1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intensifikohet debati për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë

Julia Mahncke / Elert Ajazaj3 Janar 2013

Merr mjeku im para prej koncernit farmaceutik kur më shkruan recetë për mjë bar të caktuar? Ka mjekja ime ndonjë përfitim kur unë shkoj në farmacinë që më ka rekomanduar?

https://p.dw.com/p/17CuT
A portrait of a doctor with patient's money in his pocket (Fotolia: #44263873); © Fotolia/Minerva Studio
Symbolbild Ärzte KorruptionFotografi: Fotolia/Minerva Studio

Arkat e sigurimeve shëndetësore ligjore kërkojnë që të jetë i mundur dënimi i mjekëve të pavarur në rast se ata marrin mitë ose përfitime të tjera. Gjykatës Federale iu desh të konstatonte në qershor të vitit të kaluar se aktualisht një dënim i tillë është i pamundur. Në të njëjtën kohë gjykatësit i sinjalizuan politikës që kjo e çarë në legjislacion të mbyllet. Ministri i Shëndetësisë Daniel Bahr (FDP) nuk ka marrë ende vendim në këtë çështje. Zëdhënësja e tij tha të mërkurën (2.1.2011) në Berlin se nuk dallon presion kohe, pasi lënda është e ndërlikuar.

Fusha e shëndetësisë është vërtet e ndërlikuar. Ekzistojnë disa mundësi për të siguruar përfitime. Avokati Malte Passarge, drejtor i shoqatës antikorrupsion "Pro Honore", përmend si shembull bashkëpunimin midis farmacive dhe mjekëve. E zëmë se një mjek e dërgon pacientin e tij me kancer tek një farmaci e caktuar (ndoshta një që është në të njëjtën ndërtesë), në mënyrë që ky i fundit të marrë atje barnat e tij. Në rastin e pacientëve me kancer mund të arrihet lehtë një vlerë mbi 1.000 euro. Farmacia mund ta falënderojë për shërbimin e rekomandimit (për shembull duke i dhënë pjesë në fitim, ose duke marrë përsipër për mjekun kosto personeli, ose të klinikës). Në këtë kontekst përbën vazhdimisht temë diskutimi edhe bashkëpunimi me koncernet farmaceutike: "Ka njëfarë zakoni në sektorin shëndetësor", thotë në bisedë për Deutsche Welle-n Passarge, sepse "shëndetësia është dega ekonomike më e madhe në Gjermani, ndërkohë më e madhe se dega e automobilave."

Arzt verschreibt Anwendeungen gegen Bezahlung. Copyright: LUCKAS - Fotolia.com, #33316717
Fotografi: Fotolia/LUCKAS Kommunikation

Rast i veçuar apo epidemi?

Se sa i përhapur është korruptimi i mjekëve dhe i mjekeve në të vërtetë, kjo nuk mund të përcaktohet saktësisht. Është e vështirë të mblidhen prova, thotë avokati Passarge. Sipas tij, më shumë mjekët zbulohen nëpërmjet kontrolleve të taksave. Jens Spahn, ekspert i shëndetësisë në Partinë Demokristiane, supozon në bisedë me [gazetën] "Frankfurter Allgemeinen Zeitung" më 02.01.2013 se ka mijëra raste. Që këtu nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, këtë e thotë edhe Wolfgang Wodarg, ish-deputet për Partinë Socialdemokrate dhe tani ekspert për shëndetësinë te Transparency International (TI): "Kriminologët thonë që rastet e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë ua kanë kaluar ndërkohë rasteve në sektorin e ndërtimit."

Vetëm gjykatat profesionale të vendit mund t'i dënojnë mjekët e korruptuar, madje mund t'u heqin atyre lejet për ushtrimin e profesionit. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur "pothuajse në asnjë rast", thotë për DW-në Ulrich Montgomery, president i dhomës së mjekëve gjermanë. Përmasat e rasteve nuk kanë qenë aq të mëdha, shton ai.