1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Armëpushimi i PKK-së: Paqe me pengesa

Në Turqi po rriten shpresat për t'i dhënë fund konfliktit të kurdëve, qëkurse kreu i partisë kurde të punëtorëve, PKK, Abdullah Exhalan ka bërë thirrje për armëpushim.

Udhëheqësi i burgosur i partisë kurde të punëtorëve Abdullah Exhalan shfrytëzoi rastin e festës kurde të vitit të ri në mars për të bërë thirrje për armëpushim mes PKK-së dhe Turqisë. Rreth 3500 luftëtarë kurdë të PKK-së me qëndrim të Turqi duhet të largohen tani nga Turqia për në Veri të Irakut. Gjatë tri dekadave të shkuara konflikti kurd ka nxitur konfrontime të përgjakshme, duke pasur një bilanc viktimash në njerëz prej mbi 40.000 vetësh.

21.02.2013 me rastin e vitit të ri kurd Abdullah Exhalan bën thirrje nga burgu për armëpushim me Truqinë

21.02.2013 me rastin e vitit të ri kurd Abdullah Exhalan bën thirrje nga burgu për armëpushim me Truqinë

Mesut Yegen, ekspert i çështjes kurde dhe historian në Universitetin Sehir në Stamboll, është optimist, që tani është hedhur hapi i parë drejt paqes: Tre hapat drejt paqes janë "armëpushimi, tërheqja dhe çarmatimi", thekson ai në intervistë për DW.

Deri në mes të majit luftëtarët e parë të PKK-së duhet mbërrijnë në kampin e rebelëve kurdë në Veri të Irakut. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan i ka siguruar ata, se gjatë tërheqjes nuk do të sulmohen prej ushtrisë turke. Megjithatë ai kritikoi, që rebelët kurdë gjatë tërheqjes nuk i kanë dorëzuar armët.

Erdogani u jep shpresë kurdëve

Çarmatimi i PKK-së është problematik, sepse varet nga ndryshimi i kushtetutës, thotë eksperti Yegen. Erdogani mendon ta reformojë legjislacionin kundër terrorit në vend, prej të cilit kanë përfunduar në burg mijëra kurdë. Gjithashtu ai do që neni 42 i kushtetutës turke, që parashikon nalimin e çdo lloj kualifikimi në gjuhën kurde, të hiqet, thotë Yegen.

Autori dhe korrespondenti prej shumë vitesh në Turqi Andrew Finkel e konsideron këtë ndryshim kushtetues si një ndër pengesat më të mëdha, që duhen kapërcyer. "Për partitë politike është shumë e vështirë, që të bien dakord për një ndryshim kushtetues", deklaron ai në intervistë për DW. Gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar në përgjithësi opinioni në Turqi është ambjentuar që çdo lloj kërkese të kurdëve për autonomi apo të drejta kulturore të barazohet me përpjekjet terroriste. Ndaj është e vështirë, që ta bindësh opinionin turk të pranojë lëshime të tilla, mendon Finkel.

Armëpushimi vetëm si një mjet për të arritur qëllimin

Kundër ndryshimeve kushtetuese shprehen në radhë të parë partitë opozitare. Kryetari i partisë më të madhe në opozitë, partia popullore republikane (CHP), Kemal Kilicdaroglu, e ka thënë hapur, se ai druan që Erdogani po e katapulton Turqinë drejt një "katastrofe": Erdogani për interesat e veta do që ta forcojë postin e presidentit, duke synuar drejt këtij posti, nisur nga fakti që ai nuk mund të kandidojë për një mandat të katërt si kryeministër. Kilicdaroglu është i bindur, se Erdogani për arësye taktike i intensifikon kontaktet me Exhalanin, për të fituar votat e zgjedhësve - duke shmangur kësisoj çdo lloj eksesi dhune deri në zgjedhjet e vitit 2014.

Abdullah Exhalan, kryetar i PKK-së, ndodhet në burg qysh nga viti 1999

Abdullah Exhalan, kryetar i PKK-së, ndodhet në burg qysh nga viti 1999

"Këshilla e të urtëve"

Kryeministri Erdogan do tani që ta bindë gjithnjë e më shumë popullsinë turke për rëndësinë e procesit të paqes me PKK-në. Për këtë qëllim ai ka thirrur të ashtuquajturin "këshilli i të urtëve". Ky këshill përbëhet nga artistë, intelektualë, akademikë, gazetarë si dhe nga përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe organizatve civile. Ata kanë për detyrë të sensibilizojnë shoqërinë turke - kundër paragjykimeve ekzistuese - për reformat që duhen ndërmarrë në valën e procesit të paqes me PKK-në.

Por ky këshill ka hasur në kritika. Ai akuzohet për njëanshmëri, sepse në të bëjnë pjesë shumë gazetarë, të cilët qëndrojnë pranë partisë konservatore në pushtet, AKP të drejtuar nga Erdogani.

Paqe deri në fund të 2013?

Ministri turk i Drejtësisë Sadullah Ergin tregohet optimist. Ai deklaroi publikisht, se nga këndvështrimi i tij deri në fund të vitit do të jenë plotësuar tre hapat për paqen me PKK-në - armëpushimi, tërheqja dhe çarmatimi. Nëse PKK-ja ndjek thirrjen e udhëheqësit të vet, luftëtarët e saj deri në gusht duhet të jenë tërhequr nga Turqia, u shpreh Ergin para gezetarëve pak pas thirrjes së Exhalanit për armëpushim.

Edhe eksperti për çështjen kurde Mesut Yegen tregohet optimist: "Krahasuar me qëndrimin që ka ndjekur Turqia në të kaluarën ndaj problemit kurd, ky është një hap i madh. Për herë të parë qeveria turke ka premtuar, se nuk do të ndërhyjë gjatë tërheqjes së PKK-së." Ndonëse ende nuk mund të flitet për zgjidhjen e problemit, këto janë bisedimet më serioze të zhvilluara ndonjëherë për problemin e kurdëve.