1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ardhja e Obamës ka ngjallur shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve transatlantike

Ndërsa euforikët mendojnë se Obama do t'i ndajë përgjegjësitë me partnerët evropianë në arenën botërore, më të përmbajturit thonë se as ai nuk do ta ndryshojë pretendimin e Amerikës për të pasur rolin udhëheqës në botë.

Barack Obama udhëton me tren për në Uashington

Barack Obama udhëton me tren për në Uashington

Xhon Hulsman ( John C. Hulsman), dikur përgjegjës për Evropën në "Heritage Foundation" në Uashington, sot bashkëpunëtor i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin, nuk e fsheh optimizmin dhe entuziazmin për presidentin e 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: "Ai është intelligjent, kompetent dhe më kryesorja siç doli në pah edhe nga fjalimi, ai është pragmatik", thotë Hulsman. Pragmatizëm, të cilin evropianët do ta ndjejnë menjëherë, pasi kriza financiare që ka kapur SHBA, që nga tetori i 2008-ës, e ka përcaktuar që tani axhendën Obamës. "Gjashtë pikat e para të saj quhen ekonomi, ekonomi, ekonomi!", vë në dukje Hulsman.


Kjo do të thotë se politika e jashtme do të bëhet më multilaterale dhe se presidenti i ri amerikan do t'i kalojë disa përgjegjësi në Evropë: "Si për shembull Ballkanin. Juve në Europë, që do të merreni me të ju uroj shumë fat," thotë shkencëtari amerikan, jo pa ironi.

Por sa vëmendje do t'i kushtojë Obama, i cili vjen në detyrë në kohën e krizës financiare, politikës së jashtme? Jan Tehau (Techau), drejtor i qendrës Oppenheim për studime evropiane, thotë se partnerët evropianë nuk do të kenë të bëjnë aq me Obamën, por me ministren e jashtme, Hilari Klinton (Hillary Clinton): "Në politikën e jashtme ajo do të luajë një rol më të madh se ç'kujtojmë ne", thotë Techau.

Sfidat e presidentit Obama mund të jenë të reja, ashtu si dhe mjetet që mund të përdorë ai për përballimin e tyre, por vlerat amerikane mbeten, thotë një tjetër specialist i intitutit gjerman, Jozef Braml ( Josef Braml). "Kush guxon t'i sulmojë ato, do të asgjësohet. Ky ishte një mesazh shumë i qartë", thotë Braml, duke komentuar fjalën përuruese të presidentit amerikan. Obama aty e vuri theksin edhe tek përgjegjësia e kombit amerikan ndaj kombeve të tjera në botë: "Kjo tregon se Amerika vazhdon të pretendojë rolin udhëheqës në botë," komenton më tej Braml në adresë të siç thotë ai: "atyre që ëndërrojnë për multipolarizëm". Sipas ekspertit, mesazhi i tërthortë i Obamës ishte: Amerika është e gatshme të udhëheqë. "Dhe pikërisht këtu u dëgjua edhe duartrokitja më e madhe. Në këtë pikë kombi sërish e ndjeu e veten të sigurtë", nënvizon Jozef Braml duke e zbutur paksa euforinë për fenomenin Obama: "Ai mund të shijohet dhe kuptohet tërësisht, vetëm kur je amerikan".

(aca)

  • Data 22.01.2009
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GeBS
  • Data 22.01.2009
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GeBS