1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080609 Arcandor Staatshilfe

9 Qershor 2009

Koncerni i turizmit dhe i tregtisë Arcandor, me rrjetet e veta të shitjes Karstadt dhe Quelle ka falimentuar. Sipërmarrja paraqiti kërkesën për proces falimenti në gjykatën e shkallës së parë, në Esen.

https://p.dw.com/p/I61R
Arcandor Karstadt në Esen
Arcandor paraqiti kërkesën e re, të përmirësuar, me të cilën mund të përfitojë fonde nga federata.Fotografi: AP

Qeveria gjermane refuzoi një lutje të sipërmarrjes për të bërë garante në një shumë prej miliona eurosh nga i ashtuquajturi fond i Gjermanisë. Edhe një kredi emergjente e kërkuar prej federatës u refuzua, me argumentin se paratë e vëna në dispozicion nga bankat, pronarët dhe qiradhënësit nuk mjaftojnë. Tani koncerni Arcandor mori një afat të fundit për të paraqitur një kërkesë të re, të përmirësuar, me të cilën të përfitojë fonde nga federata.

Prej ditësh punonjësit e Karstadtit dhe të koncernit mëmë Arcandor protestojnë, por koncerni gjigand turistik dhe tregtar nuk do të marrë as garanci dhe as kredi nga fondi i Gjermanisë. Koncerni nuk u ndodh para vështirësive vetëm pasi shpërtheu kriza financiare dhe ekonomike, por që më parë. Prandaj rasti i tij nuk vjen në diskutim për të përfituar nga fondet e shpëtimit, të ngritura për krizën. Në rrethana të caktuara megjithatë mund të jepen ndihma shtetërore, bëri të qartë kancelarja Angela Merkel: "Tani ne kalojmë në një situatë, në të cilën duhet vendosur nëse ky është një rast, që mbulohet nga një sistem rregullash, i cili ka ekzistuar gjithmonë pavarësisht nga kriza, pikërisht e ashtuquajtura asistencë e shpëtimit, e cila pastaj kalon në një asistencë strukturimi, një instrument evropian, ku çdo rast duhet të miratohet veç e veç?"

Protesta të punonjësve në Dyseldorf, 8 qershor 2009.
Që shteti të ofrojë kredi, duhet parë plani ristrukturimit dhe financimit, që tregon si do të vazhdojë puna e Arcandorit në të ardhmen.Fotografi: AP

437 milionë Euro i duhen Arcandorit, sipas fjalëve të tij, për të qenë në gjendje që të vazhdojë biznesin gjashtë muajt e ardhshëm. Por që shteti të ofrojë një kredi, kjo duhet të jetë e lidhur me një plan ristrukturimi dhe financimi, prej të cilit të dalë qartë, si do të vazhdojë puna e Arcandorit në të ardhmen : "Këto asistenca shpëtimi dhe ristrukturimi janë të lidhura me kushte strikte dhe të forta, me reduktim të konsiderueshëm personeli. Shfrytëzimi i këtyre masave për një sipërmarrje është një hap shumë, shumë i vështirë. Unë i njoh shqetësimet dhe hallet e punëtorëve, por ne nuk do të paraqesim zgjidhje, të cilat mbajnë katër ose gjashtë muaj, por që në fund nuk janë zgjidhje për vende të përhershme pune."

Që të hënën pasdite, në ministrinë e ekonomisë u mblodhen specialistë që po konsultohen për asistencën e shpëtimit. Direktivat janë përcaktuar nga Komisioni i BE, qeveria gjermane nuk ka mundësi të ushtrojë ndikim në këtë vendim.

Parrulla kundër mbylljes së Arcandorit.
Prej ditësh punonjësit e Karstadtit dhe të koncernit mëmë Arcandor protestojnë.Fotografi: AP

Arkandori vërtet që po zhvillon prej disa kohësh negociata me koncernin Metro për një fuzionim të supermarketeve Karstadt dhe Kaufhof, por i zhvillon ato me pak bindje, sipas mendimit të Ministrit gjerman të Ekonomisë, Karl Theodor zu Guttenberg: "Përpara se të bësh thirrje për mjete financiare shtetërore e rëndësishme është që të kemi investues, të interesuar. Dhe ata ekzistojnë. Unë e kam përshëndetur shumë faktin, që janë zhvilluar këto bisedime, por po dëgjoj se ato nuk kanë avancuar aq, sa të flasim për fakte konkrete dhe vetëm mund të bëj thirrje që këto bisedime të vazhdojnë me qartësi."

Autor: Sabine Kinkartz / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama