1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Armë digjitale nga Gjermania

Firmat gjermane furnizojnë edhe regjimet autoritare me teknologji përgjimi. Eksporti i tyre deri tani nuk ka patur kufizim. Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe opozitarët bëjnë thirrje për rregulla më të rrepta.

Houssam Aldeen ishte i kujdesshëm. Pas shërbimit të tij dy vjet e gjysëm në ushtrinë siriane, ai e njihte mirë teknologjinë e survejimit. Gazetari i pavarur, që punonte në Damask, kishte hapur disa adresa emaili fallse dhe e përdorte internetin vetëm nga vendet publike. Megjithatë ai u arrestua. Ai u akuzua për shkëmbim informacioni me organizatat e huaja. Me sa duket, shërbimi sekret sirian kishin përgjuar bisedat e Aldeenit, i cili punonte edhe si përkthyes për gazetarët e huaj.

Bazën teknike për një monitorim të plotë të telefonave, telefonave celularë dhe kompjuterave e ofrojnë edhe firmat nga Gjermania. Kështu kompania siriane e telefonisë mobile Syriatel në vitin 2010 e mori teknologjinë e survejimit nga Siemens-i. Edhe nga Bahraini janë të njohura rastet, në të cilat teknologjia e survejimit nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara është përdorur për të spiunuar disidentët. Në Libi dhe Egjipt janë gjetur prova të sakta se teknologjia perëndimore e përgjimit është përdorur për këtë qëllim.

Teknologjia e përgjimit "made in Germany"

Me teknologjinë e duhur fjalëkalimet zbërthehen shpejt

Me teknologjinë e duhur fjalëkalimet zbërthehen shpejt

Firmat gjermane janë ndër ofruesit kryesorë të teknologjisë së përgjimit. Ajo ndihmon në luftën kundër kriminelëve dhe terroristëve, është argumenti i prodhuesve. Kompjuterët dhe telefonat mund të përgjohen. Software specialë mundësojnë përgjimin e sms-ve. Gjithashtu është i mundur zbulimi i vendndodhjes së njerëzve, spiunimi i komunikimit në internet dhe zbulimi i fjalëkalimeve.

Por e rënë në duar të gabuara teknologjia e përgjimit kthehet shpejt një "armë digjitale", thotë Christian Mihr, drejtor menaxhues i "Reporterëve pa kufij", në një intervistë me Deutsche Welle. Organizata e gazetarëve akuzon firmat perëndimore se u ofrojnë teknologji sigurie shteteve autoritare. Këto shfrytëzojnë pajisje elektronike për të gjurmuar dhe burgosë kritikët.

Rregulla jo të forta për eksportin

Për shitjen e teknologjisë së përgjimit ndryshe nga rasti i tregtisë me armët konvencionale në nivel kombëtar dhe të BE nuk ka kufizime eksporti. Në disa raste të veçanta firmat gjermane duhet të aplikojnë një leje për eksport. Vetëm eksportet në vendet me embargo, si Siria apo Irani, janë momentalisht të kufizuara. Kompanitë gjermane u nënshtrohen më shumë kufizimeve morale se sa atyre ligjore.

Deputeti gjerman Jan van Aken

Deputeti gjerman Jan van Aken

Këtë e tregon shembulli Trovicor: Sipërmarrja IT e dalë në vitin 2009 nga Nokia Siemens me qendër në Mynih prodhon të ashtuquajturin "Monitoring Center", sistemin, që Siemens e çoi në vitin 2000 në Siri. Me anë të tij mund të mbikqyret komunikimi në internet dhe telefon në të gjithë territorin.

Me kërkesë të Deutsche Welle një zëdhënëse e kompanisë shkruan, se është e detyruar nga kontrata të mos japë informacion në lidhje me klientët, vendet, apo sasinë e ofertës. Por përmes një klauzole mbrojtëse blerësit janë të obliguar të ndjekin udhëzimet e OECD-së për sipërmarrjet shumëkombëshe. Për më tepër gjatë eksportit garantohet respektimi i ligjeve ndërkombëtare të eksportimit dhe tregtimit dhe nuk furnizohen vendet në luftë civile.

Rregulla më të rrepta eksporti?

Martin Lindner kundërshton ashpërsimin e rregullave të eksportit

Martin Lindner kundërshton ashpërsimin e rregullave të eksportit

Jan van Aken, ekspert i mbrojtjes i Partisë së Majtë, nuk ka ndonjë vlerësim të lartë për busullën morale të firmave të tilla: "Kompani të tilla nuk e kufizojnë vetën kurrë vullnetarisht. Kur një firmë sigurie dëshiron të fitojë para, atëherë ajo ka për tui shitur edhe atyre, që abuzojnë me të drejtat e njeriut. Ky është modeli i tyre i biznesit ..."

Pasi e ke dërguar mallin, është e vështirë tq verifikosh, se në ç'masë shpërdorohet teknologjia e përgjimit. Van Aken bën thirrje që kufizimet në eksport për teknologjinë e përgjimit të përfshihen në ligjin e tregtisë së jashtme (AWG) dhe që eksporti të kontrollohet rreptë.

Nga ana tjetër Martin Lindner, zëdhënësi i politikës ekonomike të grupit parlamentar të FDP, refuzon ashpërsimin e rregullave të eksportit për teknologjinë e përgjimit. "Ndoshta nuk ka asnjë vend në botë, ku eksportet kontrollohen në mënyrë kaq kritike dhe të tërësishme, si në Gjermani." Një teknologji e tillë nuk është menduar vetëm për të torturuar. Mallra të tilla mund të shiten dhe të përdoren edhe për qëllime abuzive dhe të paligjshme, por kjo vlen në përgjithësi për çdo mall në botë", thotë Lindner.