shumë njerëz është inkurajim të shohin, se dikush ngrihet kundër qeverisë dhe nuk pranon çdo gjë."

Banorët pro dhe kontra paditëses

Në fshatin e vogël idilik Büchel në mes pyjeve dhe fushave shumë nga banorët nuk mund ta kuptojnë padinë qe Elke Koller ka bërë kundër bombës atomike: "Kur flas me njerëzit në fshatra, ka shumë, që thonë: "Po, në fakt edhe unë jam për atë që këto gjëra të largohen, por mos i thoni të lutem komshiut tim, se punon atje.” Pra, është pak a shumë një shtypje e mendimit privat dhe publik. Edhe kjo më duket gjë shumë e keqe.”

Kur pyet tek parukierja, nëse është temë diskutimi në dyqanin e saj, ajo përgjigjet: “Jo, tek unë në dyqan, jo. Këtu flitet për gjithçka, por jo për armë bërthamore. Mendoj se ketu vijnë këtu për t'u çlodhur dhe që të ndjehen mirë dhe tema bërthamore është më shumë temë kafenesh dhe rrugësh."

Baza ushtarake në Büchel

Baza ushtarake në Büchel

Aeroporti ushtarak Büchel, ku ruhen dhe mirëmbahen bomba atomike të SHBA, hap gjithsesi 2.500 vende pune. I gjithë rajoni jeton prej tyre.

Qetësi në bashki

Vizitë në bashkinë e qytetit. Kryetari i bashkisë Alfred Steimer ngre sytë me qetësi nga tryeza e tij: "Ne të gjithë flemë shumë të qetë këtu. Detyrat janë këto dhe ne jetojmë me to. Nuk kemi probleme. Në qoftë se Bundesveri, apo amerikanët i kanë me të vërtetë armët, atëherë ato edhe ruhen si duhet."

Në "ditën e dyerve të hapura", ku baza ushtarake Büchel fton shpesh popullsinë, prezantohen avionët, fëmijët mund të ngjiten në kabinën e pilotit. Sigurisht që nuk shihen askund bombat atomike, që duhet të jenë 1 metër e 70 të gjata, me një diametër prej 50 centimetrash. Pyetjet e hollësishme në ushtri nuk janë të mirëseardhura. Madje as nga vetë kryetari i bashkisë: "Jo as mua nuk më tregojnë asgjë. Ushtria nuk thotë asgjë për këtë temë. Kjo është diçka e fshehtë dhe kaq!”

Kryetari i bashkisö së Ulmen, Alfred Steimers

Kryetari i bashkisë së Ulmen, Alfred Steimers

Padia për largimin e armëve bërthamore mund të këtë pasojë që Bundesveri të shpërndajë të gjithë aeroportin ushtarak Büchel në kuadër të planifikimit të masave të kursimit. Politikani i CDU Alfred Steimers nuk ka fjalë me të vërtetë të mira për ngritësen e padisë Elke Koller: "Tani ajo po çmend Zotin dhe botën. Ajo mund të shfrytëzojë të drejtat e saj si qytetare, sa të dojë. Ajo mund të ngrejë edhe padi, por nuk do të merret për këtë arsye më shumë seriozisht në rajon."

Paditësja duhet të ndërrojë vendbanim, nëse ka frikë aq shumë, kërkojnë shumë vetë në fshatrat përreth vendit të depozitimit të bombave bërthamore. Këtë megjithatë e refuzon Elke Koller: "Kudo, Gjermania është e rrethuar nga miq, përse armët janë ende aty. Kështu kam menduar atëherë. Është më e lehtë që të largohen këto armë, se sa për mua për të ndërtuar një jetë të re diku tjetër."

Autor: Wolfgang Dick/Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani