1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Appathurai: Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë është demonstrim i parimit të NATO-s, se dyert e saj mbeten të hapura dhe kështu do të vazhdojë.

Interviste me zëdhënësin e NATO-s, Xheims Appathurai, lidhur me Samitin e 60 vjetorit të themelimit

default

Xhejms Appathurai

DW: Në Samitin e NATO-s, që fillon punimet në Strasburg, të premten më 3 prill, pritet anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në Aleancën Atlantike. Çfarë do të thotë kjo Zoti Appathurai për këto dy vende, për Ballkanin Perëndimor dhe në fund të fundit për vetë NATO-n?

James Appathurai: Është mirë për NATO-n, pasi në tavolinë do të vijnë dy vende të reja me idetë dhe Forcat e tyre të Armatosura dhe që janë të mirëseardhura. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë është një demostrim i vullnetit dhe aftësisë së tyre për të kontribuar në NATO. Ky është një zhvillim pozitiv për Ballkanin Perëndimor, sepse të dyja vendet do të sjellin stabilitet tek vendet fqinjë, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, apo të Bashkimit Europian. Së fundi, anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë është një demonstrim i parimit shumë të rëndësishëm të Aleancës se dyert e saj mbeten të hapura dhe mund t´ju them se kështu do të vazhdojë.

DW: Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë përkon edhe me 60 vjetorin e NATO-s. Nga viti 1949, kur NATO u krijua, bota është tani shumë më ndryshe se atëhere. Cilat janë ngjarjet vendimtare, që ndryshuan botën, në këto 60 vite dhe si kanë ndikuar ato në misionin dhe strategjinë e NATO-s?

James Appathurai: Do të thoja se ato janë tri: njëra është fundi i Paktit të Varshavë-s ngjarje, e cila ngriti pyetjen se çfarë do të bënte NATO në botën e pas Luftës së Ftohtë. Por NATO nuk u shpërbë, vazhdoi të ekzistojë, sepse është një komunitet vendesh, që mund të konsultohen, të veprojnë së bashku çdo ditë. Asnjë Organizatë tjetër nuk ka aftësitë, që ka NATO për të kryer operacione për paqen. Kjo aftësi u shfaq gjatë luftërave në rajonin e Ballkanit dhe prania per herë të parë e NATO-s atje shënoi një moment shumë të rëndësishëm tranzicioni për Aleancën. Ngjarja e tretë është ajo e 11 Shtatorit. Ajo solli në derën e NATO-s luftën kundër terrorizmit. U zbatua Neni Nr 5 për mbrojtjen kolektive. Dhe më pas natyrisht erdhën operacionet në Afganistan, që e çuan NATON shumë larg gjeografikisht, por përsëri për të mbrojtur vlerat themelore të Aleancës. Edhe kur NATO mbron stabilitetin larg vendeve të tij anëtare kjo bën pjesë në misionin kryesor të NATO-s, që është mbrojtja kolektive mision, që nuk ka ndryshuar kurrë. Një tranzicion tjetër i rëndësishëm ka qenë partneriteti me Organizatën e Kombeve të Bashkuara me Unionin Afrikan me vende të tilla të largëta si Australia, Zelanda e Re, Japonia, Koreja e Jugut, pra web-site i vendeve partnere të NATO-s është zgjeruar. Dhe së fundi partneriteti në struktura me Rusinë, që nuk mund të mendohej 20 vite më parë, por që tani NATO e ka realizuar.

DW: A do të ndryshojnë prioritetet e NATO-s? A do të përcaktojë Samiti i Strasburg/ Kehl-it një koncept të ri strategjik të Aleancës Atlantike?

James Appathurai: Nuk ka për të ndryshuar kurrë mbrojtja kolektive. Po kështu ajo, që nuk ka të ngjarë të ndryshojë, është projektimi i stabilitetit. Që të dyja këto prioritete do të vazhdojnë të jenë në strategjinë e NATO-s. Përtej tyre pritet që të zhvillohet një diskutim me pjesën më të madhe të presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare gjatë ditëve të Samitit. Pas Deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në këtë Samit do të bëhet i njohur procesi i konceptit strategjik të Aleancës gjë, që do të çojë në rishikimin e dokumentit themelues të NATO-s, pra në hartimin e një dokumenti tjetër shumë të rëndësishëm drejtues, një dokumenti guidë për gjithë sa do të bëjë Aleanca. Por për prioritetet bazë është rënë dakort pra për mbrojtjen kolektive, stabilitetin, partneritetin. Çfarë mund të bëjë tjetër NATO? Mbrojtjen e të dhënave kompjuterike, të sigurisë së energjisë. Fusha e veprimit është shumë e gjerë. Do të ketë diskutime dhe rezultati i tyre do të paraqitet në Samit.

DW: Në këtë fushë shumë të gjerë veprimi a ka gjasa që Samiti i 3 prillit të dalë edhe me një përqasje të re të marrödhënieve mes NATO-s dhe Serbisë?

James Appathurai: NATO do të dëshëronte një marrëdhënie më të mirë me Serbinë. Për këtë nuk ka dyshim. Kemi një seri marrëdhëniesh institucionale, kemi një marrëveshje partneriteti me Zyrën përfaqësuese Ushatarake të NATO- s në Serbi. Ndërkohë bashkëpunimi mes NATO-s dhe Serbisë për Kosovën po ecën mirë. Por kemi një histori. NATO dëshëron ta shohë Serbinë të marrë vendin e saj të plotë në strukturat euro-atlantike, pasi Serbia është një nga vendet e rëndësishme të Ballkanit, në mos më i rëndësishmi. Nga ana tjetër edhe Serbia duhet të dëshërojë një marrëdhënie më të mirë me NATO-n. Ajo duhet të shikojë përpara në të ardhmen dhe jo pas në të shkuarën. Mendoj se ka shumë hapësirë për afrim mes NATO-s dhe Serbisë dhe NATO e dëshëron këtë afrim.

DW: Po për marrëdhëniet me Rusinë?

James Appathurai: Me Rusinë është një çështje krejtësisht ndryshe. Kemi një partneritet të strukturuar, shumë të mirë. Kemi Këshillin NATO- Rusi, kemi një amplitudë jashtëzakonisht të madhe çështjesh, ku bashkëpunojmë, por edhe çështje të rëndësishme, për të cilat nuk biem dakort, si psh ajo lidhur me Gjeorgjinë. Por në fund të fundit NATO beson se Rusia ka nevojë për atë, ashtu si edhe NATO për Rusinë. Si mund të mos bashkëpunojmë për Afganistanin? Si mund të mos bashkëpunojmë për të luftuar terrorizmin, përhapjen ose jo të armëve, për mbrojtjen kundër raketave? Thjesht NATO dhe Rusia kanë nevojë për njëra–tjetrën... Do të shihni që marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë do të thellohen. Kam besim se ndërkohë që marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë shkojnë përpara, kjo do të ketë një ndikim pozitiv edhe në marrdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s.


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 31.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HNdV
  • Data 31.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HNdV