1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Armëpushim i brishtë për Pashkët në Ukrainën Lindore

Megjithë armëpushimin për Pashkët, gjendja në Lindje të Ukrainës është shkallëzuar. Në afërsi të Slavjanskut u vranë të dielën të paktën katër vetë. Në vende të tjera, qeveria e Ukrainës çarmatosi personat e parë.

Dy ditë pas dakordimit në Gjenevë, autoritetet ukrainase raportuan çarmatosjen për herë të parë të personave me uniforma të armatosur në Lindje të vendit. Sipas ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Arsen Avakov, në qytetin Luhansk u arrestuan pa shkaktuar gjakderdhje tri persona me automatikë. Sipas të dhënave të shërbimit të fshehtë të Ukrainës, SBU, në qytetin Shitomir në veri të vendit anëtarë të organizatës ultranacionaliste Sektori i Djathtë dorëzuan 21 arka me lëndë djegëse.

Një shkëmbim zjarri me të paktën një të vrarë ka pasur në afërsi të Slovjanskut, në rajonin e Donetskut. Sipas të dhënave të televizionit shtetëror rus dhe të milicëve prorusë janë vrarë të paktën katër ose pesë vetë, kur në një barrikadë në rrugë pati një shkëmbim zjarri. Tre nga të vrarët thuhet se janë luftëtarë prorusë, i vrari tjetër është nga sulmuesit. Televizioni shtetëror rus tha se janë vrarë dy nga sulmuesit. Se cilët kanë qenë sulmuesit, kjo nuk dihet. Slavjanskin e kontrollojnë separatistët.

Qeveria e Ukrainës pati bërë të ditur se do t'i ndërpresë deri pas Pashkëve misionet ushtarake kundër milicëve - edhe për t'u dhënë atyre kohë që të përgatiteshin për vënien në jetë të planit të paqes. Ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe të Rusisë ranë dakord të enjten në një takim në Gjenevë, së bashku me ministrin e Jashtëm të SHBA, John Kerry dhe të Ngarkuarën me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton për "çarmatosjen e grupeve ilegale", largimin nga godinat e pushtuara dhe për një amnesti.

Milicët në Lindje nuk duan t'i dorëzojnë armët

Në Slavjansk dhe në qytetet e tjera të Ukrainës Lindore, megjithatë milicët prorusë refuzojnë që t'i dorëzojnë armët dhe që të zbrazin godinat e pushtuara. Një përfaqësues i milicëve tha se nuk e ndien veten të detyruar nga marrëveshja e Gjenevës.

Ndërkohë, gjendja në ish-Republikën sovjetike të Ukrainës vazhdon të jetë në qendër të politikës ndërkombëtare. Rusia ka stacionuar rreth 40.000 ushtarë të gatshëm për luftë në rajone kufitare me Ukrainën. Për të mbrojtur vetveten, tha një zëdhënës i Kremlinit. Por ai e kundërshtoi kritikën që Moskë synon të ndërhyjë në konflikt.

Si reagim ndaj lëvizjes së trupave ruse, SHBA sipas CNN-it kanë planifikuar javët e ardhshme manovra të përbashkëta ushtarake në kufijtë e Polonisë dhe Estonisë me Rusinë.Ministri i mbrojtjes i Polonisë, Tomasz Siemonak pati bërë të ditur që të enjten, pas bisedimeve me kolegun e tij amerikan, Chuck Hagel, se plane të tilla do të paraqiten shpejt. Polonia do të luajë nën mbikqyrjen e SHBA një rol qendror në manovra, i tha ministri gazetës "Uashington Post".

Steinmeieri paralajmëron për rrezikun e sanksioneve të reja

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Steinmeier paralajmëron ndërkohë që konflikti i Ukrainës të mos acarohet me kërcënime për sanksione ndaj Rusisë. "Unë dëshiroj nganjëherë që i njëjti angazhim, i cili tregohet në debatin për sanksionet, të tregohet edhe në shmangien e acarimit", i tha Steinmeier-i gazetës "Bild am Sonntag".

Nga pala gjermane ishte së fundi ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen që e kërcënoi Rusinë me sanksione më të ashpra për rastin nëse qeveria ruse nuk i përmbahet marrëveshjes së Gjenevës për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.