Armët gjermane lëvizin pa u ndjerë
1 Gusht 2012Një vit më parë, në korrik 2011, gazetat gjermane informonin se qeveria gjermane kishte miratuar shitjen e 200 tankeve luftarake Arabisë Saudite. Lajmi nuk u konfirmua kurrë. Edhe vetë Parlamenti gjerman, një nga detyrat e të cilit është kontrolli i qeverisë, do të mësojë vetëm në fund të vitit nëse mbretërisë saudite i janë livruar tanket e tipit Leopard 2. Atëherë qeveria gjermane do të prezantojë raportin për eksportin e armatimeve për vitin 2011.
Dhjetorin e kaluar parlamentarët dhe opinioni publik mësuan nga raporti për eksportet e armatimeve në 2010, se Arabia Saudite është e dhjeta në listën e importuesve më të rëndësishëm të armatimeve gjermane. Prodhuesit gjermanë kishin livruar armë zjarri të vogla, municione dhe paisje ushtarake komunikacioni. Tanku i tipit Leopard 2, një nga mallrat gjermane të armatimit më të preferuara në botë, ishte shitur ndër të tjera në Kili, Singapor dhe Turqi.
Në 2010 eksportuesi i tretë më i madh në botë
Me eksporte të armatimeve ushtarake në vlerë prej 2,1 miliardë eurosh Gjermania ishte në vitin 2010 eksportuesi i tretë më i madh i armatimeve në botë, pas SHBA-së dhe Rusisë. Por më shumë se gjysma e kësaj shumë i takonte livrimit të tri anijeve të luftës vendeve partnere në NATO, Portugalisë dhe Greqisë.
Eksportet e armatimeve në shtetet e NATO-s, në "vendet e barabarta me NATO-n" Australi, Japoni, Zelandë e Re dhe Zvicër si dhe në shtetet anëtare të BE-së miratohen si parim gjithnjë. Për të gjitha eksportet e tjera ka rregulla të sakta në ligjin për kontrollin e armëve të luftës, në ligjin për tregtinë me jashtë, në kodin e sjelljes së BE-së për eksportet e teknologjisë ushtarake si dhe në direktivat e përcaktuara nga qeveria gjermane për eksportet e armatimeve. Kështu nuk lejohen transportet në vende në të cilat sundon ose kërcënon të shpërthejë luftë ose luftë civile. Përjashtimet e vetme janë luftimet me mandat të OKB-së.
Të drejtat e njeriut në qendër
Në direktivat për eksportet e armatimeve thuhet veç kësaj se miratimi nuk vihet në pyetje "nëse ekziston dyshimi i mjaftueshëm i abuzimit për represion brenda vendit ose në rast shkeljesh të vazhdueshme dhe sistematike të të drejtave të njeriut. Për këtë pyetje situata e të drejtave të njeriut në vendin importues luan një rol të rëndësishëm."
Në përgjithësi direktivat bëjnë dallim mes "armëve të luftës" dhe "mallrave të tjera të armatimit". Eksporti i armëve të luftës, ku bëjnë pjesë edhe tanket e luftës, "si rregull nuk miratohet, me përjashtim të rasteve kur interesa të posaçme të Republikës Federale në politikën e jashtme ose të sigurisë, duke pasur parasysh interesat e aleancës, flasin për dhënien e një lejeje si rast i veçantë."
Vendime në rreth shumë të ngushtë
Vendimi për miratimin e një eksporti armësh nuk prek madje as gjithë qeverinë, por vetëm një komision qeveritar, Këshillin Federal të Sigurisë. Aty bëjnë pjesë krahas kancelares, shefi i zyrës së kancelares si dhe ministrat e jashtëm, Mbrojtjes, Financave, Sigurisë, Drejtësisë, Ekonomisë dhe Zhvillimit. Shefi i zyrës së presidentit merr pjesë në takimet e këshillit në rolin e vëzhguesit.
Parlamenti mund të mësojë vetëm më pas, me një vit vonesë, nga raporti i qeverisë për eksportet e armatimeve, nëse qeveria ka respektuar direktivat e saj. Disa muaj më vonë në parlament debatohet për raportin. Atëherë opozita si rregull kritikon qeverinë se i ka dhënë më shumë rëndësi sa duhet interesave të aleancës dhe se e ka vlerësuar më pozitive nga sa është gjendjen e të drejtave të njeriut në vendet importuese.
Opozita nuk mungon të kërkojë edhe kontrollin paraprak të eksporteve të armatimeve nga parlamenti. Por pas ndryshimit të qeverisë kjo harrohet përsëri shpejt.