1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Apel i fortë i Papës nga Lampedusa

Lampedusa është një simbol i tensioneve midis Veriut të pasur dhe Jugut të varfër. Vizita e Papës në Lampedusa është një sinjal i rëndësishëm politik.

S'ka dyshim se me vizitën e tij të parë pastorale jashtë Romës Françesku vuri gishtin në plagë. At Frido Pflueger, kreu i seksionit gjerman të Shërbimit jezuit për Refugjatët (JRS), e quan vizitën e Papës në Lampedusa, një "apel të fortë" për vendet e Evropës veriore: "Ata duhet të shohin se kanë detyrime ndaj refugjatëve dhe se nuk mund të thonë vetëm po e shtyjmë çështjen në kufijtë e jashtëm - dhe kaq." - tha Frido Pflueger për Deutsche Welle. Lampedusa është një simbol i tensioneve midis Veriut të pasur dhe Jugut të varfër. "Këtu njerëzit ikin nga diktatura dhe dhuna në kërkim të jetës në paqe, siguri dhe dinjitet."

Kritika ndaj Brukselit

Shanset e azilkërkuesve për të gjetur mbrojtje në Evropë, janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme nga marrëveshja ndërqeveritare "Dublin II" thotë në raportin e tij të publikuar kohët e fundit në Bruksel Shërbimi jezuit për Refugjatët. Organizata kishte intervistuar 257 azilkërkues, të cilët kanë qenë të prekur drejtpërdrejt nga ky proces në nëntë vende të BE-së. Gjermania akuzohet në raport se arreston shpesh azilkërkues. "Ne gjithmonë flasim kaq lehtë për refugjatë ekonomikë, sikur dikush vjen vetëm për shkak të një jetë më të mirë në Evropë," tha Pflüger në intervistë me DW. "Shumica e tyre vijnë për të shpëtuar jetën."

Solidaritet katolik me refugjatët

Günter Burghardt, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Pro Azyl mendon se vizita e Papës në Lampedusa është një sinjal i rëndësishëm politik. "Në Evropë jemi ende shumë larg një ligji për azilin sipas të cilit të gjitha vendet e BE marrin përsipër përgjegjësi për refugjatët.", tha Burghardt për Deutsche Welle. Në Kishën Katolike çështjet e migrimit kanë prioritet të lartë për shkak të mesazhit të krishterë", tha Burghardt.

Oliver Müller, drejtor i organizatës bamirëse katolike Caritas International thotë se e ka të vështirë të konstatojë ndonjë politikë të Vatikanit për refugjatët. Por të varfërit janë prioritet i Papës së ri dhe ai bën të qartë se ndërtimi i mureve dhe i barrierave nuk përbëjnë zgjidhjen e problemit global të refugjatëve.

Edhe Benedikti ka bërë thirrje për solidaritet me refugjatët

Para Françeskut edhe Papa Benedikti XVI ka tërhequr vëmendje për vuajtjet e refugjatëve. Në një mesazh për Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve në vitin 2012, ai shkroi: "Refugjatët të cilët kërkojnë azil ikin nga dhuna, persekutimi dhe situata kërcënuese për jetën dhe kanë nevojë për mirëkuptimin tonë dhe perceptim, respekt për dinjitetin e tyre njerëzor dhe të drejtat e tyre." Apelet e papëve kanë efekt afatgajtë mendon Daniel Leguthe, referent për të drejtat e njeriut pranë Justitia et Pax. "Ndryshimet politike nuk ndodhin kurrë brenda një dite." Çështja e refugjatëve lidhet me ndryshime në mentalitet, tha Leguthe për DW.