1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Apele dhe kritika në Stamboll - Samiti botëror për ndihmën humanitare

Në Stamboll samiti i parë humanitar i Kombeve të Bashkuara për ndihmën humanitare bashkoi 60 krerë shtetesh e qeverish. Nuk mungojnë apelet për ndihmë më efektive në krizat e refugjatëve, por burimet financiare.

Türkei Humanitärer Weltgipfel

Merkel në Stamboll

Sipas llogaritjeve të Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën rreth 125 milionë vetë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, për shkak të luftës, terrorit apo urisë të shkaktuar nga katastrofat natyrore. Prandaj Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon i drejtoi një apel bashkësisë ndërkombëtare: "Ju bëj thirrje që të marrim përsipër detyrimin për të përgjysmuar deri në vitin 2030 numrin e njerëzve në arrati. Për këtë qëllim duhet të punojmë dhe të ndajmë përgjegjësinë."

Në samitin e Stambollit që filloi të hënën (23.05) dhe zgjat dy ditë politikanë, organizata humanitare debatojnë se si mund t'u ndihmohet në mënyrë efektive miliona njerëzve në nevojë, dhe 60 milionë refugjatëve në botë. Peter Maurer nga Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ka paralajmëruar se "nuk është zgjidhje thjesht vendosja e disa çadrave për refugjatët. Ne duhet t'i japim njerëzve mundësi që të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur në jetën normale." Maurer kërkon shtimin e mundësive për shkollimin e fëmijëve të refugjatëve.

Merkel: Konsesus i ri global

Dita e parë e samitit ishte ditë apelesh. Qëllimi konkret: Shtimi i fondit humanitar të OKB-së në 1 miliardë dollarë. Sipas kancelares gjermane, Angela Merkel është shumë i rëndësishëm një "konsesus i ri global". Ai apeloi ndaj shteteve donatore të mbajnë premtimet e tyre. Shumë shpesh pas premtimeve të bëra nuk vijnë paratë, kjo duhet të marrë fund, kërkoi Merkel. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier bëri të ditur shtimin e ndihmës gjermane me 10 milionë euro të tjera në 50 milionë euro.

Presidenti turk, Erdogan që në hapjen e samitit kërkoi shpërndarjen e përgjegjësisë për masat e ndihmës kundër vuajtjes për shkak të luftës dhe katastrofave. "Sistemi aktual nuk funksionon. Barra mbahet vetëm nga disa vende. Nga ky moment, duhet që gjithsekush të mbajë përgjegjësinë që duhet." Turqia ka pranuar rreth 3 milionë refugjatë, 2,7 milionë vetëm nga Siria. "Nevojat shtohen përditë, por nuk shtohen me të njëjtën shpejtësi edhe burimet. Ka tendenca në bashkësinë ndërkombëtare për t'i ikur kësaj përgjegjësie", kritikoi presidenti turk.

Samiti, i cili ka disa vite që përgatitet, bashkoi në Stamboll 60 krerë shtetesh e qeverish dhe 6000 pjesëmarrës. Një ndër objektivat është edhe respektimi i të drejtave të ndërkombëtare për mbrojtjen e popullsisë civile në konfliktet e armatosura, me qëllimi furnizimin e saj. Sidomos në Siri gjendja është shumë e vështirë. Kancelarja Merkel e preku këtë temë në Stamboll duke theksuar se "është vërtet katastrofë që duhet të flasim për respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë përjetojmë në Siri, Jemen dhe në vende të tjera që në mënyrë sistematike bombardohen spitale, shkatërrohen qendra shëndetësore, dhe që mjekët humbasin jetën."

"Mjekë pa kufi": Samiti - gjethe fiku

Organizata humanitare "Mjekë pa kufi", e cila kishte më shumë se një vit që përgatiste samitin i qëndroi larg Stambollit. Sipas kësaj organizate, dobësitë e reagimit humanitar ndaj situatave emergjente kërcënojnë ta kthejnë samitin në një "gjethe fiku" me të cilën mbulohet dështimi i bashkësisë ndërkombëtare. Shumë organizata, ndër to edhe Organizata e OKB-së për Fëmijët, Unicef kanë krijuar një fond të ri ndihme, me qëllim grumbullimin e 3,85 miliardë dollarëve në 5 vitet e ardhshme për shkollimin e fëmijëve në zonat e krizave dhe konfliktit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e shikon samitin si një shans për bashkësinë ndërkombëtare për të formësuar "një të ardhme tjetër".